– Profeti Joad –
Profeti i shenjtë Joad jetoi në epokën kur Jeroboami sapo kishte provokuar ndarjen mes mbretërive të Izraelit (Samaria dhe Juda, 963-942 para Jisu Krishtit). Zoti e dërgoi pranë Jeroboamit, i cili sakrifikonte në atë moment në altarin që kishte bërë vetë. Joadi e mallkoi shenjtëroren dhe shpalli lindjen e të drejtit Josias, i cili do të rivendoste nderimin e Perëndisë së vërtetë.
Mbreti shtriu dorën për të kapur njeriun e Perëndisë, por kjo u tha dhe altari u rrëzua, sipas profecisë së Joadit. Pasi shëroi dorën e mbretit dhe refuzoi tërë dhuratat, profeti u kthye në vendin e tij përmes një udhe tjetër. Por, u gënjye nga një profet i rremë i Bethelit, i cili pretendonte se ishte dërguar nga një engjëll dhe pranoi ftesën e këtij të fundit, me gjithë urdhrin që Perëndia i kishte dhënë që të mos hante asgjë gjatë rrugës. Për këtë mosbindje gjatë udhës u vra nga një luan. Bisha, duke pasur respekt për trupin e njeriut të Perëndisë, nuk e hëngri, por i ndenji pranë bashkë me gomarin e profetit, derisa erdhi profeti i rremë dhe e varrosi (III Mbret. 13).
* * * * *
– Oshënar Joani i Shkallës –
Ky njeri hyjnor me sa duket lindi në gjysmën e dytë të shekullit të VI-të; por nuk dihet asgjë lidhur me atdheun dhe origjinën e tij, pasi që në fillim të mohimit të botës, u kujdes të jetonte si i huaj: “Mërgimi vullnetar, shkruan ai, është ndarja nga çdo gjë, me qëllim që mendimi ynë të bëhet i pandashëm nga Perëndia” (III, 3). Dimë vetëm se që në moshën 16-vjeçare, pasi mori një formim intelektual solid, nga dashuria për Perëndinë hoqi dorë nga të gjitha joshjet e kësaj jete të kotë dhe shkoi në Malin Sina, aty ku Perëndia i zbuloi qëmoti Moisiut lavdinë e tij, dhe ky iu ofrua Zotit me zemër të zjarrtë si therore erëmirë.
Që kur hyri në stadium, me anën e përulësisë jo të shtirur e la mënjanë besimin te vetja dhe çdo kënaqësi dhe iu nënshtrua trup e shpirt një jerondi me emrin Martirios. I lirë nga çdo përkujdesje u angazhua në ngjitjen e kësaj shkalle shpirtërore (klimaks), në majë të së cilës qëndronte Perëndia dhe që çdo ditë të shtonte: “zjarr mbi zjarr, nxehtësi mbi nxehtësi, dëshirë mbi dëshirë dhe zell mbi zell” (1, 46). Ai e shikonte bariun e tij si ikonë të gjallë të Krishtit (IV, 29) dhe, i bindur se ky duhet të jepte llogari për të para Perëndisë (IV, 33), kishte vetëm një shqetësim: të hidhte poshtë vullnetin e tij dhe të hiqte dorë nga çdo dallueshmëri para plotësisë së dallueshmërisë (IV, 3), në mënyrë që të mos kishte asnjë interval kohe mes urdhrave që Martirios i jepte, edhe atyre në dukje të paarsyeshme dhe zbatimit nga ana e tij. Pavarësisht këtij nënshtrimi të përsosur, Martirios e la për katër vjet si rishtar dhe e qethi murg në moshën 20-vjeçare, pasi i vuri në provë përulësinë.
Një nga murgjit e pranishëm atë ditë, i quajtur Strateg, paratha se ky murg i ri ishte thirrur të bëhej një nga yjet e mëdhenj të botës. Më pas, kur Martirios dhe dishepulli i tij vizituan Joan Savaitin, një nga asketët më të famshëm të asaj kohe, edhe ai, nuk i kushtoi vëmendje jerondit, por shkoi dhe i lau këmbët Joanit. Pasi u larguan, ai tha se nuk e njihte këtë murg të ri, por se me frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, kishte larë këmbët e igumenit të Sinait. E njëjta profeci u konfirmua edhe nga i madhi shën Anastas Sinaiti (21 prill), tek i cili kishin shkuar përsëri për vizitë.
