NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 8:13-9:7.

 

Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj”. Ai do të jetë një shenjtërore, por edhe një gur pengese, një shkëmb pengimi për të dy shtëpitë e Izraelit, një lak dhe një kurth për banorët e Jeruzalemit. Midis tyre shumë persona do të pengohen, do të bien, do të bëhen copë, do të mbeten në lak dhe do të kapen.

Mbylle këtë dëshmi, vulose këtë ligj midis dishepujve të mi. Unë pres Zotin, që fsheh fytyrën e tij në shtëpinë e Jakobit, dhe kam shpresë tek ai. Ja, unë dhe bijtë që Zoti më ka dhënë jemi shenja dhe një parashikues në Izrael nga ana e Zotit të ushtrive, që banon në malin Sion.

Në rast se ju thuhet: “Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: “A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?”. Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë. Ai do të sillet nëpër vendin e tij i raskapitur dhe i uritur; dhe kur të jetë i uritur do të pezmatohet dhe do të mallkojë mbretin e tij dhe Perëndinë e tij. Do ta kthejë shikimin lart, pastaj do ta kthejë drejt tokës, dhe ja fatkeqësi, errësirë, terr plot me ankth, dhe do të shtyhet në terrin më të dëndur.

Por errësira nuk do të zgjasë gjithnjë mbi atë që tani është në ankth. Ashtu si në të kaluarën ai mbuloi me turp vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit, kështu në të ardhmen do ta mbulojë me lavdi tokën pranë detit matanë Jordanit, Galilenë e kombeve. Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.

Ti e ke rritur kombin, ke shtuar gëzimin e tyre; ata gëzohen para teje ashtu si gëzohet dikush në korrje dhe ashtu si gëzohet kur ndahet plaçka e luftës. Sepse ti ke thyer zgjedhën që rëndonte mbi të, shkopin mbi kurrizin e tij dhe shufrën e atij që e shtypte, si në ditën e Madianit. Sepse çdo këpucë luftëtari në përleshje dhe çdo mantel i rrëkëllyer në gjak, do të caktohet të digjet dhe do të jetë eshkë zjarri. Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.

 

NGA LIBRI I GJENEZËS 6:9-22.

 

Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë. Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin.

Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë. Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.

Dhe Perëndia i tha Noeut: “Kam vendosur t’i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t’i zhduk bashkë me tokën. Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.

Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë. Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm.

Dhe ja, unë vet kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur. Por unë do të caktoj besëlidhjen time me ty dhe ti do të futesh në arkën: ti, fëmijët e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu. Dhe nga çdo gjë që jeton prej çdo lloj mishi fut në arkë dy nga çdo lloj, për t’i ruajtur me vete gjallë bashkë me ty; dhe të jenë mashkull dhe femër.

Nga zogjtë, nga bagëtia dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti, që të ruhen gjallë. Dhe merr për vete nga çdo ushqim që hahet, grumbulloje dhe ruaje, në mënyrë që të shërbejë si ushqim për ty dhe për ata”. Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.

 

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 8:1-21.

 

A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.

Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.

Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të. Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.

Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.

Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë. Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.