– Ungjillëzimi i Hyjlindëses (Vangjelizmoi) –

 

Në këtë ditë, e cila vjen pas ekuinoksit pranveror, ndërkohë që errësira e natës është në kufirin e shtrirjes së saj dhe fillon t’ia lërë vendin dritës, Kisha kremton zënien e Zotit tonë Jisu Krisht dhe zbritjen, në këtë botë plot errësirë, të Diellit të Drejtësisë, që ktheu lëvizjen e kohës dhe të historisë dhe me zbritjen te vdekja kreu një ngjitje drejt pranverës përfundimtare të përjetësisë.

Duke qenë rrënja dhe parimi i të gjitha festave të tjera të Zotit, përmes të cilave kremtojmë çdo vit çlirimin tonë, e kremtja e Ungjillëzimit duhet të kremtohet gjithnjë në të njëjtën datë, sepse sipas një tradite të vjetër, në muajin mars bota u krijua nga Perëndia, dhe pikërisht në 25 mars Adami, i gënjyer nga premtimi i gjarprit për t’u bërë perëndi, shkeli porosinë hyjnore dhe u nxor jashtë nga Parajsa. Ishte e nevojshme që shërimi i natyrës sonë të kryhej ashtu si një krijim i dytë, me të njëjtat mjete dhe në të njëjtat ditë si me atë të rënies sonë. Dhe sikurse gjinia njerëzore iu nënshtrua vdekjes me mosbindjen e Evës, në pranverën e botës, i binte që ajo të çlirohej në muajin mars, me bindjen e Virgjëreshës.

Duke e zhvilluar në mënyrë të mrekullueshme këtë doktrinë të përputhjes në Ekonominë e Shpengimit, shën Irineu i Lionit shkruan: “Sikurse ajo (Eva) u mashtrua nga fjalët e një engjëlli, që t’i shpëtonte Perëndisë duke shkelur fjalën e tij, kështu edhe kjo (Maria) mori lajmin e mirë nga një engjëll, që të mbante Perëndinë duke iu bindur fjalës së tij; dhe ashtu si ajo u mashtrua që të mos i bindej Perëndisë, kështu edhe kjo iu bind fjalëve të engjëllit që t’i bindej Perëndisë, që prej Evës së virgjër, Virgjëresha Mari të bëhej mbrojtësja jonë; dhe ashtu si gjinia njerëzore i ishte nënshtruar vdekjes nga një e virgjër, ajo u çlirua nga një e virgjër, mosbindja e një virgjëreshe u balancua me bindjen e një virgjëreshe”.

Pas rënies sonë, duke duruar në zemërgjerësinë e tij të pafund, Perëndia kishte përgatitur pak nga pak njerëzimin, nga brezi në brez, me ngjarje të lumtura dhe fatkeqe, për kryerjen e Misterit të Madh që ishte fshehur para gjithë shekujve: Mishërimi i Fjalës. Ndonëse e dinte, që më përpara, se natyra njerëzore do të ishte faji i njeriut dhe i pasojave të tij tragjike, duke pasur si qëllim këtë mister, ai e krijoi gjithashtu natyrën njerëzore, që të përgatiste një Nënë, e cila përmes bukurisë së shpirtit të saj të pacenuar, e stolisur me të gjitha virtytet, do të tërhiqte mbi veten vështrimin e të Tërëfuqishmit duke u bërë nusërore e Fjalës, ena e Atij që i mban të gjitha, Pallati i Mbretit të Qiellit dhe mbarimi i planit të tij hyjnor.

Gjashtë muaj pas ngjizjes së mrekullueshme të atij që duhet të ishte në çdo gjë Pararendësi i Shpëtimtarit (Lluk. 1:17), Gabrieli, Kryeengjëlli i mëshirës (8 nëntor), u dërgua nga Zoti në Nazaret të Galilesë, pranë Virgjëreshës Mari, e cila pasi doli nga Tempulli, ishte fejuar me të drejtin dhe me të pastrin Josif, që të ishte kujdestar i virgjërisë së saj. Duke ardhur në shtëpi papritur, me pamje njeriu dhe me një shkop në dorë, engjëlli e përshëndeti Hyjlindësen, e cila do të bëhej ngushëllimi i lotëve të Evës, duke thënë: “Gëzohu, o Hirplote, Zoti është me ty!” (Lluk. 1:28).

Para kësaj shfaqjeje të çuditshme Virgjëresha la çikrikun dhe, e trazuar nga këto fjalë të të patrupit, pyeti me vete mos ndoshta ky lajm gëzimi ishte, ashtu si për Evën, ndonjë mashtrim tjetër nga ana e atij që di të shndërrohet në engjëll drite (II Kor. 11:14).

