– Ngjallja e Llazarit –
Këtë të shtunë nderojmë ngjalljen e Llazarit prej Jisu Krishtit. Llazari ishte shok i Krishtit dhe motrat e tij, Marta dhe Maria, e mikprisnin në shtëpinë e tyre shumë herë, e cila ndodhej në Vithani afër Jerusalemit. Disa ditë përpara pësimeve të Krishtit, Llazari u sëmur dhe të motrat e tij lajmëruan Zotin Krisht, i cili ndodhej në Galile që ta vizitonte. Por Zoti Krisht ndenji aty deri sa vdiq Llazari edhe atëherë u tha nxënësve të tij që të shkonin ta zgjonin.
Kur mbërriti në Vithani mori vesh prej motrave të Llazarit se ai kishte vdekur prej katër ditësh edhe kërkoi prej tyre që të shikonte varrin e tij. Kur arriti në varr qau edhe kërkoi që t’i hiqnin gurin e varrit. Atëherë ngriti sytë prej qiellit, falënderoi Perëndinë dhe Atin, dhe me zë të lartë thirri: Llazar, dil jashtë. Menjëherë doli jashtë i mbështjellë me pëlhura, prej katër ditësh në varr, përpara turmës së njerëzve, që shikonin ç’po ndodhte. Edhe Jisui kërkoi që ta lirojnë nga pëlhurat dhe të shkojë në shtëpi.
Tradita e vjetër na thotë se Llazari ishte 30 vjeç, dhe jetoi edhe 30 vjet të tjera. Ai mbaroi jetën e tij në Qipro, në vitin 63 pas Krishtit. Varri i tij në qytetin e Kition shkruan: “Llazari i katërditshmi dhe mik i Krishtit”. Në vitin 890 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Konstandinopojë nga perandori Leoni i Dituri.
Tradita na thotë se karakteristika që e dallonte Llazarin pas ngjalljes është se ai nuk qeshi asnjëherë, vetëm kur pa një njeri, i cili po vidhte një qyp balte dhe tha: “Balta po vjedh baltën”. Gjatë kësaj dite nuk bëhen përkujtimore të fjeturish me grurë, por vetëm trisagjio(Trisai).
* * * * *
– Hierodëshmor Ipati i Gangrës –
Ishte episkop i Gangrës, episkopatë e rëndësishme në Paflagoni, në veri të Azisë së Vogël, në kohën e shën Konstandinit të Madh. Mori pjesë në Sinodin e Nikeas (325) dhe me mësimet dhe shkrimet e tij të frymëzuara solli shumë heretikë në besimin e drejtë. Në çdo dioqezë ngriti kisha, në të cilat caktoi priftërinj të formuar. Ngriti dhe shtëpi bamirësie. Rrugëtimet e tij baritore i bënte me një mushkë i shoqëruar nga dy murgj.
Mënyra e jetesës së tij i përngjante shën Joan Pagëzorit dhe me gjithë përgjegjësitë si bari, jetonte në qetësi, si murg. Parapëlqente të tërhiqej në një shpellë, ku lutej e meditonte mbi Shkrimin e Shenjtë. Në qetësinë e shpellës i dha substancë shkrimeve të tij, dhe në veçanti komentit të Fjalëve të Urta të Solomonit, drejtuar një prej nxënëseve të tij fisnike, Gajanës.
Pas leximit të librit ajo pati një transformim kaq rrënjësor, sa shpërndau tërë pasurinë tek të varfrit. I ndihmonte besimtarët edhe me të mira materiale. Fama e tij si çudibërës arriti deri tek perandori Konstant (352-360), i cili e thirri Ipatin në Konstandinopojë dhe i kërkoi ta çlironte nga një dragua i tmerrshëm që qëndronte para dyerve të thesarit perandorak dhe ndalonte hyrjen. Sapo shenjtori u shfaq para dragoit, i lëshoi në gojë shkopin e tij dhe thirri emrin e Zotit tonë Jisu Krisht. E tërhoqi bishën dhe e hodhi në zjarrin që ishte bërë gati për të.
Në shenjë mirënjohjeje, Konstanti gdhendi fytyrën e shenjtorit në portën e thesarit dhe e çliroi Gangrën nga taksat vjetore; por edhe pse kishte simpati për shenjtorin, nuk hoqi dorë nga herezia ariane.
Kur po kthehej, Ipati u kap në një pritë të ngritur nga skizmatikët novatianë, që e urrenin. Ata e goditën me gurë, me shkopinj e me shpata. Gjysmë i vdekur, shenjtori gjeti pak fuqi për të thënë këto fjalë: “Zot, mos ua llogarit për mëkat” (Vep. 7.60). Një grua mori një gur dhe e qëlloi për vdekje. Vrasësit e fshehën trupin e tij në kashtë dhe u larguan.
Pas pak kohësh, pronari i arës erdhi për të marrë kashtën e t’ua hidhte kafshëve, por dëgjoi zëra engjëllorë që psalnin dhe një dritë mbulonte vendin ku prehej trupi i shenjtorit. Banorët e Gangrës erdhën dhe e morën trupin e bariut të tyre dhe e vendosën në një arkë. Vrasësja, pasi e qëlloi me gur shenjtorin, u demonizua, por u shërua kur preku lipsanin e tij. Varri i shën Ipatit u bë burim mrekullish.
* * * * *
– Oshënar Inocenti i Moskës, ndriçues i Alaskës –
Ky apostull i Botës së Re lindi në vitin 1797, në një fshat të vogël të distriktit të Irkutskut, në Siberi. U adoptua nga xhaxhai pasi i vdiq i ati dhe gjatë studimeve tregoi jo vetëm një inteligjencë të gjallë, por edhe shkathtësi për punët teknike, më në veçanti për rregullimin e orëve dhe në mjeshtërinë e marangozit; dhe që fëmijë e deri në ditët e fundit të jetës, kurrë nuk e panë pa punë.
U hirotonis prift pak pas martesës dhe filloi një jetë premtuese si prift i famullisë së Irkutskut, ndërkohë që në vitin 1823 erdhi nga Sinodi i Shenjtë urdhri për të dërguar një misionar në Alaskë. Kjo ftesë nuk e preku në fillim atë Joanin, i cili kurrë s’kishte ëndërruar të shkonte në mision të largët; por kur një kolon rus, i cili kishte kaluar gjithë jetën e tij në atë krahinë me vjeshtë të përhershme, i foli për devotshmërinë e aleutëve dhe për dëshirën që këta kishin për të dëgjuar fjalën e Perëndisë, zemra iu ndez nga zelli apostolik dhe vendosi të nisej në Amerikë me gjithë familjen e tij.
Pas udhëtimit prej 14 muajsh mes përmes Siberisë, ata arritën në ishullin e Unalaska, ku gjetën vetëm një kishëz të rrënuar. Megjithëse shumë nga banorët ishin pagëzuar nga misionarët e mëparshëm, shumica ende nuk njihnin të vërtetat elementare të Ungjillit dhe jetonin në degradim moral. Atë Joani e nisi duke ndërtuar një kishë me duart e veta, i ndihmuar nga disa vendës; atyre u mësonte teknikat e ndërtimit dhe në të njëjtën kohë u bënte edhe katekizëm. I duruar dhe me dashuri atërore, mësoi me shpejtësi gjuhën dhe filloi të përkthente tekstet liturgjike dhe perikopetë e Ungjillit që lexoheshin në kishë.
Vraponte kudo, ishull më ishull, duke lundruar me varkat delikate, duke predikuar, pagëzuar dhe duke zbuluar pasurinë e florës dhe të faunës të atyre krahinave ende të panjohura. Gjatë katër viteve të para të qëndrimit të tij, pati më shumë kohë të hartonte gramatikën e parë të gjuhës aleute, deri atëherë e pashkruar, dhe mundi të përkthente dhe të botonte ungjijtë, katekizmin, shumë lutje dhe një libër që e kishte shkruar vetë Udha drejt Mbretërisë së Qiejve: vepër e thjeshtë dhe e thellë, në të cilën ai tregon se udha e hapur nga pagëzimi është e vetmja që të drejton me siguri në gëzimin e përjetshëm me Krishtin. Ky libër u shpërnda gjerësisht (47 botime) dhe u përkthye në shumë gjuhë.
