UNGJILLI – Joani 1:44-52.

 

Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; edhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje. Edhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.

Filipi gjen Nathanailin, edhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj, edhe profetët, Jisuin, të birin e Josifit nga Nazareti. Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?

Filipi thotë: Eja dhe shih. Jisui pa Nathanailin duke ardhur drejt tij, edhe thotë për të: Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër. Nathanaili i thotë: Nga më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërrasë Filipi, të pashë kur ishe nën fik. Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabbi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit.

Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë që të pashë nën fik beson? Do të shohësh më të mëdha se këto. Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur, edhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.