Por Engjëlli e siguroi dhe i tha: “Mos ki frikë Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Mos u frikëso me pamjen time të çuditshme dhe nga këto fjalë gëzimi. Dikur, nga mashtrimi i gjarprit, natyra jote u dënua për dhimbje dhe rënkime, ja tek do të ngjizesh e do të lindësh bir, duke u përmbushur në ty edhe parathënia e profetit Isaia që thoshte: Ja Virgjëresha do të mbetet me barrë dhe do të lindë bir! Dhe do ta quash me emrin Jisu që do të thotë Shpëtimtar. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i të Shumëlartit”.

Para këtyre fjalëve të padëgjuara, Virgjëresha thirri: “Si do të ndodhë kjo kur unë s’njoh burrë?”. Ajo nuk dyshoi për fjalën hyjnore duke treguar mosbesim, si Zaharia, i cili u dënua për këtë duke mbetur i pagojë (Lluk. 1:20), por pyeti se si do të ndodhte ky mister tek ajo që nuk njihte bashkim burri, sipas ligjit të riprodhimit të gjinisë njerëzore. Engjëlli e kuptoi atë që ajo i tha, nuk e qortoi, por i shpjegoi mënyrën e re të kësaj lindjeje. “Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty; mbi atë e cila ishte plot hir, duke u përgatitur për ardhjen e Tij, dhe fuqia e të Shumëlartit do të të hijesojë”.

Pastaj, duke i kujtuar Elisabetën, e cila quhej “shterpë”, dhe që do të ngjizte bir në pleqëri të saj, i tregoi se atje ku do Perëndia, mposhtet ligji i natyrës, dhe e siguroi se me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë tek ajo, do të kryhej mrekullia më e madhe se vetë krijimi i botës, dhe se duke i ulur qiejt, Mbreti i universit, Ai që mban çdo gjë, do të zbrazte veten (Fil. 2:7) përmes denjimit të pamatshëm, që të banojë në mitrën e saj, të përzihet në një bashkim pa trazim me natyrën njerëzore, të vishet me mish, të ngjyrosur me gjakun e saj virgjëror, si purpur mbretëror.

Duke e ulur përulësisht shikimin e saj drejt tokës, dhe duke e bashkuar tërë vullnetin e saj me planin hyjnor, Virgjëresha iu përgjigj: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë tek unë sipas fjalës sate!”.

Me këto fjalë ajo pranoi, dhe bashkë me të edhe mbarë natyra njerëzore, ardhjen tek ajo të fuqisë hyjnore që u transmetua nga fjalët e Engjëllit. Dhe po në atë çast u krye ngjizja e Shpëtimtarit. Biri i Perëndisë u bë bir njeriu, një Person i vetëm në dy natyra. Perëndia vesh natyrën njerëzore dhe e Virgjra me plot vërtetësi bëhet me të vërtetë Nëna e Perëndisë (Hyjlindëse), që përmes këtij shkëmbimi të veçorive të natyrshme, njerëzit e çliruar nga ferri, të mund të bëhen bij të Perëndisë përmes hirit.

Përmbushja e misterit të Mishërimit, fshehur edhe nga Engjëjt, nuk ishte vetëm vepra e Atit, në mirësinë e Tij, e Birit që zbriti nga qiejt, dhe e Shpirtit që mbuloi Virgjëreshën me hijen e Tij, por Zoti priste që ajo grua e zgjedhur ndër gratë të merrte pjesë me pranimin e saj të lirë e të vullnetshëm, në mënyrë që Çlirimi i gjinisë njerëzore të ishte vepra e përbashkët e vullnetit të Perëndisë dhe e besimit të njeriut.

Ky Mister i Madh, përgatitur që prej krijimit të botës, ndodhi nga bashkëpunimi i lirë (sinergjia) i njerëzimit me planin hyjnor. Perëndia u bë njeri, që njeriu të bëhet perëndi, dhe Virgjëresha, Nusja e Panusëruar, u bë për natyrën tonë të ripërtërirë burimi dhe shkaku i të gjitha të mirave.

Në vende të tjera, e parafiguruar nga profetët si Ferra e zjarrtë që nuk digjej (Eks. 3:1-14), si Mal i palatuar (Dan. 2), si Porta e pakaluar ku hyri vetëm Perëndia (Jez. 44:2), Nëna e Perëndisë është Shkalla e gjallë (Gjen. 28:10-17) prej së cilës zbriti Perëndia dhe u lejoi njerëzve të ngjiten në qiell. Ajo i çeli gjinisë njerëzore një udhë të re jete: virgjërinë, falë së cilës trupi i çdo njeriu, në gjurmët e së Tërëshenjtës, është thirrur të bëhet tempull i Perëndisë (I Kor. 3:16; 6:19).

Dhe mbarë krijesa, që më përpara iu nënshtrua prishjes nga faji i njeriut, ishte në pritje të kësaj “Po!” të Virgjëreshës, e cila shpallte fillimin e çlirimit të saj. Për këtë arsye, qielli dhe toka të bashkuar, formojnë një kor për këtë të kremte sot bashkë me bijtë e Adamit, për të lavdëruar Perëndinë dhe për të nderuar ngjizjen e Nënës së Tij të panusëruar.