Tregojnë se kur mbërriti për herë të parë në një ishull gjatë udhëtimeve të tij hierapostolike, u befasua kur pa se gjithë populli kishte dalë dhe priste në breg. Një i moshuar, i cili konsiderohej si shaman për shkak të shërimeve që kryente, u kishte parathënë atyre një vit më përpara ardhjen e hierapostullit. Që kur ishte pagëzuar, tridhjetë vjet më përpara, ky njeri kishte mësuar tërë të vërtetat e besimit nga dy engjëj që i shfaqeshin vetëm atij. Të dyja qeniet qiellore e kishin mësuar të lutej me mendje dhe me zemër të pastër dhe i kishin dhënë fuqinë të kryente mrekulli.
Pas dhjetë vitesh punë hierapostolike, si nuk mbeti asnjë idhull në krahinën e Unalaskës, atë Joani shkoi në Sitka, që atëherë quhej Arkangjelsku i Ri, ngulitje koloniale e vendosur në territorin e fisit luftarak të indianëve Tlingits. Këta, të nxitur me urrejtje nga shamanët, kishin masakruar shpesh kolonët rusë dhe atje ungjillëzimi kishte qenë i pamundur. Atë Joani filloi të studionte gjuhën dhe zakonet vendase dhe zbuloi se kishin një kulturë të pasur. Një epidemi lije ishte porta që hapi Providenca, që ky popull të pranonte fjalën e Perëndisë. Më shumë se gjysma e popullsisë indiane kishte humbur jetën në këtë epidemi dhe kur panë se rusët nuk u prekën, pranuan pak nga pak të vaksinoheshin.
Suksesi i menjëhershëm i mjekësisë i bëri më të shtruar dhe më të respektueshëm ndaj rusëve dhe atë Joanin e pritën me shumë nderim. Ata shihnin shërbesat që ai kryente dhe e pyetnin për jetën pas vdekjes, aq sa ziheshin se kush e kush ta merrte i pari në shtëpi. Filluan ta nderonin kaq shumë sa një ditë, kur atë Joani vizitoi një familje, një vendas hodhi në zjarr një kuti të gdhendur mjeshtërisht, që të ngrohej njeriu i Perëndisë.
Kur u kthye në Sitka, atë Joani u mor me punimet e kishës së Kryeengjëllit Mihail, katedralja e tij e ardhshme dhe përveç punëve letrare, përkthimeve dhe shënimeve që mbante gjatë udhëtimeve, gjente ende kohë për punët e mobilierisë, të mekanikës dhe madje të ndërtimit të instrumenteve të muzikës. Këto punë dore nuk ishin për të vetëm zbavitje personale, por e afronin më shumë misionarin me popullin, ato ishin një mjet i fuqishëm i predikimit dhe u lejonte vendësve që të fitonin ndërkohë edhe një zanat.
Përveç kësaj, një nga shqetësimet e atë Joanit ishte edhe ngritja e shkollave, duke i furnizuar nxënësit me manualë shkollorë dygjuhësh, në rusisht dhe në tlingit, të cilat i kishte hartuar vetë.
Vepra hierapostolike po zgjerohej dhe kërkonte të përforcohej nga priftërinj të tjerë dhe të ndërtoheshin kisha dhe shkolla në vende të tjera të gadishullit. Në këtë perspektivë, atë Joani u nis në Rusi në 1838. Kur arriti atje, ndërsa priste mbledhjen e Sinodit të Shenjtë në Shën Petërburg, shkoi edhe në Moskë për të takuar mitropolitin Fillaret, figurën më domethënëse të Kishës Ruse në atë epokë, i cili i shfaqi menjëherë miqësinë e tij të ngrohtë dhe i tha Joanit se kishte personalitetin e një apostulli.
Tregimet e udhëtimeve të atë Veniaminovit dhe përshkrimi i zakoneve të banorëve të Alaskës tërhoqën vëmendjen e qarqeve të ndryshme dhe Sinodi i Shenjtë, tepër i impresionuar, vendosi ta ngrinte në rangun e kryepriftit dhe të vazhdonte misionin. Ndërkohë i vdiq e shoqja, dhe nën presionin e mitropolitit Fillaret, veshi skimën murgërore dhe edukimi i fëmijëve të tij u krye nga Kisha. Në vitin 1840, pas një takimi me carin Nikolai I-rë, ai u hirotonis episkop për Kamçatkën dhe Alaskën, me emrin Inocenti i Irkutskut (26 nëntor).
