UNGJILLI – Llukai 1:24-38
Edhe pas këtyre ditëve Elisabeta, gruaja e tij, u mbars; edhe e fshihte veten pesë muaj, duke thënë se kështu bëri Zoti për mua në ditët që më hodhi sytë e tij, që të heqë përgojimin tim në mes njerëzve. Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gabriel u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, me emrin Nazaret, te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; edhe emri i virgjëreshës ishte Mariam.
Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplotë. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave. Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; edhe mendohej, ç’të jetë vallë kjo përshëndetje? Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë. Edhe ja tek do të mbarsesh, edhe do të lindësh bir, edhe do ta quash emrin e tij Jisu. Ky do të jetë i madh, edhe Bir i të Lartit do të quhet; edhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit për jetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim. Edhe Mariama i tha engjëllit: Si do të jetë kjo, sepse s’njoh burrë?
Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty, edhe fuqia e të Lartit do të të hijesojë; prandaj edhe shenjti që do të lindë do të quhet Bir Perëndie. Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo u mbars me bir në pleqëri të saj, edhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhej shterpë. Sepse s’ka gjë të pamundur për Perëndinë. Edhe Mariama tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë tek unë sipas fjalës sate. Edhe engjëlli iku prej saj.