– Dëshmor Efpsiki –

Shën Efpsiki bënte një jetë të virtytshme në Qesari të Kapadokisë, në kohën e mbretërimit të shkurtër, por të përgjakshëm, të Julian Apostatit (361-363). Kishte pak kohë që ishte martuar, kur perandori, gjatë një udhëtimi për në Antioki, kaloi nëpër Qesari. Ai u habit kur mori vesh se të gjithë banorët ishin të krishterë dhe se, nën drejtimint e Efpsikit, kishin shkatërruar tempullin e Fortunës (Fatit), një hyjneshe për të cilën Apostati kishte shumë devocion dhe i ofronte përditë dhurata. Ai dha urdhër t’u pritej koka personave përgjegjës dhe të torturoheshin bashkëpunëtorët e tyre, para se t’i çonin në internim. Urdhri u zbatua menjëherë dhe shën Efpsiki u numërua në rreshtat e lavdishëm të shenjtorëve martirë. Tirani urdhëroi gjithashtu banorët, që të rindërtonin tempullin e shkatërruar. Por, në vend që t’i bindeshin, të krishterët ndërtuan një kishë kushtuar martirit Efpsik. Tetë vjet më vonë, shën Vasili i Madh kremtoi festën e shenjtorit, duke ftuar të gjithë episkopët e Pontit për të marrë pjesë.

– Dëshmorët Rafaeli, Nikolla e Irini –

Në vitin 1959, gjatë punimeve që po bëheshin në një paraklis të vogël, që ndodhej mbi një kodër, afër fshatit Thermi, në ishullin e Mitilinit, një punëtor gjeti një varr me kocka njerëzish të panjohur. Duke qenë besimpak dhe pa respekt për gjërat e shenjta, i la pa kujdes lipsanet rrëzë një peme, duke u tallur me to. Por në çast iu paralizuan duart, të cilat mundi t’i lëvizte përsëri vetëm pasi bëri shenjën e kryqit, për herë të parë pas njëzet e shtatë vjetësh. Në vazhdim, ai pa pranë kishës vetë shenjtorin dhe u rikthye në besim, duke u bërë një predikues i zjarrtë i hirit të këtij shenjtori, që sapo ishte zbuluar nga Perëndia. Edhe gruaja e tij ishte dëshmitare në këto ngjarje. Që para se të ndërtohej kisha, ajo kishte parë atje një hieromonak shtatlartë, por i shoqi e kishte qortuar të mos u besonte gjërave të tilla. Nga ai çast, shenjtori u shfaq shumë herë, kur ishin në gjumë apo zgjuar, gruas së pronarit të tokës dhe grave të tjera të devotshme të fshatit. Ai iu shfaq veç e veç edhe disa fëmijëve e burrave. Disave u shfaqej pa u folur, si një hieromonak i veshur me rrobat e Liturgjisë ose me rroba murgërore. Disa të tjerëve u zbulonte emrin e tij, duke u thënë: “Mua më quajnë Rafael!” dhe u bënte të ditur se kishte mbërritur koha për ta nderuar, bashkë me shokët e tij të martirizimit, dhe që ikona e tyre të pikturohej e kujtimi t’u kremtohej të Martën e Ndritshme, sepse do të bënin shumë mrekulli. Të tjerëve u shfaqej në shoqërinë e Hyjlindëses Mari dhe të shën Parashqevisë, duke u treguar martirizimin e tij në detaje që përputheshin plotësisht tek të gjithë besimtarët.

