– Dëshmorët Krisanthi e Daria, Klaudi tribuni, Ilaria, Mauri, Jasoni e Mauri –

 

Krisanthi ishte biri i një njeriu të shquar nga Aleksandria, i senatorit Polem, i cili u vendos me familjen e tij në Romë nën sundimin e Numerianit (283-284). Pasi përfundoi studimet elementare, filloi të studionte filozofi, por mbeti i pakënaqur nga ajo që gjeti dhe atëherë i mrekulluar zbuloi Ungjillin, librin e Urtësisë së personifikuar. I udhëhequr nga Providenca hyjnore, gjeti shumë shpejt udhërrëfyesin që kërkonte te prifti Karpofor, i cili ishte fshehur në një shpellë, për shkak të persekutimit. Nga ai mësoi misteret e besës dhe u pagëzua. Pas shtatë ditësh u kthye në qytet dhe nisi të predikonte Krishtin duke sjellë pakënaqësinë e prindërve të tij. Polemi u përpoq t’i kthente mendjen me premtime për kënaqësi dhe pasuri, por meqë nuk pati sukses, e mbylli në një qeli të errët, me shpresën se do ta thyente vullnetin e tij me anë të urisë.

Mbasi pa se të birin e fuqizonte kreshma dhe izolimi, sipas këshillës së një miku, e dërgoi në një dhomë plot luks dhe i dërgoi vajza të reja, që ta mposhtnin me ledhatimet e tyre. Por Krisanthi ishte i pandjeshëm ndaj tyre, ngaqë kishte ndihmën e Perëndisë dhe kujtonte shembullin e virgjërisë së patriarkut Josif (Gjen. 39). Dhe sa herë që i afroheshin vajzat e pacipa, ato i zinte gjumi. Atëherë i rekomanduan Polemit një vajzë të re, virgjëreshë të bukur nga Athina, e aftë për filozofi, me emrin Daria. E nxorën vajzën para Krisanthit, të zbukuruar me stoli të mrekullueshme dhe ajo u përpoq ta tërhiqte me fjalët e saj joshëse. Krisanthi i foli për vdekjen dhe gjykimin e fundit. Pas kësaj, ajo u përpoq t’i kujtonte detyrimin për nderimin e perëndive, por filozofi i vërtetë ia hodhi poshtë pa vështirësi argumentet, duke i treguar se nuk ka gjë më absurde se adhurimi i elementeve natyrore, të tokës, ujit dhe zjarrit, duke u dhënë forma njerëzore.

Kur i dëgjoi këto fjalë, Daria u dashurua me urtësinë e vërtetë dhe morën vendimin që të shfaqeshin sikur të dy do të martoheshin, por në të vërtetë të jetonin në virgjëri deri në fund të jetës, duke u përgatitur për nusëroren e dëlirë në Qiell. Ata predikuan edhe te të rinjtë e të rejat e Romës dhe disa prej tyre pranuan të ruanin virgjërinë për Perëndinë.

Paganët u alarmuan dhe i denoncuan te prefekti Celerin, i cili dha urdhër t’i arrestonin, ndërsa Krisanthin e dorëzoi te tribuni Klaud. E çuan para tempullit të Jupiterit, por Krisanthi refuzoi të sakrifikonte, ndaj e lidhën me litarë të bërë me lëkurë kau, të cilët ishin lagur, me qëllim që, kur të thaheshin, të depërtonin pak nga pak deri në kockë. Por Perëndia e çliroi dhe e shpëtoi për mrekulli edhe nga tortura të tjera që kishin shpikur tiranët. E futën në burg, por ai shkëlqente nga drita hyjnore. E fshikulluan, por kamxhikët u kthyen në pendë që e përkëdhelnin. Klaudi njohu atëherë fuqinë e Perëndisë bashkë me familjen: me të shoqen Ilaria, dhe të dy bijtë, Jasonin dhe Maurin, si dhe me ushtarët që ishin nën urdhrat e tij dhe i kërkoi shenjtorit që t’i mësonte. U përgatitën për Pagëzimin e shenjtë duke lavdëruar Perëndinë dhe deklaruan se ishin gati të vuanin çdo lloj torture për emrin e Tij.

Kur mori këtë lajm, Numeriani u tërbua e urdhëroi ta hidhnin Klaudin në det me një gur në qafë dhe t’ua prisnin kokat bijve të tij e ushtarëve. Të krishterët i vendosën trupat e martirëve të shenjtë në një vend të nëndheshëm pranë rrugës Salaria, ku Ilaria u kujdes për të ndezur kandilat dhe të lutej në varret e tyre. Kur shkuan ushtarët për ta arrestuar, ajo u lut për herë të fundit në varret e martirëve dhe ia dorëzoi shpirtin Zotit. Shërbëtoret e saj e varrosën po aty dhe më pas atje u ngrit një kishë.

