APOSTULLI – Hebrenjve 11:24-26, 32-40.

 

Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, mohoi të quhej i biri i së bijës së Faraonit; sepse zgjodhi më tepër të heqë keq bashkë me popullin e Perëndisë, se të ketë kënaqësi mëkati për pak kohë; duke numëruar poshtërimin e Krishtit për pasuri më të madhe se thesarët në Egjipt; sepse shikonte në shpërblimin.

Edhe ç’të them më? Sepse nuk do të më arrijë koha të tregoj për Gedeonin, për Barakun e Samsonin, edhe Jeftaenë, për Davidin e Samuilin dhe profetët, të cilët me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve. Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë.

Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.

Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne.