– Oshënarët dëshmorë në Manastirin e Shën Savës –
Në vitin 796, saraçenët nisën një luftë të përgjakshme kundër fiseve beduine të shpërndara në Palestinë dhe të dy palët sulmuan fshatrat e qytetet e krishtera. Kështu ata plaçkitën qytetin e Elefteropolit, duke e boshatisur nga banorët dhe rrafshuan Gazën, Askalonin dhe qytete të tjera. Një numër i madh banorësh të këtyre zonave gjetën strehë në qytetin e Jerusalemit, fortifikatat e të cilit ishin përforcuar dhe, me ndihmën e Perëndisë, mundën t’i zmbrapsin sulmet barbare. Të tërbuar nga dështimi kundër qytetit të shenjtë të Jerusalemit, ata u turrën me egërsi kundër manastireve të zonës, duke zbritur si re karkalecash mbi lavrën e Shën Haritonit dhe, pasi e plaçkitën, iu drejtuan lavrës së Shën Savës, e cila u rezistoi për njëfarë kohe sulmeve të tyre.
Kaluan disa muaj nën kërcënimin e pandërprerë të sulmeve të këtyre ujqve të shkretëtirës. Murgjit luteshin ditë e natë te Perëndia, duke lypur mëshirën e Tij dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin, se duhej t’i rezistonin çdo lloj kërcënimi, madje edhe vdekjes, sesa të largoheshin nga vendi ku kishin mohuar jetën e kësaj bote, sipas zotimeve që kishin marrë kur ishin qethur murgj. Ata i thoshin njëri-tjetrit: “Si është e mundur që ata që kanë mohuar botën, për të ndjekur Krishtin që tha: ‘Mos kini frikë ata që vrasin trupin’ (Matth. 10:28), të kthehen në botë nga frika e njerëzve? Krishti është mbrojtja jonë e vetme dhe Shpirti i Shenjtë mburoja ndaj shigjetave të barbarëve. ‘Sepse për ne të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim’” (Fil. 1:21).
Atëherë djalli mblodhi rreth gjashtëdhjetë barbarë, të cilët, nga frika e një ekspedite bizantine, ishin shpërndarë në shkretëtirë dhe i dërgoi të sulmonin lavrën, më 13 mars të vitit 797. Disa murgj u dolën para dhe iu folën qetë, duke u kujtuar mikpritjen dhe ndihmën që manastiri ofronte pa dallim, si për të krishterët ashtu dhe për saraçenët. Barbarët u kërkuan murgjve t’u jepnin arin e manastirit, por ata iu përgjigjën se mezi siguronin të ardhurat për t’u ushqyer e për t’u veshur.
Atëherë të inatosur, pasi rrëmbyen ç’gjetën rrotull, u vunë zjarrin qelive. Kur në horizont po afrohej një ushtri e krishterë, saraçenët ia mbathën, por gjashtë ditë më vonë, më 19 mars, më të shumtë në numër, u sulën përsëri si bisha të egra ndaj manastirit, therën disa murgj si të ishin kafshë për thertore, disa të tjerëve ua shtypën kokën me gurë dhe i ndoqën ata që morën arratinë nëpër shkrepa. Kur iu afruan njërës prej shpellave ku mendonin se kishte njerëz, një nga pesë murgjit që fshiheshin atje doli që të jepej në duart e tyre dhe të kursente vëllezërit e tjerë.
Më pas i mblodhën ata që mbetën në oborrin e manastirit dhe u kërkonin me forcë t’u jepnin thesaret dhe të tregonin superiorët e tyre. Meqë etërit ruajtën heshtjen, i mbyllën në një tunel të nëndheshëm, të cilin shën Sava e përdorte për të kaluar nga qelia e tij për te kisha, dhe e mbushën me tym. Tetëmbëdhjetë murgj vdiqën të asfiksuar, të tjerët i nxorën jashtë për t’i shtypur me këmbë e i rrahën, ndërsa më pas plaçkitën kishën dhe qelitë.
Rrëmbyesit u larguan, duke lënë mbrapa tyre njëzet etër të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur rëndë. Pak kohë më vonë, zemërimi hyjnor goditi me një epidemi murtaje barbarët e përfshirë në këtë sulm kundër shërbëtorëve të Perëndisë.
* * * * *
– Dëshmore Aleksandria, Klaudia, Efprasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia –
Gjatë kohës së persekutimit të madh të Maksimianit (303-305), meqë i dërguari i tiranit dënonte me vdekje dhe me tortura të frikshme të gjithë të krishterët e qytetit të Aminsos në Kapadoki, këto shtatë gra guximtare dolën para qeveritarit dhe e qortuan për mizorinë që po bënte kundër të krishterëve, duke pohuar ndërkohë Krishtin si Perëndinë e vërtetë.
Ushtarët u sulën mbi to, i zhveshën dhe i fshikulluan. U shqyen trupin me egërsi të tillë, sa u dolën edhe zorrët dhe pastaj i hodhën në një furrë të ndezur, ku atletet e bekuara plotësuan betejën e tyre të lavdishme.
* * * * *
– Oshënar Nikita Konfesori, episkop i Apollonisë –
Oshënar Nikita ishte episkop i Apollonisë, në Bitini, në kohën e persekutimit ndaj ikonave të shenjta nga Leoni III Isauri (717-741). Duke qëndruar i palëkundur në shkëmbin e besimit të vërtetë me anë të studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe të shkrimeve të Etërve hyjmbajtës, i mësonte besimtarët t’i qëndronin besnik besimit të Kishës dhe të vërtetën e fjalëve të tij e shprehte me dashurinë që tregonte ndaj atyre që ishin në vështirësi.
Meqenëse vazhdonte të nderonte ikonën e Krishtit, të Hyjlindëses dhe të shenjtorëve, pavarësisht nga kërcënimet e heretikëve, u internua dhe hoqi tortura të shumta, prej të cilave u sëmur rëndë dhe dorëzoi shpirtin te Zoti.