NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 14:24-32.

Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: “Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur. Do ta dërrmoj Asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t’u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre. Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve. Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t’ia anullojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?”.

Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci: Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarpërit ka për të dalë një nëpërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues. Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç’të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.

Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta”. Çfarë përgjigje do t’u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? “Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij”.

 

* * * * *

NGA LIBRI I GJENEZËS 8:21-9:7.

Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: “Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë.

Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.

Pastaj Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij dhe u tha atyre: “Qofshi frytdhënës, shumëzoheni dhe mbusheni tokën. Dhe frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj. Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër; por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij. Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t’i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut.

Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.
Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të”.

 

* * * * *

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 11:19-12:6.

Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen. Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai. Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë. Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.

Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi. Ka nga ata që shpërndajnë bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu. Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.

Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t’i bjerë mbi të. Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe. Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra. Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë. Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!

Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla. Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija. Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë. Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij. Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.

Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t’i çlirojë.