– Hierodëshmor Artemoni i Seleucisë –

 

Lindi në një familje fisnike të qytetit të Seleucisë në Pisidi. Kur apostull Pavli gjatë udhëtimeve të tij hierapostolike për të predikuar Lajmin e Mirë kaloi në këtë qytet, Artemoni vendosi me gjithë zemrën e tij ta ndiqte dhe, duke lënë pas çdo preokupim apo lidhje, u bashkua me grupin e dishepujve që ndiqte apostullin. Kur shën Pavli u nis me anije për në Qipro (Vep. 13:4), edhe Artemoni shkoi pas tij dhe duroi vuajtje të panumërta për t’u çuar të gjithëve mesazhin e shpëtimit. Kur u burgos e u lidh me zinxhirë Apostulli, edhe Artemoni u lidh me zinxhirë bashkë me të; kamxhikuan Pavlin, kështu pësoi edhe Artemoni, duke plotësuar në trupin e tij mungesën e shtrëngimeve të Krishtit (Kol. 1:24).

Pas pak kohësh, Artemoni u caktua nga Apostulli si episkop i vendlindjes, i Seleucisë. Që atëherë, i lumuri Artemon u bë mbrojtësi i të vejave, ati i jetimëve, liman shpëtimi për të gjithë sa ishin në rrezik, mjeku i shpirtrave dhe i trupave, streha e të pastrehëve, duke e bëre veten tek të gjithë të gjitha, sipas shembullit të mësuesit të tij apostull Pavlit (1 Kor. 9:22). Kujdes të veçantë i kushtoi edukimit të klerit të tij. Kremtonte çdo ditë Liturgjinë Hyjnore para grigjës së tij. Fjeti në paqe në moshë të thyer.

 

* * * * *

– Hierodëshmor i ri Partheni i Konstandinopojës –

 

Shën Partheni ishte me origjinë nga Mitilini dhe u shqua për devotshmërinë dhe aftësitë e tij intelektuale, që e bënë një nga njerëzit më të arsimuar të brezit të tij. Pasi u ngjit nëpër shkallët e hierarkisë kishtare, u dorëzua episkop i Hios në vitin 1630 dhe disa vite më vonë, më 1656, u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë Patriark i Kostandinopojës, me emrin Partheni III.

Por djalli nuk e lejon për shumë kohë bariun e mirë në krye të grigjës. Komploti që kishte çuar para disa kohësh në vdekjen e Patrikut Kiril Loukaris (1638), hapi rrjetat e tij përreth klerikut paqedashës dhe ai u akuzua para Portës së Lartë se bashkëpunonte me Princin e Vllahisë, për një komplot kundër Perandorisë Otomane. Kësaj akuze, e cila bazohej në interpretimin e shtrembëruar të një letre dërguar princit rumun nga Patriarku, për t’i kërkuar ndihmë ekonomike, iu shtua një denoncim i bërë nga Princi i Tartarëve, i cili duke parë se një nga Mitropolitët nderohej shumë në oborrin Kozak në Rusinë jugore, kishte arritur në përfundimin se mund të ishte një agjent i Patriarkut, që kishte shkuar në Rusi për të thurur komplot kundër turqve.

Patriarku u urdhërua të dilte përpara Vezirit, ku pa vështirësi hodhi poshtë akuzat e pabaza. Pavarësisht nga kjo, ai u dënua me vdekje, me akuzën e komplotit kundër Portës së Lartë. Kur Patriarkut i sugjeruan që në këmbim të jetës të konvertohej në fenë islame, pohoi se ishte i gatshëm të vuante çfarëdo lloj vdekje për Zotin e tij Jisu Krisht. I duroi torturat me vendosmëri, i mbushur me gëzim teksa shihte të ndodhnin në trupin e tij Pësimet e Krishtit ditën para Javës së Madhe. E varën publikisht në të Shtunën e Llazarit, në vitin 1657.

Për tri ditë dhe tri net, fytyra e tij shndriste nga një dritë hyjnore. Më pas trupin e hodhën në det, por të krishterët e gjetën dhe i bënë një varrim të denjë në një nga ishujt pranë Konstandinopojës.