Leximi nga libri i Profetit Zaharia 8:7-17.

 

Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit. Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi”.

Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë së Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli. Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit. Por tani nuk do të jem më në mbetjet e këtij populli siç kam qenë në kohërat e shkuara”, thotë Zoti i ushtrive. Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave. Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!”.

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin”, thotë Zoti i ushtrive, “dhe nuk u pendova, kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni! Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe. Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti”.