Kur u kthye në Sitka, pas tre vjetësh mungesë, episkopi i ri, i cili kishte sjellë me vete bashkëpunëtorë dhe dhurime të rëndësishme, nisi menjëherë ndërtimin e kishave dhe të shkollave. Themeloi një seminar në Sitka dhe u nis në një udhëtim të gjatë për të vizituar dioqezën e tij të pamasë, duke filluar nga ishulli Kodiak, më herët i shenjtëruar nga shën Gjermanoi.
Për tre vjet vrapoi për më shumë se pesë mijë kilometra përmes hapësirave të akullta dhe shpesh të paeksploruara të Kamçatkës, vetëm me një bashkëpunëtor, një slitë të tërhequr nga disa qen ose dhe vetëm më këmbë, në privime dhe në të ftohtin ekstrem. Ecja e karvanit shpesh ndërpritej nga stuhi dëbore, që i detyronin misionarët dhe udhërrëfyesit e tyre të gërmonin një strehë në dëborë dhe të prisnin për një javë derisa të pushonte.
Episkopi i duroi të gjitha këto vështirësi me durimin e apostujve, duke shkuar në strehët e vendësve, atje ku ata banonin në tenda prej mështekne, duke i shërbyer njëri-tjetrit, dhe duke organizuar kudo që shkonin kisha dhe shkolla. Në vitin 1850, zona e Jakutskut iu bashkua dioqezës së tij dhe ai mori rangun e kryepiskopit, me juridiksion mbi më shumë se dyqind mijë shpirtra. Filloi të mësonte dialektin jakut dhe vazhdoi udhëtimet e tij deri në zemër të shkretëtirës siberiane.
Kur lexoi për herë të parë ungjillin e Liturgjisë në gjuhën jakute, banorët ishin shumë të lumtur dhe morën lejë që këtë datë ta fusnin në kalendarin e të kremteve të Kishës. Zelli apostolik thellë në zemrën e tij, e shtynte të vizitonte zonat më të thella, në mënyrë që të realizohej fjala profetike: “Në gjithë dheun doli zëri i tij dhe fjalët e tij në skajet e botës” (Ps. 18.5).
Në vitin 1857, mori pjesë në Sinodin e përgjithshëm të episkopëve të Shën Petërburgut, gjatë të cilit dy episkopë u caktuan për ta ndihmuar në punën e tij, njëri për Jakutskun dhe tjetri për Sitkan. Gjatë udhës së kthimit, vendosi të vazhdonte hierapostullimin përgjatë bregut të lumit Amur, duke themeluar famulli në pjesët më të humbura të Mançurisë dhe kështu e hapi Kinën për mision përmes Veriut. Ndalonte në çdo fshat për të celebruar shërbesat, duke pasur dhembshuri për të vobektët, të mjerët dhe nevojtarët.
Më 1862, e transferoi fronin e tij në Blagovehçensk, me synimin për të jetuar gjithnjë atje. I sëmurë nga sytë pas qëndrimit të gjatë në bardhësinë e borës dhe i sfilitur nga lodhja, tashmë i plakur, Inocenti mendonte t’i kërkonte Sinodit të Shenjtë të tërhiqej në një manastir, që t’i mbyllte ditët në paqe; por nuk ndodhi kështu. Ai u caktua të pasonte mitropolitin Fillaret, i cili sapo kishte vdekur, si Primat i Kishës Ruse.
Gjatë dhjetë viteve që kurorëzuan karrierën e tij, shenjtori misionar i dha Kishës Ruse një vrull të ri, duke riorganizuar shkollat dhe institucionet bamirëse, duke goditur formalitetet burokratike, dhe mbi të gjitha, duke riorganizuar Shoqërisë Ruse të Hierapostolive, pasi këto ishin zhvilluar së shumti në fund të shekullit të XIX-të. U verbua plotësisht, por nuk mori nga cari autorizimin për të dhënë dorëheqjen, ndaj vazhdoi të merrte pjesë aktivisht në administrimin e Kishës dhe të celebronte Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesat e tjera. Dorëzoi shpirtin e tij apostolik te Zoti në 1897, pak para kremtimit të shërbesës së Pashkës.
Për pesëdhjetë e tetë vjet shën Inoçenti kishte qenë “shërbëtor i Jisu Krishtit pranë paganëve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të Ungjillit të Perëndisë, me qëllim që përmes tij paganët të bëhen një ofrim i pëlqyeshëm dhe i shenjtëruar në Shpirtin e Shenjtë” (Rom. 15.16).