– Dëshmor Nikoni e 199 nxënësit e tij –

 

Ati ynë i shenjtë Nikon lindi në shekullin e III-të në zonën e Napolit. I ati ishte pagan, ndërsa e ëma e krishterë. U fut në ushtri, ku një ditë u përball me një situatë të rrezikshme. Iu kujtuan mësimet e perëndishme të nënës dhe thirri: “Zot, Jisu Krisht, ki mëshirë për mua!”. I armatosur me shenjën e kryqit hyri me guxim në betejë, dhe doli fitimtar e i mbuluar me lavdi. Kur u kthye në vendlindje, vizitoi nënën dhe ia tregoi ngjarjet që i kishin ndodhur, si dhe dëshirën për të shkuar që të pagëzohej në Lindje në burimin e Besimit.

Dhe kështu bëri. Zbriti në ishullin Hios, u izolua në një mal dhe qëndroi në kreshmë e lutje për një jave, që të përgatitej për pagëzimin e shenjtë. Një engjëll i Zotit iu shfaq dhe e udhëzoi të zbriste në liman. Atje gjeti një anije dhe shkoi me të deri në malin Ganos, në Thrakë, ku takoi episkopin Theodhor të Kizikës, i cili bënte jetë eremiti në një shpellë në mal.

Episkopi ishte informuar që më përpara për ardhjen e tij, e mbajti pas vetes, duke i dhënë mësimet themelore të besimit dhe e pagëzoi në emër të Trinisë së Shenjtë. Nikoni vendosi të jetonte përgjithmonë atje ku përkujdesja e Perëndisë e kishte drejtuar. Pas tre vjetësh Theodhori e dorëzoi prift dhe më pas, kur erdhi koha të thirrej nga Perëndia, i dha nën drejtim 190 dishepujt që ishin mbledhur rreth tij.

Në Lindje kishte shpërthyer atëherë Persekutimi i Decit (251) dhe kjo e detyroi Nikonin e dishepujt të largoheshin që aty. Pasi qëndruan për pak kohë në Mitilini, arritën në Itali, ku Nikoni mundi ta shikonte nënën e tij para se ajo të vdiste.

Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në vendlindje, Nikoni pagëzoi edhe nëntë bashkatdhetarë të tij, të cilët braktisën familjet për t’u bashkuar me ushtrinë e të 190-ve. Të dyqind murgjit shkuan në Sicili, ku u vendosën në malin Taormina, në rrënojat e një ndërtese të vjetër termale. Por qëndruan në paqe vetëm për pak kohë, sepse prefekti pagan i Sicilisë, Kuintiani, kur mori vesh për praninë e asketëve të shenjtë, i kapi dhe i nxori përpara gjykatës. Dishepujt e Nikonit, të frymëzuar edhe nga fjalët e atit të tyre shpirtëror, refuzuan t’u flijonin idhujve dhe rrëfyen fuqishëm Krishtin.

Prefekti urdhëroi t’i rrihnin me kamxhikë prej deje kau dhe pastaj t’u prisnin kokat. Trupat ua hodhën në furrën e ndezur me këtë rast të qendrës termale. Kur i erdhi radha Nikonit i shqyen gjymtyrët dhe ushtarët e dogjën me pishtarë. Pastaj e lidhën me rripa pas disa buajsh, të cilët e hodhën në një përroskë të thellë. Pasi e nxorën prej andej ende të gjallë, i thyen nofullat me gurë, i prenë gjuhën dhe në fund edhe kokën. Lipsanet e çmuara të shën Nikonit dhe të shokëve të tij u gjetën më vonë nga episkopi i Mesinisë, Theodhosi, i cili ndërtoi një kishëz për nder të tyre.

 

* * * * *

– Oshënar dëshmor i ri Llukai –

 

Shën Llukai lindi në gjirin e një familjeje të krishterë të Adrianopojës. Pas vdekjes së të atit, kur s’ishte as gjashtë vjeç, e ëma ia besoi edukimin e tij një tregtari grek të Konstandinopojës. Kur ishte trembëdhjetë vjeç u përlesh me një fëmijë turk. Kur panë se po fitonte, turma e mbledhur u sul mbi të me britma, duke e kërcënuar me vdekje. I frikësuar, djali thirri atëherë: “Më lini dhe do të bëhem mysliman!”. E çuan si shërbëtor te një turk i pasur dhe e rrethprenë. Me gjithë kujdesin e zotërinjve të tij dhe premtimet për karrierë, ndërgjegjja e Llukait nuk gjeti prehje dhe i përbuzi të gjitha kënaqësitë, duke vajtuar fshehtazi se s’mund të shpëtonte nga ajo shtëpi dhe nga skllavëria e të Ligut.

Megjithatë, arriti t’i shprehte tutorit, me anë të një mesazhi, dëshirën e tij për të ikur dhe ai e dërgoi si çështje te ambasada e Rusisë, duke shpresuar për ndihmë. Pasi të gjitha tentativat për ta larguar dështuan, Llukai arriti të arratisej dhe si ndërroi rrobat që kishte me veshje të krishterë, u nis me një anije, që e çoi në Smirnë. Aty u rrëfye te një prift, i cili e këshilloi të shkonte në Malin e Shenjtë, për të gjetur atje udhën e shpëtimit.

