UNGJILLI – Llukai 23:1-31, 33, 44-56.
Atëherë gjithë turma e tyre u ngrit dhe e çuan tek Pilati.
Edhe zunë ta akuzonin duke thënë se këtë e gjetëm duke trazuar kombin dhe duke e penguar t’i japë taksa Cezarit, duke thënë për veten e tij se është Krishti mbret. Edhe Pilati e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
Edhe Pilati u tha kryepriftërinjve e turmës se nuk gjej asnjë faj te ky njeri. Por ata më tepër ngulmonin me forcë duke thënë se trazon popullin, duke mësuar nëpër gjithë Judenë, duke nisur që nga Galilea e deri këtu. Edhe Pilati kur dëgjoi fjalën Galilea, pyeti në është ky njeri galileas. Edhe kur e mori vesh se ishte prej zotërimit të Herodit, e dërgoi tek Herodi, i cili edhe ai ishte në Jerusalem ato ditë.
Edhe kur pa Jisuin, Herodi u gëzua shumë; se kishte mjaft kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të; dhe shpresonte të shihte të bëhej ndonjë shenjë prej tij. Edhe e pyeste me shumë fjalë, por ai nuk i përgjigjej fare. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit rrinin duke e akuzuar atë me ngulm. Edhe Herodi bashkë me ushtarët e tij e poshtëroi dhe e përqeshi, edhe i veshi një rrobë të ndritshme, edhe e dërgoi përsëri tek Pilati. Edhe atë ditë Pilati e Herodi u bënë miq njëri me tjetrin; sepse më përpara ishin në armiqësi në mes tyre.
Edhe Pilati si thirri bashkë kryepriftërinjtë e të parët dhe popullin, u tha atyre: Më prutë këtë njeri, sikur trazon popullin; dhe ja unë përpara jush e mora në pyetje dhe nuk gjeta te ky njeri ndonjë faj, nga sa e akuzoni atë. Por as Herodi. Sepse ju dërgova tek ai; dhe ja asgjë nuk ka bërë që të meritojë vdekje. Pasi ta mundoj pra, do ta liroj.
Edhe ishte e nevojshme për të, t’u lironte atyre një të burgosur gjatë të kremtes. Po të gjithë bashkë bërtitën, duke thënë: Ngrije këtë, edhe na lësho Barabain, i cili ishte hedhur në burg për një kryengritje që ishte bërë në qytet dhe për vrasje.
Përsëri pra Pilati u foli atyre se donte ta lironte Jisuin. Po ata thërritnin, duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje. Edhe ai për të tretën herë u tha atyre: Pse, ç’të keqe ka bërë? Asgjë që të meritojë vdekje s’gjeta tek ai. Prandaj, pasi ta mundoj, do ta liroj. Po ata ngulmonin me zë të madh, duke kërkuar të kryqëzohet; edhe zërat e tyre e të kryepriftërinjve po mbizotëronin. Edhe Pilati vendosi të bëhet kërkesa e tyre. Edhe u liroi atyre Barabain që ishte hedhur në burg për kryengritje e për vrasje, të cilin e kërkonin, ndërsa Jisuin e dorëzoi në dëshirën e tyre.
Edhe si e nxorën jashtë, zunë njëfarë Simon Kireneasi, që ishte duke ardhur nga ara, edhe vunë mbi të kryqin, që ta sillte prapa Jisuit.
Edhe e ndiqte pas një turmë e madhe populli e grash, të cilat edhe çirreshin e vajtonin për të. Po Jisui u kthye e u tha atyre: Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, po qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja tek po vijnë ditë, në të cilat do të thonë: Lum shterpat dhe barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëkuan. Atëherë do të zënë t’u thonë maleve: Bini mbi ne; edhe kodrave: Mbulonani. Sepse, nëse në drurin e njomë bëjnë këto, në të thatin ç’do të bëhet?
Edhe kur shkuan në vendin e quajtur Kafka, atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë, dhe tjetrin në të majtë.
Edhe ishte afërsisht ora e gjashtë, dhe u bë errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë. Edhe dielli u err; dhe kurtina e tempullit u ça në mes.
Edhe Jisui thirri me zë të madh, e tha: O Atë, në duart e tua dorëzoj shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirt.
Edhe kryeqindësi, kur pa se çfarë u bë, lavdëroi Perëndinë, duke thënë: Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë.
Edhe gjithë turmat që kishin ardhur bashkë për të shikuar, kur panë se çfarë u bë, ktheheshin duke rrahur krahërorët e tyre. Edhe rrinin për së largu gjithë të njohurit e tij, si dhe gratë që së bashku e kishin ndjekur pas nga Galilea, duke shikuar këto gjëra.
Edhe ja një burrë që quhej Josif, i cili ishte anëtar i Këshillit, njeri i mirë e i drejtë, ky nuk pati qenë në një mendje me vendimin e me veprimin e tyre, nga Arimatea, qytet i Judenjve, i cili edhe vetë priste mbretërinë e Perëndisë. Ky erdhi pranë Pilatit, edhe kërkoi trupin e Jisuit. Edhe si e zbriti, e mbështolli me pëlhurë dhe e vuri në një varr të gdhendur në gur, ku asndonjë kurrë s’ishte vënë më parë. Edhe ishte ditë e premte dhe gdhihej e shtunë.
Edhe i shkuan prapa edhe gra, të cilat kishin ardhur bashkë me të nga Galilea, edhe panë varrin dhe se si u vendos trupi i tij. Edhe u kthyen e bënë gati aroma dhe miro; edhe të shtunën pushuan sipas urdhërimit.