NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 13:2-13.
Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave. Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time. Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë. Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.
Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit. Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet. Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.
Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj. Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.
Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve. Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit. Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.
* * * * *
NGA LIBRI I GJENEZËS 8:4-21.
Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit. Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.
Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë, dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë nëse ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës. Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka. Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai.
Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë. Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë. Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë: Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty. Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë”. Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij. Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka.
Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin. Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: “Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë.
* * * * *
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 10:31-11:12.
Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet. Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.
Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen. Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë. Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta.
Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja. Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij. Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.
Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet. I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin. Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre. Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi. Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim. Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.