UNGJILLI – Marku 10:32-45.

Edhe ishin në udhë duke u ngjitur në Jerusalem; edhe Jisui ishte duke shkuar përpara tyre, edhe ata çuditeshin, edhe vinin prapa duke pasur frikë.

Edhe ai mori pranë përsëri të dymbëdhjetët, edhe zuri t’u thotë ato që do t’i ngjanin atij, se ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe shkruesve, edhe do ta gjykojnë për vdekje, edhe do t’ua dorëzojnë kombeve; edhe do ta përqeshin, edhe do ta fshikullojnë, edhe do ta pështyjnë, edhe do ta vrasin, edhe të tretën ditë do të ngjallet.

Dhe atëherë vijnë tek ai Jakovi dhe Joani, të bijtë e Zevedheut, duke thënë: Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë. Edhe ai u tha atyre: Ç’doni t’ju bëj unë juve? Edhe ata i thanë: Jepna të rrimë njëri nga e djathta jote dhe njëri nga e majta jote, në lavdinë tënde.

Po Jisui u tha atyre: S’dini se ç’kërkoni. A mundeni të pini potirin që pi unë, edhe të pagëzoheni me pagëzimin që pagëzohem unë? Edhe ata i thanë: Mundemi. Edhe Jisui u tha atyre: Potirin, që pi unë, do ta pini, edhe me pagëzimin, që pagëzohem unë, do të pagëzoheni.

Por të rrini nga e djathta ime e nga e majta ime, nuk është puna ime ta jap, po do t’u jepet atyre, për të cilët është bërë gati. Edhe të dhjetët kur dëgjuan, zunë të zemërohen për Jakovin dhe për Joanin. Por Jisui, si i thirri pranë, u thotë atyre: E dini se ata që i mbajnë për të parë të kombeve me forcë i zotërojnë ata, edhe të mëdhenjtë fort i shtypin.

Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj. Edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi të shërbehet, po të shërbejë, edhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë.