– 40 dëshmorët e Sebastisë (Melitoni, Flavio, Valeri, Sisini etj.) –
Kur mizori Licinius (308-323), të cilit i ishte dhënë nga shën Konstandini fuqi e barabartë në administrimin e Perandorisë, hoqi maskën, preu marrëdhëniet me të dhe shpalli edikte kundër të krishterëve. Për t’i zbatuar ai dërgoi magjistratë në tërë provincat nën kontrollin e tij, për të torturuar e vrarë ata që nuk u nënshtroheshin.
Agrikola, qeveritari që u caktua për Kapadokinë dhe Armeninë e Vogël, ishte një nga zbatuesit më të zellshëm të edikteve që shpallnin persekutimin e të krishterëve. Ai kishte thirrur në qytetin e Sebastisë, ku qëndronte, legjionin e dytë perandorak, i quajtur i rrufeshmi, drejtuar nga duka Lisia. Dyzet ushtarë të këtij legjioni, djem të rinj, trima dhe të vlerësuar për shërbimet që bënin, nuk pranuan t’u sakrifikonin idhujve të perandorisë dhe e shpallën veten të krishterë. Me prejardhje nga zona ndryshme, por të bashkuar si një njeri i vetëm me anë të besimit dhe dashurisë, ata dolën një nga një para qeveritarit, si atletë që hyjnë në ndeshje dhe zbuluan identitetin e tyre të vërtetë, duke thënë: “Jam i krishterë!”. Agrikola në fillim tentoi t’i kthente butësisht, duke mburrur shërbimin e tyre të shkëlqyer dhe duke u premtuar, në qoftë se do t’i nënshtroheshin, më shumë privilegje nga ana e perandorit.
Shenjtorët iu përgjigjën me zërin e njërit prej tyre: “Nëse luftuam burrërisht, siç po thua, për perandorin e tokës, me sa shumë zell duhet të angazhohemi tani në betejë për dashurinë e Mbretit të Gjithësisë? Sepse për ne ekziston vetëm një jetë: vdekja për Krishtin”. Në burg, në pritje të një gjykimi të dytë, luftëtarët e vyer e të denjë ranë në gjunjë, duke iu lutur Zotit t’i ruante në besimin e vërtetë dhe t’i fuqizonte në betejë. Ndërkohë që po e gdhinin duke psalur, Krishti iu shfaq dhe u tha: “Filluat mirë, por kurora do t’i jepet vetëm atij që do të këmbëngulë deri në fund!”.
Të nesërmen në mëngjes i çuan përsëri përpara qeveritarit, i cili filloi nga lajkat, por njëri nga martirët e shenjtë, Kandidi, denoncoi hapur butësinë e tij hipokrite, duke nxitur shpërthimin e zemërimit të tiranit. Megjithatë, duke mos mundur të bënte asgjë kundër tyre, derisa, si gjeneral i tyre, t’i gjykonte duka Lisia, Agrikola i futi prapë në burg. Pas shtatë ditësh, Lisia mbërriti në Sebasti dhe shenjtorët i nxorën para tij. Duke shkuar para tij, Kirioni u jepte zemër shokëve, duke u thënë: “Tre armiq kemi: djallin, Lisian dhe qeveritarin. Ç’do të na bëjnë neve që jemi dyzet ushtarë të Jisu Krishtit?”.
Kur i pa të palëkundur dhe kaq të vendosur, Lisia i urdhëroi ushtarët e tjerë t’i goditnin me gurë dhe t’u thyenin dhëmbët. Por, kur ata u sulën për t’i qëlluar, u verbuan nga një fuqi hyjnore dhe të turbulluar filluan të godisnin njëri-tjetrin. I tërbuar nga zemërimi, Lisia mori një gur dhe donte t’ua hidhte shenjtorëve, por guri goditi qeveritarin, duke e plagosur rëndë. Natën, shenjtorët i futën përsëri në burg, në pritje të një vendimi për mënyrën se si do t’i torturonin.
Qeveritari mblodhi tërë burimet e imagjinatës së mbrapshtë dhe urdhëroi t’i zhvishnin e t’i hidhnin lakuriq në liqenin e ngrirë, diku afër qytetit, që të vdisnin në vuajtje të frikshme nga të ftohtit. Për ta zgjatur martirizimin, ai mendoi të paraqiste para tyre, si tundim të fundit, ilaçin e mundimeve të tyre dhe përgatiti buzë liqenit një banjë me ujë të nxehtë, që, kush do ta linte betejën, i mundur nga i ftohti i acartë, të gjente atje lehtësim.
Sa morën vesh për vendimin, shenjtorët filluan të nxisnin njëri-tjetrin se kush do të zhvishej i pari, dhe thoshin: “Duke lënë këto rroba, le të hedhim tej edhe njeriun e vjetër! Përderisa nga mashtrimi i gjarprit u veshëm me tunikë mishi, le ta zhveshim atë sot që të fitojmë Parajsën që humbëm! Ç’do t’i japim Zotit që vuajti për shpëtimin tonë? Atëherë ushtarët e zhveshën Atë, tani le të zhveshim rrobat tona, që gjithë sa shërbejnë si ushtarë të marrin faljen! I ashpër dimri, por e ëmbël Parajsa! Le të durojmë edhe pak, që të ngrohemi në gjirin e Abrahamit. Le ta blejmë gëzimin e përjetshëm me çmimin e një nate vuajtjesh. Meqenëse në çdo rast ky trup duhet të vdesë, le të pranojmë tani të vdesim vullnetarisht, që të jetojmë përjetësisht! Pranoje, o Zot, këtë therore, të cilën do ta tresë të ftohtët dhe jo zjarri!”.
Duke i dhënë zemër njëri-tjetrit, të dyzet shenjtorët ndenjën si një njeri i vetëm në ujin e akullt, duke duruar gjatë gjithë natës erën e akullt të asaj zone, duke iu lutur Zotit që të dyzet siç ishin në betejë, të dilnin fitimtarë së bashku dhe të mos mungonte asnjë në këtë numër të shenjtë, simbol i plotësisë. Nata kalonte dhe trupat e tyre filluan të ngrinin e qarkullimi i gjakut ngadalësohej, duke shkaktuar kështu vuajtje të padurueshme në zemër, sa njëri prej tyre, i mundur nga dhimbja, e braktisi liqenin dhe u fut në banjën e nxehtë. Por ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës bëri që të vdiste në vend dhe të privohej nga kurora e fitores.
Të tridhjetë e nëntë të tjerët, të hidhëruar nga humbja e shokut, i dyfishuan lutjet dhe befas një dritë e fuqishme çau qiellin dhe u ndal mbi liqen, duke i ngrohur martirët e shenjtë, dhe disa engjëj zbritën që të vinin në kokat e tridhjetë e nëntë martirëve kurora të shndritshme. Para kësaj mrekullie, njërit nga rojat me emrin Aglai, i cili ngrohej pranë banjës, iu ndriçua ndërgjegjja nga besimi. Kur pa se një kurorë po qëndronte e varur në ajër dhe ngjante se priste dikë që ta përmbushte numrin e të zgjedhurve, i zgjoi shokët e armëve, u hodhi rrobat që mbante veshur dhe u fut pa ngurrim në liqenin e akullt, për t’iu bashkuar korit të martirëve, duke thirrur se edhe ai ishte i krishterë.
Të nesërmen në mëngjes, kur Agrikola mësoi për ngjarjen, urdhëroi t’i nxirrnin shenjtorët nga liqeni dhe t’u jepnin fund duke iu thyer këmbët, pastaj trupat t’ua hidhnin në zjarr, që të mos mbetej asnjë shenjë e betejës së tyre të lavdishme. Ndërsa po i zvarrisnin drejt torturës së fundit, martirët e lavdishëm psalnin: “Kaluam përmes zjarrit dhe ujit, por Ti na nxore, o Zot, në vend freskie” (Ps. 65.12). Pasi i ekzekutuan, xhelatët ngarkuan trupat e tyre në një karro, që t’i hidhnin në zjarr. Vunë re se më i riu nga ata, Melitoni, ishte ende gjallë dhe e lanë, mënjanë, me shpresën se do të bindej për të mohuar besimin. Por e ëma, e cila kishte ndjekur tërë ngjarjen, e mori të birin në krahë dhe e vuri vetë mbi karro, me trupat e tjerë, duke thënë: “Mos e lër kurorën, o bir; bashkohu me shokët e tu, që të shijosh dritën e përjetshme, e cila do ta zhdukë hidhërimin tim”. Dhe, pa derdhur lot, e shoqëroi karrocën me fytyrë të gëzuar deri te turra e zjarrit.
Duke zbatuar urdhrin e qeveritarit, ushtarët e shpërndanë hirin e martirëve dhe kockat e tyre i hodhën në lumë. Pas tri ditësh, shenjtorët iu shfaqën në një vegim episkopit të Sebastisë, Petros, dhe i treguan vendin në lumë ku do të gjente lipsanet e tyre, me qëllim që t’i nderonin besimtarët. Në vazhdim, lipsanet e dyzet martirëve u shpërndanë në vende të ndryshme dhe nderimi i tyre u përhap kudo, sidomos për hir të familjes së shën Vasilit të Madh, e cila i nderonte në mënyrë të veçantë.
Një natë para martirizimit, shenjtorët i diktuan një skllavi të ri, Evnoikut, një Testament në formë këshillash. Ky skllav, dëshmitar i ndeshjeve të tyre, mundi t’u shpëtonte persekutorëve. Këtë tekst të shkëlqyer ai ua la pasardhësve të tij dhe u kujdes për kishën ku do të vendoseshin lipsanet e shenjtorëve. Në këtë Testament përmenden emrat e Dyzet Martirëve: Akaki, Aeti, Aleksandri, Angjia, Athanasi, Kandidi (ose Klaudi), Kirili, Dometiani, Domni, Ekdiki, Ilia, Evnoiku, Eftiki, Flavio, Gaji, Gorgoni dhe një tjetër me të njëjtin emër, Iliani, Irakli, Iziki, Joani, Kudioni, Leoniku, Lisimaku, Meleti, Melitoni, Nikolla, Filoktimoni, Priski, Kirioni, Sakerdoni, Severiani, Sisini, Smaragdi, Theodhuli, Theofili, Valensi, Valeri, Viviani, Ksanthia. Njëri prej tyre u largua dhe ushtari Aglai i zuri vendin, për të plotësuar numrin e shenjtë.
* * * * *
– Oshënar Qesari, mjek –
Shën Qesari lindi në vitin 330 dhe ishte vëllai më i vogël i shën Grigorit (25 janar). I edukuar me dashurinë për virtytet e shenjta nga shën Nona dhe shën Grigori i Nazianzit (1 janar), ai ndoqi vëllain. Pasi përfundoi studimet e përgjithshme në qendrat më të mëdha kulturore të kohës; fillimisht në Qesari të Kapadokisë, më pas në Qesari të Palestinës dhe në fund në Aleksandri, ku përfundoi studimet me sukses në matematikë, astronomi, filozofi dhe retorikë. Por ai interesohej më shumë për mjekësinë, e cila atëherë merrej jo vetëm me shkencën e shërimit të sëmundjeve trupore, por edhe me mënyrën se si ato lidheshin me shpirtin. Me sa duket, u njoh me shën Athanasin e Madh dhe shën Andonin e Madh dhe përfitoi shumë nga shembulli i këtyre dy shtyllave tepër të mëdha të Kishës.
Më pas shkoi në Konstandinopojë, ku u prit me respekt nga perandori Konstanc (337-361), i cili e emëroi shën Qesarin mjek të pallatit mbretëror. Më vonë edhe perandori Julian (361-363), tregoi respekt për të dhe Qesari ishte i vetmi i krishterë që nuk u dërgua nga ai në mërgim. Madje, e ngriti në detyrën e kryemjekut dhe i besoi të ardhurat publike. Shën Grigor Theologu dhe pjesa tjetër e familjes u shqetësuan nga frika, se mos ndoshta Qesari mohonte Krishtin nën ndikimin e oborrit mbretëror dhe i vëllai i dërgoi një letër ku e nxiste të braktiste pallatin dhe të kthehej në vendlindje. Por Qesari qëndroi në Konstandinopojë edhe për pak kohë, për të ndihmuar të krishterët e përndjekur dhe për të bindur perandorin. Shumë shpejt kuptoi se më kot përpiqej të bindte Julianin, i cili sa vinte e bëhej më tiran dhe madje i kërkoi Qesarit të mohonte besimin, se do t’i shtonte privilegjet.
Atëherë Qesari pohoi me zë të lartë para tërë njerëzve të oborrit, se kurrë nuk do të hiqte dorë nga besimi te Krishti, edhe sikur të vuante çfarëdo lloj gjëje. Ai la pas të gjitha ofiqet e të mirat që gëzonte dhe u kthye në vendlindje, në Nazianz, në shtëpinë e prindërve, duke ndihmuar banorët që vuanin nga sëmundje të ndryshme. Kur Juliani vdiq në mënyrë mjerane, Qesari u kthye përsëri në Konstandinopojë, gjatë mbretërimit të Valensit (364-378). U emërua kuestor i thesarit dhe i të ardhurave publike në Nikea të Bitinisë, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të jetës. Për shkak të pozitës, mundi të shpërndante lëmosha dhe të ndihmonte të varfrit.
Pasi shpëtoi për mrekulli nga një tërmet i frikshëm, i cili e shkatërroi pothuajse tërësisht Nikean, vendosi të hiqte dorë nga të gjitha përgjegjësitë zyrtare, që t’i përkushtohej plotësisht Perëndisë, njësoj si vëllai, Grigori. U pagëzua në moshë të pjekur, siç ishte zakoni atëherë dhe u ushtrua në asketizëm. Por u sëmur shpejt dhe vdiq në Nikea, më 10 mars të vitit 369, para së të pranohej si murg. Me një testament të shkurtër dhe prekës, ia linte tërë pasurinë të varfërve. Trupi i tij u transferua në Arianz, për t’u varrosur në prani të të afërmve të tij. Shën Grigor Theologu mbajti me këtë rast një fjalim të përmortshëm, i cili u bë model i kësaj gjinie, në të cilin nxiste të krishterët të hiqnin dorë, ashtu si Qesari, nga kotësia e ofiqeve të kësaj bote, që të merrnin bekimet qiellore.