NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 7:1-14.
Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë. Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: “Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim”. Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.
Atëherë Zoti i tha Isaias: “Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit, dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut. Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë: Të dalim kundër Judës, ta tmerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit”.
Kështu thotë Zoti: “Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur, sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë copë dhe nuk do të jetë më popull. Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm”.
Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha: Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë. Por Ashazi u përgjigj: “Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin”. Atëherë Isaia tha: “Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është, vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim? Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.
NGA LIBRI I GJENEZËS 5:32-6:8.
Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.
Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza, djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë. Dhe Zoti tha: “Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet”. Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.
Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet. Kështu Zoti tha: “Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar”. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 6:20-7:1.
Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate. Kur të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty. Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës, për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.
Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. Sepse për një grua immorale burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri. A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij? Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur; por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.
Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë. Sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t’i bëjnë shumë dhurata.
Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde.