NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 3:1-14.
Ja, Perëndia, Zoti i ushtrive, është duke i hequr Jeruzalemit dhe Judës çdo mbështetje dhe përkrahje, çdo mbështjetje me bukë dhe çdo mbështetje me ujë; trimin dhe luftëtarin, gjyqtarin dhe profetin, falltarin dhe plakun, komandantin e një pesëdhjetëshëje dhe parinë, këshilltarin, ekspertin në artet magjike dhe yshtësin e shkathët. Do t’u jap atyre djem si princa dhe fëmijë do t’i sundojnë. Populli do të jetë i shtypur, njeri nga tjetri, dhe secili nga i afërmi i tij; fëmija do të jetë i pasjellshëm me plakun, njeriu i keq me njeriun e nderuar. Dikush do të kapë vëllanë e vet në shtëpinë e atit të tij dhe do t’i thotë: “Ti ke një mantel, bëhu i pari ynë dhe kujdesu për këtë shkatërrim”.
Por atë ditë ai do të deklarojë solemnisht duke thënë: “Unë nuk do t’i lidh plagët tuaja, sepse në shtëpinë time nuk ka as bukë as mantel; mos më vini të parë të popullit”. Në fakt Jeruzalemi dridhet dhe Juda po bie, sepse gjuha e tyre dhe veprat e tyre janë kundër Zotit, për të provokuar zemërimin e vështrimit të madhërisë së tij. Anësia e tyre me personat dëshmon kundër tyre, ata vënë në dukje mëkatin e tyre si Sodoma dhe nuk e fshehin. Mjerë ata, sepse i bëjnë keq vetes së tyre. I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë, sepse do të hajë frytin e veprave të tij. Mjerë i pabesi! Do t’i bjerë mbi kokë fatkeqësia, sepse do t’i jepet ajo që duart e tij kanë përgatitur.
Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, dhe gratë sundojnë mbi të. O populli im, ata që të udhëheqin të çojnë jashtë rruge dhe shkatërrojnë shtegun që ti përshkon. Zoti paraqitet për të paditur dhe zë vend për të gjykuar popujt. Zoti hyn në gjyq me pleqtë e popullit të tij dhe me princat e tij: “Jeni ju që e keni përpirë vreshtin; trupat pa jetë të të varfërve ndodhen në shtëpitë tuaja.
NGA LIBRI I GJENEZËS 2:20-3:20.
Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu.
Dhe njeriu tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri”.
Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.
Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: “Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?”. Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: “Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: “Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni”. Atëherë gjarpri i tha gruas: “Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjëndje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen”. Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar.
Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?”. Ai u përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha”. Dhe Perëndia i tha: “Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?”. Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra”. Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: “Pse e bëre këtë?”. Gruaja u përgjigj: “Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj”.
Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: “Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj”.
Gruas i tha: “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty”.
Pastaj i tha Adamit: “Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: “Mos ha prej saj”, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh”. Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.
NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 3:19-34.
Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë. Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
Mos i thuaj të afërmit tënd: “Shko dhe kthehu; do të të jap nesër”, kur e ke me vete gjënë e nevojshme. Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.