Edhe pse i ri, Joani tregoi pjekurinë e një jerondi dhe dallueshmëri të madhe. Kështu një ditë, teksa e kishin dërguar në botë me një mision dhe u gjend në tryezë me njerëz të botës, preferoi në një farë mënyre të binte në lavdinë e kotë, duke ngrënë pak, sesa të binte në grykësi; pasi nga të dyja të këqijat, vlen më mirë të preferosh atë që është më pak e rrezikshme për të sapoardhurit në jetën murgërore (XXVI, 53).
Kaloi kështu pra 19 vjet në bindjen e lumur, i zbrazur nga çdo luftë me anën e lutjes të atit të tij shpirtëror; duke lundruar pa rrezik, duke fjetur, drejt portit të papasionshmërisë (IV, 3). Pas vdekjes së Martirios, Joani vendosi të ndiqte në vetmi ngjitjen e tij, mënyrë jetese e cila iu përshtatet vetëm një numri të vogël, atyre që u forcuan në shkëmbin e përulësisë, që u larguan nga njerëzit që të mos privoheshin për asnjë çast nga ëmbëlsia e Perëndisë (XXVII, 29). Nuk u angazhua në këtë udhë plot kurthe duke pasur besim te gjykimi vetjak, por në rekomandimet e një jerondi, Gjergj Asilaitit, i cili e mësoi për jetën hezikaste.
Zgjodhi për t’u ushtruar një vend të vetmuar, i cili quhej Thola dhe ndodhej pesë milje larg nga manastiri i madh, ku jo larg njeri-tjetrit jetonin edhe eremitë të tjerë. Qëndroi atje për dyzet vjet, i tretur nga dashuria për Perëndinë që sa vinte e rritej, pa u kujdesur për trupin, i lirë nga çdo kontakt me njerëzit, duke pasur si punë lutjen pa pushim dhe vigjilencën e zemrës, si engjëll veshur me trup.
Hante gjithçka që e lejon rregulli monakal, por në sasi të vogla, duke zbutur tiraninë e mishit pa i dhënë shkak lavdisë së kotë. Përmes vetmisë dhe tërheqjes, kishte bërë të vdiste furra e dëshirës për të mbledhur, e cila nën pretekstin e dashurisë dhe mikpritjes, i çon murgjit e pakujdesshëm në lakmi, dera e gjithë pasioneve (XIV, 38), dhe te dashuria për para, bijën e mungesës së besimit që çon në adhurimin e idhujve (XVI, 2). Ai triumfoi mbi përtacinë, kjo vdekje e shpirtit që sulmon kryesisht hezikastët (XIII, 4) dhe mbi plogështinë, me anën e kujtimit të vdekjes (XXVII, 36). Dhe përmes meditimit të të mirave të përjetshme të premtuara theu vargoin e trishtimit; ai njihte vetëm një trishtim: trishtimin që sjell gëzim dhe na bën të vrapojmë me zell në udhën e pendimit (VII), dhe që pastron shpirtin nga gjithfarë ndotjesh.
Çfarë i mbeti që të arrinte në përsosmëri (apathi)? Zemërimin e kishte mundur prej kohësh me shpatën e bindjes. Lavdisë së kotë, këtij gjembi me tri maja, që qëndron përherë i krekosur kundër luftëtarëve të devotshëm dhe që përzihet me të gjitha virtytet si shushunjë (XXI, 5), ia mori frymën me izolimin dhe sidomos me heshtjen. Dhe si çmim për punët e tij, të cilat i aromatizonte gjithnjë me qortimin e vetes, Zoti i kishte dhënë mbretëreshën e virtyteve, përulësinë e shenjtë dhe të çmuar: “ky hir i papërshkrueshëm në shpirt, ky thesar, emri i të cilit njihet vetëm nga ata që e kanë mësuar nga përvoja, dhe që mban Emrin e Vetë Perëndisë” (Matth. 11.29), (XXV, 3).
Meqë qelia e tij ishte afër të tjerëve, tërhiqej shpesh në një shpellë të largët, rrëzë malit, që e kishte kthyer në një paradhomë të qiellit me psherëtimat dhe lotët që i rridhnin nga sytë si burim i pasur, pa sforcim, dhe e transformonin trupin në një rrobë nusëroreje (VII, 20, 44). Nën efektin e këtij pikëllimi të lumur dhe lotëve të vazhdueshëm, e jetonte çdo ditë si festë (VII, 41) dhe ruante lutjen e vazhdueshme në zemër, e cila ishte bërë si kështjellë e padhunueshme për sulmet e mendimeve.
Ndonjëherë i ndodhte të ishte i ngazëlluar në frymë në mes të koreve engjëllore, pa e ditur se ishte në trupin e tij apo jashtë tij, dhe në liri të madhe i kërkonte atëherë Perëndisë t’i mësonte misteret e teologjisë (XXVII, 48). Kur dilte nga furra e lutjes, herë ndihej i pastruar si me zjarr, herë-herë shkëlqente nga drita (XXVIII, 54).
Flinte aq sa mjaftonte për ta mbajtur vigjilente mendjen në lutje, dhe para se të dremiste, lutej gjatë ose hidhte në letër frytin e meditimeve të tij me Shkrimet e frymëzuara.
Me gjithë kujdesin e madh që kishte gjatë këtyre viteve për t’i ruajtur virtytet e tij nga sytë e njerëzve, kur Perëndia gjykoi se kishte ardhur koha që të transmetonte tek të tjerët dritën që kishte fituar për ndërtimin e Kishës, Ai dërgoi te Joani një murg të ri, me emrin Moisi, i cili falë ndërhyrjes së asketëve të tjerë, arriti ta mposhtte rezistencën e njeriut të Perëndisë dhe të pranohej si dishepulli i tij.
Një ditë, kur Moisiu kishte shkuar të kërkonte diku larg tokë për kopshtin e tyre të vogël dhe ishte shtrirë nën një shkëmb të madh për t’u çlodhur, Joani pati në qelinë e vet një zbulim, se dishepulli i tij ndodhej në rrezik. Filloi të lutej dhe kur Moisiu u kthye në mbrëmje, i tregoi se kur po flinte, papritur kishte dëgjuar zërin e jerondit të tij ta thërriste, në çastin kur shkëmbi u shkëput dhe për pak do ta shtypte poshtë.
Lutja e Joanit kishte gjithashtu edhe fuqinë të shëronte plagët e dukshme e të padukshme. Kështu, ai çliroi një murg nga demoni i epshit, i cili e kishte shtyrë në zemërlëshim. Një herë tjetër ai bëri të binte shi. Por Perëndia shfaqi Hirin e tij tek ai kryesisht me dhuntinë e mësimdhënies shpirtërore. Duke u bazuar në përvojën personale, i mësonte lirshëm ata që e kërkonin, rreth kurtheve që u ngrihen murgjve në luftën që bëjnë kundër pasioneve dhe kundër princit të kësaj bote.
Mësimdhënia e tij nxiti edhe xhelozinë e disave, që shpifën për shenjtin, duke e konsideruar si llafazan dhe kryelartë. Megjithëse ndërgjegjen e kishte të paqtë, Joani nuk kërkoi të justifikohej, dhe që të mos linte asnjë pretekst për ata, e ndërpreu mësimdhënien për një vit të tërë, i bindur se ia vlente më mirë të mbante një paragjykim të lehtë, sesa të përkeqësonte fyerjen e të këqijve. Të gjithë banorët e shkretëtirës patën dobi nga heshtja e tij dhe nga kjo provë përulësie, dhe me kërkesën e shpifësve që u penduan, pranoi të priste përsëri vizitorë.
I mbushur me të gjitha virtytet e veprimit dhe soditjes dhe si arriti në majën e shkallës së shenjtë me fitoren e të gjitha pasioneve të njeriut të vjetër, Joani rrezatonte si yll në gadishullin e Sinait dhe të gjithë e admironin. Megjithatë, ai e konsideronte veten ende si fillestar dhe i etur për të mbledhur shembuj të jetës engjëllore, ndërmori një udhëtim në manastire të ndryshme të Egjiptit. Vizitoi në veçanti shumë manastire kinovi në krahinën e Aleksandrisë, një qiell tokësor i vërtetë, i cili drejtohej nga një bari i mrekullueshëm, që kishte dallueshmëri të palëkundur.
