– Dëshmore Thomaidha –
Rasti i saj është shumë i rrallë. U bë e denjë të martirizohej jo për hir të besimit, por për hir të moralit. Lindi në Aleksandri, në shekullin e 5-të, nga prindër shpresëtarë, të cilët e rritën me frymë të krishterë. Në moshën 18-vjeçare iu dha për bashkëshorte një të riu, gjithashtu shpresëtar. Rronin të shkujdesur në mirëkuptim e në qetësi të plotë, deri në çastin kur gjatë mungesës së të shoqit, djalli i ndezi një dëshirë të paturpshme vjehrrit që banonte bashkë me ata.
E reja e kundërshtoi plakun e marrë e të verbuar nga vrulli i shfrenuar dhe u përpoq ta këshillonte. Por ai, i rrëmbyer nga pasioni prej maniaku, kapi shtizën e të birit dhe e goditi nusen në kokë, duke ia çarë më dysh. Por menjëherë humbi dritën e syve dhe u pendua. Duke ecur i çoroditur mbi gjakun e së resë, u pohoi atyre që erdhën me nxitim dhe panë ndodhinë dhe u kërkoi ta çonin te guvernatori i qytetit për t’u ndëshkuar. Dhe vërtet ai u dënua me prerje të kokës.
Duke marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, zbriti në Aleksandri dhe mori pjesë në varrimin e saj avai i shquar Daniel, kryetar i Skitës së Nitrisë. Pastaj, ai mori lipsanin e shenjtë dhe, meqë ishte fjala për një dëshmore të moralit, e solli dhe e varrosi në varrezat e etërve, me gjithë kundërshtimet e tyre.
Dikur një murg, i cili mundohej nga mendime të mospërmbajtjes, shkoi në varrin e saj dhe u lye me vajin e kandilit që ishte mbi të. Në ëndërr e bekoi shenjtorja dhe në mëngjes ai u zgjua i çliruar nga mundimet. Nga kjo dhe nga ndodhi të tjera të ngjashme, shenjtorja u nderua si dëbuesja e ngasjeve trupore.