NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 25:1-9.
O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi. Sepse e ke katandisur qytetin në një grumbull gurësh, qytetin e fortifikuar në një grumbull gërmadhash; kështjella e të huajve nuk është më një qytet, nuk do të rindërtohet kurrë më.
Prandaj populli i fuqishëm të lëvdon, qyteti i kombeve të fuqishëm ka frikë nga ti, sepse ti ke qenë një kështjellë për të varfërin, një kështjellë për të mjerin në fatkeqësinë e tij, një strehë kundër stuhisë, një hije kundër të nxehtit, sepse fryma e tiranëve është si një furtunë kundër murit. Ti do të pakësosh zhurmën e të huajve si të nxehtit në një vend të thatë; ashtu si të nxehtit nën hijen e një reje, kështu kënga e tiranëve do të detyrohet të heshtë.
Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura. Do të shkatërrojë mbi këtë mal mbulesën që mbulonte tërë popujt, po kështu edhe mbulesën e shtrirë mbi të gjitha kombet. Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.
Atë ditë do të thuhet: “Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!”.
* * * * *
NGA LIBRI I GJENEZËS 9:8-17.
Pastaj Perëndia u foli Noeut dhe bijve të tij që ishin bashkë me të, duke thënë: Sa për mua, unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin që vjen pas jush, dhe me gjithë gjallesat që janë me ju: zogj, bagëti dhe tërë kafshët e tokës që janë me ju, duke filluar nga tërë ata që kanë dalë nga arka dhe deri te tërë kafshët e tokës. Unë e caktoj besëlidhjen time me ju: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën”.
Pastaj Perëndia tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë përfundoj midis meje dhe jush, me të gjitha qeniet e gjalla që janë me ju, me të gjithë brezat e ardhshëm. Unë e vendos ylberin tim në një re, dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjen e përfunduar midis meje dhe tokës. Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë që harku të shfaqet në retë; dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush si dhe me çdo gjallesë të çfarëdo lloji mishi, dhe ujërat nuk do të shndërrohen më në një përmbytje për të shkatërruar çfarëdo lloj mishi.
Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi që ndodhet mbi tokë”. Dhe Perëndia i tha Noeut: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë kam caktuar midis meje dhe çfarëdo mishi që është mbi tokë”.
* * * * *
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 12:8-22.
Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet. Është më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë. I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore. Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend. I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.
Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t’i shpëtojë fatkeqësisë. Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij. Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë. Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin. Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.
Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim. Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast. Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen kanë gëzim. Asnjë e keqe nuk do t’i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.
Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.