NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 4:2-6, 5:1-7.
Po atë ditë filizi i Zotit do të jetë gjithë shkëlqim dhe lavdi, dhe fryti i tokës do të jetë krenaria dhe zbukurimi i të shpëtuarve të Izraelit. Dhe ka për të ndodhur që ata që do të kenë mbetur në Sion dhe ai që do të mbijetojë në Jeruzalem do të quhet i shenjtë, domethënë kushdo që në Jeruzalem figuron i shkruar ndër të gjallët. Kur Zoti të ketë larë shëmtirat e bijave të Sionit dhe të ketë zhdukur gjakun nga mesi i Jeruzalemit me frymën e drejtësisë dhe me frymën e shfarosjes, atëherë Zoti do të krijojë mbi çdo banesë të malit Sion dhe në kuvendet e tij një re tymi gjatë ditës dhe një shkëlqim zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbrojtje. Dhe do të ketë një çadër që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.
Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore. E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, por prodhoi rrush të egër.
Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim. Çfarë mund t’i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër? Por tani do t’ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do të përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin. Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare. Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi.
NGA LIBRI I GJENEZËS 3:21-4:7.
Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.
Dhe Zoti Perëndi tha: “Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t’i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë”. Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë. Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.
Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: “Fitova një burrë nga Zoti”. Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar.
Atëherë Zoti i tha Kainit: “Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh”.
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 3:34-4:22.
Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend. Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime, ai më mësonte dhe më thoshte: “Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson. Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie”.
Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë. Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.