– Dëshmorët Kodrati, Anekti etj. –
Jetim që kur ishte foshnjë, shën Kodrati u ushqye nga një re që zbriti nga qielli dhe i siguronte gjithçka që i nevojitej. Kështu jetoi në vetmi deri kur mbushi të njëzetat, duke imituar Pararendësin e Nderuar dhe duke mos u merakosur për asgjë tjetër, përveçse si t’i pëlqente Perëndisë. Kur u vendos në Korinth, ku kishte shkuar të studionte për mjekësi, gjatë kohës së persekutimit të perandorit Deci (249-251), lidhi shoqëri me të krishterë të rinj, të cilët dëshironin t’ia dedikonin jetën e tyre Zotit. Të gjithë u arrestuan me urdhër të kryekonsullit Terti dhe pasi bënë një apologji të besimit të tyre iu nënshtruan torturave të tmerrshme.
Më pas persekutuesit i lidhën pas kuajve dhe i tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit deri në periferi, ku u prenë kokat. Një burim me ujë të gjallë shpërtheu në vendin e martirizimit, ku më vonë u ndërtua një kishë për të vendosur lipsanet e tyre të nderuara.
* * * * *
– Oshënare Anastasia, Patrice –
Shën Anastasia jetonte në Konstandinopojë në kohën e perandorit Justinian (527-565). Rridhte nga një familje e pasur fisnike dhe ishte e nderuar nga perandori në rangun e patricies së parë të oborrit. Duke mos i dhënë rëndësi lavdisë tokësore, e lumura ruante në zemër frikën e Perëndisë dhe kujdesej me zell për zbatimin e urdhëresave të Tij. Por djalli, armiku i pamëshirshëm i atyre që dëshirojnë të jetojnë në virtyt, duke shfrytëzuar pëlqimin që perandori kishte për të, mbolli xhelozi në shpirtin e perandoreshës.
Kur Anastasia mësoi se ishte bërë shkak skandali, gjeti rastin dhe e braktisi oborrin, duke thënë: “Shpëto, o shpirt, që ta çlirosh edhe perandoreshën nga xhelozia e sëmurë dhe të përgatitesh për Mbretërinë e Qiejve!”. Mori me vete një pjesë të vogël të pasurisë dhe tjetrën e ndau te të varfrit dhe u nis për në Aleksandri, ku themeloi një manastir murgeshash, i cili më vonë u quajt Manastiri i Patricias, në një vend të quajtur Pempton.
Pas shumë vjetësh, perandoresha Theodhora vdiq (548) dhe perandori u përpoq të gjente Anastasinë e virtytshme dhe të bukur, që të martohej me të. Sapo e mori vesh, shenjtorja iku natën nga manastiri dhe shkoi në qendrën monastike të Skiteve, tek ava Danieli, që t’i rrëfente problemin. Jerondi e veshi me rroba burri, i dha emrin Anastas, e vendosi në një shpellë larg Skitës, dhe i dha si kanon që të kreshmonte e të lutej, të mos dilte kurrë jashtë e të mos pranonte njeri brenda. Çdo javë, një nga nxënëset e saj i linte në hyrje të shpellës një shtambë me ujë dhe largohej e heshtur, pasi bënte një metani.
Ky shpirt bujar dhe trim jetoi kështu për njëzet e tetë vjet, duke zbatuar me përpikëri këshillat e jerondit të saj. Duke kapërcyer dobësinë e saj natyrore dhe delikatesën e zakoneve të oborrit, luftonte natë e ditë kundër urisë, etjes, gjumit, por mbi të gjitha kundër frymëve të errëta, të cilat i thoshin të braktiste vendin e asketizmit. Nëpërmjet këmbënguljes ajo u bë enë e zgjedhur e Shpirtit të Shenjtë dhe njohu që më parë se po i afrohej ora e largimit nga kjo botë.
Atëherë i shkroi mbi baltë të pjekur ava Danielit, që të sillte mjetet e nevojshme për varrimin e saj. Edhe jerondi ishte paralajmëruar që përpara nga Perëndia, me anë të një vegimi gjatë natës dhe kishte nisur dishepullin e tij për te shpella. Si lexoi mesazhin, u nis edhe vetë, që të ishte pranë së lumurës në çastet e saj të fundit dhe i ra në këmbë, duke i kërkuar të ndërmjetonte pranë Perëndisë për të dhe për dishepujt e tij. Shenjtorja, pasi u kungua me Misteret e shenjta, përshëndeti engjëjt që iu shfaqën në krah dhe me fytyrë të shndritur dorëzoi shpirtin te Perëndia. Kur ava Danieli u kthye në Skitë u tregoi vëllezërve se eunuku Anastas ishte patricia e famshme e shumëkërkuar nga perandori Justinian.