Ky komunitet ishte i mbledhur te Zoti me një dashuri të tillë, pa asnjë gjurmë familjariteti dhe fjale të kotë, aq sa murgjit zor se kishin nevojë për qortimet e igumenit të tyre, por e nxisnin njëri-tjetrin në vigjilencë gati hyjnore. Nga të gjitha virtytet e tyre, më e admirueshmja sipas Joanit, ishte se ushtroheshin që të mos e plagosnin në asgjë ndërgjegjen e ndonjërit vëlla (IV,15-17). Ai pati tepër dobi nga vizita që bëri në një metokio të po atij manastiri, që quhej ‘burgu’, ku jetonin në asketizëm të tejskajshëm dhe në demonstrimet më të jashtëzakonshme të pendimit, murgj që kishin mëkatuar rëndë të cilët përpiqeshin që të fitonin nëpërmjet veprave të tyre faljen nga Perëndia. Pa iu dukur e vështirë dhe e padurueshme, ky burg ishte në të kundërt për shenjtin një model i jetës monakale.
“Në fakt, shpirti që humbi besimin e parë, që e theu vulën e pastërtisë së tij dhe që bëri ç’të donte me thesaret e hirit, që u bë i huaj për ngushëllimet hyjnore, që e shkeli aleancën me Zotin, dhe që u plagos dhe u hidhërua me kujtimin e gjithë këtyre gjërave, ky shpirt, po them, jo vetëm që do të nënshtrohet me vullnetin e tij te këto mundime, por do të jetë fort i vendosur të vdiste në mënyrë të perëndishme nëpërmjet asketizmit, të paktën në qoftë se do t’i mbetej ende një shkëndijë dashurie dhe frike për Zotin” (V, 24).
Pas dyzet vjetëve qëndrimi në shkretëtirë, si një tjetër Moisi, ai u ngarkua nga Perëndia të merrte drejtimin e këtij Izraeli të ri dhe u bë igumen i manastirit, rrëzë malit të shenjtë. Tregohet se ditën e fronëzimit të tij ishin të pranishëm 600 pelegrinë dhe ndërkohë që të gjithë ishin të ulur për të ngrënë, panë mes tyre edhe profetin Moisi, veshur me tunikë të bardhë, që shkonte e vinte dhe u jepte me autoritet urdhra kuzhinierëve, ikonomëve, përgjegjësve të rezervave dhe të tjerëve.
Pasi depërtoi në errësirën mistike të soditjes, ky Moisi i ri kishte hyrë në sekretet e Ligjit shpirtëror dhe, duke zbritur nga mali, duke mos pasur pasion, me fytyrë të lavdëruar nga Hiri, ai u bë për të gjithë Bariu, mjeku dhe mësuesi shpirtëror, i cili, duke mbajtur në veten e tij librin e shkruar nga Perëndia, nuk kishte nevojë për libra të tjerë që t’u mësonte murgjve shkencën e shkencave dhe artin e arteve.
Igumeni i Raithosë, i cili kishte të njëjtin emër si Joani, dhe ishte informuar për mënyrën e mrekullueshme të jetës të murgjve të Sinait, i shkroi Joanit, duke i kërkuar që ta paraqiste atë në mënyrë metodike dhe të shkurtër, të nevojshme për ata që kanë përqafuar jetën engjëllore me qëllim që të fitojnë shpëtimin. Joani, që nuk dinte të kundërshtonte, shkroi atëherë përvojën e tij, “Tabelat e Ligjit shpirtëror”.
Ai e paraqiti këtë si një Shkallë me tridhjetë gradë, ashtu si Jakovi që pa dikur tek prehej (Gjen. 28.12). Në këtë esencë orthodhokse të jetës shpirtërore, e cila mbetet ndër shekuj udhërrëfyesi i shkëlqyer i jetës engjëllore si për murgjit ashtu edhe për laikët, Shën Joani nuk krijon rregulla, por përmes këshillave praktike, detajeve të zgjedhura me mençuri, me aforizma e enigma, shpesh edhe me humor, e fut shpirtin në betejën shpirtërore dhe në dallueshmërinë e mendimeve. Fjala e tij e shkurtër, e dendur dhe e mprehtë, depërton, si një shpatë, deri në thellësi të shpirtit, duke prerë pa kompromis çdo vetëpëlqim dhe duke shkuar deri në rrënjët e hipokrizisë e egoizmit. Duke i ngjarë fjalës së shën Grigorit në fushën e teologjisë, kjo fjalë është Ungjilli i vënë në praktikë, që i drejton me siguri ata që e mbushin shpirtin gjatë leximit këmbëngulës të tij, deri në portën e qiellit ku na pret Krishti.
