NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 1:19-2:3

 

Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata”, sepse goja e Zotit ka folur. Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një grua immorale? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit. Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë. Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre.

Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: “Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi. Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd. Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh “qyteti i drejtësisë”, “qyteti besnik”. Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë. Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen. Atëherë do t’ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur. Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë. Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t’i shuajë”.

Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin. Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vershojnë tërë kombet. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij”. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

 

NGA LIBRI I GJENEZËS 1:14-23.

 

Pastaj Perëndia tha: “Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet; dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën”. Dhe kështu u bë. Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet. Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën, për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.

Pastaj Perëndia tha: “Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore”. Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë”. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.

 

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 1:20-33.

 

Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit; Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t’ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia. Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.
Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk; por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe”.