Nga frika se mos shtoheshin radhët e të krishterëve, perandori e mbylli Krisanthin në burgun e llahtarshëm të Mamertinos, i cili ishte i pistë dhe plot me plehra, ndërsa Darian e dërgoi në një shtëpi publike. Por Perëndia i vizitoi përsëri shenjtorët e tij; e rrethoi Krisanthin me dritë dhe erë të mirë, ndërsa Darias i dërgoi një luan për ta mbrojtur nga sulmet e njerëzve të paturpshëm. E reja nuk e lejoi luanin të gëlltiste të parin e atyre burrave, duke e sjellë me butësi në vete dhe kështu arriti ta kthente te Krishti. Luani solli edhe njerëz të tjerë, por dhe ata u kthyen në besim kur dëgjuan fjalët e Darias. Pas kësaj, Celerini i vuri zjarrin hyrjes dhe Daria e dërgoi kafshën në pyll e u përgatit për betejën e fundit.

Krisanthi dhe Daria iu nënshtruan torturave të tjera, por pa rezultat. Përfundimisht i hodhën të gjallë në një gropë dhe i mbuluan me gurë e dhé. Kështu mbaruan me martirizim dhe shkuan në Mbretërinë e Qiejve. Një vit më pas, të krishterët u mblodhën në atë vend për të kremtuar kujtimin e lindjes së martirëve në qiej, por Numeriani urdhëroi ta mbyllnin hyrjen e shpellës ku ata po merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore, që po kryhej nga prifti Diodor dhe dhjaku Marian. Të gjithë u kunguan, ndërsa ushtarët bllokonin hyrjen me dhé. Kështu shkuan të takonin në gëzimin e përjetshëm Krisanthin, Darian dhe bashkatletët e tyre.

 

* * * * *

– Oshënar Inocenti i Komelit –

 

Oshënar Inocenti vinte nga një familje princash të Moskës. Fillimisht u bë murg në manastirin e Shën Kirilit të Liqenit të Bardhë (9 qershor) dhe dishepulli i parë i shën Nilit (7 maj), para themelimit të skitit të Sorskit. Ai udhëtoi me shenjtorin për në Konstandinopojë dhe Malin e Shenjtë. Pastaj e ndihmoi për themelimin e skitit dhe për drejtimin e vëllezërve. Ishte i përulur e i butë dhe gjithë kohën e kalonte me lutje dhe studim të Shkrimeve të shenjta, ashtu si mësuesi i tij.

Kur ndjeu fundin e tij të afërt, shën Nili e dërgoi Inocentin në Komel, në distriktin e Vologdës, duke i thënë: “Atje do të të lavdërojë Perëndia dhe do të ngresh një manastir kinovi”. Shën Inocenti e përmbushi këtë porosi dhe, pas fjetjes së lumur të shën Nilit, themeloi një skit sipas modelit të Skorsit, në një vend pothuajse të egër, mes pyjeve dhe shkurreve të dendura. Por me vullnetin e Perëndisë, shumë vëllezër me shpirt të etur i shkuan pranë, si te një burim uji të gjallë.

Pas shumë vitesh të mbushura me hir, shenjtori la një testament para se të vdiste, në të cilin thoshte: “Kujtomëni mua mëkatarin në lutjet tuaja të shenjta. Përulem para jush, etër dhe vëllezër, dhe ju nxis t’i shmangeni çdo grindjeje ose zënke, por mes jush mbretërofshin dashuria e Krishtit dhe paqja shpirtërore, duke ndjekur me besnikëri të gjitha këshillat e starecit të shenjtë Nil”. U kërkoi vëllezërve të ndërtonin një kishë për nder të shën Joan Pararendësit, atit të murgjve, para se të flinte në paqe më 19 mars 1521 ose (1491). Në vazhdim skiti u bë një manastir kinovi, sipas parathënies së shën Nilit.

Shën Inocenti hartoi një Hyrje për shkrimet e shën Nil Sorskit, në të cilën mësonte se pastrimi i zemrës nga pasionet dhe mendimet e këqija realizohet më tepër me anën e vigjilencës dhe lutjes së brendshme, sesa me këshilla të jashtme dhe asketizëm trupor. Pastaj, pasi rekomandoi jetën e skiteve, duke jetuar dy a tre vëllezër së bashku, si më e përshtatshmja për fillestarët, sepse jeta eremite është për ata që janë sprovuar gjatë në bindje, ai shton edhe një kapitull për rëndësinë e kreshmës, në të cilën propozon të ndiqet udha mbretërore: të hash me masë, sa për të mbajtur forcat, me besim te Perëndia i vetëm dhe pa u krenuar për arritjet asketike.