Shën Rafaeli jetoi në shek. 15, në kohën e rënies së Konstandinopojës. Ishte me origjinë nga ishulli i Itakës. U quajt Gjergj në Pagëzimin e shenjtë dhe mori një formim të shkëlqyer, si të krishterë ashtu dhe në dijen e botës. U bë murg me emrin Rafael dhe u hirotonis prift, duke u nderuar arkimandrit dhe protosingjel. Për shkak të aftësive, u dërgua me mision nga Patriarkana Ekumenike në Francë, në qytetin Morle. Atje u miqësua me dhjakun Nikolla, i cili u bë bashkëpunëtori dhe biri i tij shpirtëror. Pas rënies së Konstandinopojës, ata u strehuan në Maqedoni dhe më vonë, kur turqit pushtuan Thrakën, më 1454, shkuan në ishullin e Mitilinit (Lesbos). Aty u vendosën në Thermi, në manastirin e Hyjlindëses, që ndodhej pikërisht në vendin ku u zbuluan lipsanet. Të Enjten e Madhe të vitit 1463, turqit sulmuan manastirin dhe kapën igumenin Rafael, të cilin e torturuan keq. Të Martën e Javës së Ndritshme, më 9 prill, pasi e rrahën me topuzët e tyre, e tërhoqën zvarrë nga mjekra, që nga maja e kodrës e deri poshtë. Pastaj e varën në një pemë, ia çanë ijët me shtiza dhe i shqyen nofullën. Kjo ishte mënyra me të cilën Rafaeli u bashkua përjetësisht me Krishtin e ngjallur. Në fakt, skeleti i gjetur nga punëtori nuk kishte nofull; ajo u gjet pak më larg, pas një shfaqjeje tjetër të shenjtorit.

Shfaqjet e shenjtorëve u shumuan dhe shën Nikolla u zbuloi mjaft njerëzve vendin e saktë të varrit të tij. Pas disa ngurrimeve, për shkak se besimtarët kishin frikë se mos i tallnin të pabesët në rast dështimi, gërmuan dhe gjetën, më 13 qershor 1960, lipsanin e trupit të shën Nikollës. Mësuan nga shën Rafaeli, se shën Nikolla ishte me origjinë nga Raghesi i Medisë, por ishte rritur në Selanik. Kur erdhi ora e tij, turqit e kapën dhe e torturuan; vdiq gjatë torturave, nga një atak në zemër.

Njëkohësisht, një vajze iu shfaq një vashë dymbëdhjetëvjeçare, me pamje engjëllore, martirja e shenjtë Irini. Hyjlindësja Mari i zbuloi një tjetri, se Irini ishte vajza e kryetarit të fshatit, Vasilit, i cili kishte gjetur strehë në manastir bashkë me banorë të tjerë. Turqit u përpoqën që të mësonin nga ai se ku ndodheshin luftëtarët e krishterë, por nuk ia dolën. Prandaj, morën të bijën dhe, në sy të prindërve, ia prenë të dyja duart, e hodhën në një vozë të madhe dhe i vunë zjarrin, duke e djegur të gjallë. Pastaj masakruan prindërit e vajzës dhe Theodhorin, mësuesin e fshatit. Në vazhdën e një zbulese tjetër, u gjetën lipsanet e shën Irinit, në vozë, sipas rrëfimit të bërë, dhe pranë varreve të shën Rafaelit dhe Nikollës, u zbuluan edhe varret e martirëve të tjerë.

Shën Rafaeli u shfaq gjatë zbulesave të tjera të lavdishme i rrethuar nga një numër i madh shenjtoresh, që ishin murgesha që jetonin në atë manastir një shekull para tyre. Më 11 maj 1235, igumenia Olimbiadha dhe murgesha Efrosini u masakruan aty nga piratët turq. Shën Rafaeli lejoi të zbulohej edhe një ikonë e Krishtit dhe një burim ajazme, nëpërmjet të cilave u kryen mrekulli të shumta. Në fakt, shenjtorët nuk u mjaftuan të tregonin vetëm për ekzistencën dhe rrethanat e martirizimit të tyre. Afërsinë e tyre me Perëndinë e provuan me anë të mrekullive, që sa vijnë e shtohen. Shën Rafaeli vazhdon edhe sot t’u shfaqet, në ëndërr apo kur janë zgjuar, shumë njerëzve, besimtarë të përshpirtshëm apo indiferentë, nga Greqia e deri në Amerikë e Australi. Ai shëron të sëmurët e pashërueshëm, zgjon ndërgjegjet e rënduara nga mëkati, lehtëson dhimbjet e hidhërimet dhe shfaq se Zoti lavdërohet në shenjtorët e Tij, sot ashtu si dje e në jetë jetëve.