Por, në shumicën e manastireve të Malit të Shenjtë ku shkoi, nuk e pranuan për shkak të moshës së tij të re. Duke mos gjetur paqen e shpirtit dhe i sulmuar nga shumë tundime, arriti në përfundimin se, nëse s’do të gjente një vend të favorshëm për t’u penduar në këtë vend, ku jetuan shumë shenjtorë, kjo tregonte se Perëndia kërkonte nga ai sakrificën e fundit, martirizimin, për të fshirë fajin me gjak dhe për të pastruar ndërgjegjen.

Ati shpirtëror i Skitit të Shën Anës, të cilit i tregoi planin, si pa moshën e tij të re, nga frika se mos e mohonte besimin për herë të dytë, u përpoq t’i kthente mendjen, por më kot. Vendosi atëherë ta sprovonte dhe i tha të bënte 800 metani në ditë dhe të ushqehej vetëm me bukë të thatë dhe ujë. Llukai iu nënshtrua me gëzim këtij kanoni, duke medituar vazhdimisht mbi vdekjen e lavdishme për Krishtin. Pasi mori përfundimisht bekimin për t’u martirizuar, u vesh me Skimën e Madhe dhe lundroi për në Mitilini, bashkë me hieromonakun Visarion, i cili qe ngarkuar nga ati i tij shpirtëror ta shoqëronte dhe t’i jepte zemër deri në çastin e fundit.

Sapo mbërriti në Mitilini, Llukai ndjeu gëzim të pamasë në zemër dhe dëshira e madhe për t’u martirizuar i rritej në çdo hap, duke menduar edhe betejën e lavdishme që kishte bërë më përpara martiri i shenjtë Theodhor (17 shkurt). Pasi u përgatit në një kishë fshati, me anë të agripnive dhe Mistereve të Shenjta, u vesh me rroba të thjeshta mbi rason, u kërkoi të falur me lot priftërinjve të kishës e shokut të tij, dhe u paraqit në gjykatën lokale.

Por kjo përpjekje e parë dështoi dhe i riu u kthye te Visarioni i trishtuar, duke thënë: “Atë, zjarri i Krishtit nuk është ndezur!”. Mori zemër dhe shkoi përsëri te Nazir agai dhe kërkoi që drejtësia të vihej në vend për sa i përkiste rrethprerjes së detyruar që i kishin bërë kur ishte fëmijë. U tallën me të, por ai i tregoi gjykatësit se nuk e kishte humbur arsyen dhe se ishte gati të përballonte pasojat e ligjit mysliman për një rast të tillë. E çuan të shoqëruar deri te shtëpia e gjykatësit, ku takoi episkopin e Mitilinit, të cilin e kishin thirrur atje për shkak të kthimit në besimin e krishterë dhe arratisjen e një familjeje myslimane, ngjarje që kishte provokuar tërbimin e pushtuesve dhe i kishte bërë të krishterët e ishullit të jetonin nën frikën e një reprezaljeje të përgjakshme. Llukai u përgjunj para hierarkut dhe i kërkoi të lutej për realizimin e dëshirës së tij.

Me gjithë rrezikun, episkopi bëri Paraklise në të gjitha kishat për shërbëtorin e Perëndisë. Ndërkohë që të krishterët ishin në ankth, Llukai vetë kishte besim dhe guxim kur doli para gjykatës. Tri herë e morën në pyetje dhe tregoi të njëjtin vendim të palëkundshëm, që të dënohej me dënimin kapital, duke i përbuzur premtimet e kota të kënaqësive mishore nga ana e turqve. Nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, gjeti citime nga Shkrimi i Shenjtë për të hedhur poshtë pretendimet e tyre, por persekutorët i inatosi edhe mungesa e plotë e frikës.

E lanë për tri ditë në burg, me shpresën se do ndryshonte mendje, por kur e nxorën përsëri para gjykatësit, Llukai kërkoi që të ekzekutohej një orë me parë. Vendimi u dha dhe shenjtori shkoi në vendin e ekzekutimit plot gëzim, sa një nga rojet e pyeti: “Në dasmë po shkon, që po nxiton kështu?”. Pastaj kërkoi një moment pushimi dhe u lut për të krishterët e veçanërisht për ata që kishin qenë të pranishëm në kthimin e tij. Ai i rrëfeu një besimtari që ndodhej atje se kishte vetëm një brengë, që nuk e kishin torturuar. Kur arriti te trekëmbëshi, me qetësi i la t’i vinin litarin në qafë dhe dorëzoi shpirtin në duart e Perëndisë.

Për tri ditë, gjatë të cilave trupi mbeti i varur, pamja e tij nuk frikësonte siç ndodh zakonisht me të dënuarit, por dukej sikur flinte, plot hir hyjnor. Asnjë insekt s’guxoi t’i afrohej dhe prej tij buronte erë miro, duke dëshmuar kështu pëlqimin që shenjtori kishte gjetur pranë Perëndisë. Pas tri ditësh turqit lidhën një gur trupit të shenjtorit dhe e hodhën aty ku deti ishte më i thellë. Por, për çudinë e të gjithëve, doli përsëri në sipërfaqe, ndërsa një stuhi e fortë kërcënonte anijen. Lipsani i tij i shenjtë doli në breg, ku të krishterët e varrosën me ndere, pavarësisht se agai e kishte ndaluar.