Në fundin e ditëve të tij, i lumuri Joan caktoi që të drejtonte manastirin vëllain e tij Gjergjin, i cili edhe ai kishte përqafuar që në fillim jetën hezikaste. Në prag të vdekjes, Gjergji i tha Joanit: “Kështu po më braktis dhe po ikën! Megjithatë u luta që të më dërgosh mua të parin tek Zoti, sepse pa ty, nuk mund ta kullos këtë komunitet.” Por Joani e qetësoi dhe i tha: “Mos u pikëllo dhe mos u shqetëso. Nëse gjen hir para Perëndisë, nuk do të të lë ta mbyllësh vitin dhe do vish pas meje.” Dhe me të vërtetë, dhjetë muaj pas prehjes së Joanit, Gjergji u largua drejt Zotit.
* * * * *
– Oshënar Joani në pus –
Kur qeveritari Pompian mbërriti në krahinën e Sibistrës, rrëzë malit Taurus (Kapadoki), për të zbatuar urdhrat e Dioklecianit dhe të Maksimianit, Juliana, një vejushë e perëndishme, u fsheh bashkë me fëmijët e saj, Joanin dhe Thesmisian, që të mund t’i edukonte me besimin.
Kur Joani u bë 13 vjeç, shkoi një ditë vetë në kishë dhe atje takoi një njeri të huaj, i cili e këshilloi të tërhiqej në shkretëtirë, nëse donte të luftonte që të bëhej i barabartë me engjëjt. Pasi i tha lamtumirë të ëmës dhe i kërkoi të lutej për të, fëmija shkoi në krahinën e shkretë dhe të egër që shtrihet në drejtim të Armenisë. Pas dy ditëve takoi një eremit egjiptian, me emrin Farmuthios (11 prill), i cili e mbajti për një javë në shpellën e tij, për t’i mësuar parimet e jetës monakale.
Pastaj, i drejtuar nga një engjëll, Joani mbërriti tek një pus i thatë, i thellë rreth 50 metra, mbushur me gjarpërinj e zvarranikë të tjerë. Iu kujtua shembulli i patriarkut Josif dhe i profetit Daniel, Jeremia dhe Jonai, të cilët u strehuan në shpella duke parafiguruar zbritjen e Krishtit në ferr, ndaj fëmija bëri shenjën e kryqit dhe u hodh me besim në pus dhe arriti në fund i mbrojtur nga një engjëll. Atje qëndroi në lutje për dyzet ditë, në këmbë dhe me krahë të ngritur, pa ngrënë e pa pirë.
Engjëlli që kujdesej për Joanin e njoftoi Farmuthion se ku ishte fëmija dhe ai i solli ushqim qiellor. Pasi u përpoq më kot ta bindte që ta linte atë udhë ekstreme asketizmi, në fund e këshilloi që të bënte kujdes me kurthet e satanait dhe të armatosej me durim kundër plogështisë.
Pas një viti, tunduesi iu shfaq Farmuthios nën formën e një shërbëtori të dërguar nga e ëma për të kërkuar Joanin dhe e bindi jerondin të shkonte e t’i lutej shenjtorit të kthehej te familjarët, sepse ata vajtonin për humbjen e tij. Ai i tha: “Nuk e shikon se të gjitha betejat që bën janë shndërruar në hiç për hir të lotëve të nënës sate?”
Joani kishte marrë si dhuratë dallueshmërinë e shpirtrave, ndonëse ishte i ri, dhe iu përgjigj jerondit se duhej të largohej, sepse ishte bërë vegël e djallit dhe e ktheu mbrapsht në shpellë. Djalli vazhdoi ta sulmonte luftëtarin e Krishtit me mendimet rreth familjes, por Joani nuk u kushtoi rëndësi.
Kohë më vonë, satanai iu shfaq me pamjen e së ëmës dhe pastaj të së motrës e u përpoq ta prekte me lotët e tyre, por Joani e përbuzi duke këmbëngulur në lutje. Kjo betejë mbinjerëzore zgjati për dhjetë muaj.
Kur erdhi për të koha ta dorëzonte shpirtin te Mësuesi i luftës, historinë e tij ia tregoi Krisit, një asketi në Likaoni, i cili i ishte dërguar pranë nga Perëndia, që të merrte pjesë në varrimin e tij dhe pastaj fjeti në paqe. Krisi e mbuloi me pallton e tij trupin e shenjtorit dhe varrin ia mbuloi me një gur, i cili mbyllte grykën e pusit. Para se të largohej, mbolli atje një palmë, e cila mbiu përnjëherësh dhe u mbush me fruta. Ndonëse ky vend ishte dikur i thatë, u bë burim shërimesh për banorët e zonës.