– Oshënar dëshmor Kononi –

Shën Kononi jetoi në kohën e apostujve në qytetin e Binadës, që ndodhej jo larg Seleucisë, në Mitropolinë e Isaurisë. Mësoi besimin nga Kryeengjëlli Mihail, cili iu shfaq i veshur me rrobë të shndritshme, e pagëzoi në Emrin e Trinisë së Shenjtë dhe e kungoi me Misteret e Shenjta. Gjatë gjithë jetës, Kryeengjëlli e mbrojti dhe i dha pushtet të kryente mrekulli. Nën frymëzimin e tij, Kononi, i detyruar nga prindërit që të martohej, arriti ta bindte miken e tij, Anën, të jetonin si motër e vëlla, që së bashku të kultivonin lulen e paprishshme të dëlirësisë. Me shembullin e kësaj jete të shenjtë dhe fjalët e tij, arriti të kthente edhe prindërit. Ka mundësi që i ati, Nestiri, të ketë marrë kurorën e martirit pasi rrëfeu Krishtin.

Në vigjilje të një prej festave të papastra pagane, që zhvillohej në një shpellë shumë larg qytetit, idhujtarët iu kundërvunë shenjtorit. Por, që të ndaloheshin grindjet e kota, u morën vesh se, ai që do të mbërrinte i pari në shpellë do të tregonte superioritetin e perëndisë së tij. Shën Kononi u nis më këmbë, por me ndihmën e Kryeengjëllit Mihail arriti i pari, pa u djersitur dhe pa u lodhur, ndërsa paganët, sado që kishin hipur mbi kuaj, mbërritën aty më vonë, të djersitur e duke dihatur. Sado që u befasuan nga kjo mrekulli, nuk u tundën në pabesinë e tyre dhe kërkuan të mësonin nga vetë idhulli, se cili perëndi ishte më i madh. Me urdhër të shenjtorit demoni që fshihej te statuja erdhi dhe iu përkul para këmbëve, duke rrëfyer: “Një është Perëndi i vërtetë, Krishti që ti shpall!”. Atëherë paganët bërtitën me zë të lartë: “Po, Një është Perëndia i vërtetë, Perëndia i Kononit. Perëndia i Kononit fitoi!”. Banorët e Isaurisë e kremtojnë për vit këtë thirrje në kujtim të shenjtorit të tyre mbrojtës.

Tregohet se shën Kononi, falë dëlirësisë së tij dhe mbështetjes së Kryeengjëllit Mihail, kishte fituar një pushtet të tillë mbi demonët, sa i urdhëronte disa të shkonin të punonin tokën si skllevër dhe disa të tjerë i kishte mbyllur në shtamba prej balte të pjekur dhe i kishte futur në themelet e banesës së tij.

Kur qeveritari Magni erdhi në Isauri, me mision për të zbatuar ediktet perandorake kundër të krishterëve, shën Kononin e arrestuan dhe e nxorën para tij. E kamxhikuan pa mëshirë, por nuk pushoi së rrëfyeri besimin e tij. Kur mësoi për këtë populli, shumica të cilit kishte përqafuar besimin e krishterë falë predikimit të Kononit, u mblodh duke thirrur në vendin ku po e torturonin, duke kërkuar që ta shpëtonin. Qeveritari, i frikësuar për jetën, u arratis dhe populli e çoi shenjtorin e përgjakur në shtëpi, ku dy vjet më vonë dha shpirt më Zotin.

Pak kohë pas fjetjes së shën Kononit, të krishterët e vendit menduan ta shndërronin në kishë shtëpinë e tij. Gjatë punimeve, njëri nga ata gjeti në themel një enë që mbante frymë të papastra. Kur panë se shtamba ishte e vulosur dhe tepër e rëndë, menduan se kishte florinj dhe e hapën. Demonët dolën në formë zjarri, i cili i rrëzoi përtokë ndërtuesit, rrënoi kishën dhe i bëri hi të gjitha materialet e djegshme. Pastaj demonët u vendosën mbi rrënoja, ku askush nuk mund të afrohej pas perëndimit të diellit. Atëherë të krishterët kreshmuan një ditë të tërë dhe me përgjërime të nxehta kërkuan ndërmjetimin e shenjtorit. Ai nuk vonoi të ndërhynte dhe e pastroi vendin prej demonëve.

* * * * *

– Dëshmor Konon Kopshtari –

Ky shenjtor, me të njëjtin emër, ishte me prejardhje nga Nazareti i Palestinës dhe jetoi në kohën e persekutimit të Decit (249-251). La atdheun e vet dhe shkoi në Pamfili, në qytetin e Magidos, ku jetonte shumë thjesht, duke kultivuar një kopsht të vogël.

Pas persekutimit të martirëve të shenjtë Papia, Diodori dhe Klaudiani (25 tetor), dhe ekzekutimit të episkopit të qytetit, shën Nestorit (28 shkurt), qeveritari Publius kërkoi me tellallët e tij të mblidheshin të gjithë banorët, por të krishterët ikën, duke lënë pas të gjitha pronat. Kononi mbeti i vetëm në qytetin e shkretuar. Ushtarët, që ishin urdhëruar të kontrollonin shtëpi më shtëpi, e gjetën Kononin duke punuar në kopshtin e tij. I thjeshtë dhe pa ligësi në shpirt, shenjtori iu drejtua me fjalët:

“Përshëndetje, bijtë e mi!”. Por ata e lidhën pas kalit të komandantit që ta çonin para qeveritarit dhe shenjtori i ndoqi pa kundërshtuar. “Qeveritar i nderuar, i thanë ushtarët, i ramë kryq e tërthor qytetit dhe rrethinave dhe gjetëm vetëm këtë plak duke punuar në kopsht. Ai duhet të përgjigjet për të gjithë të krishterët e qytetit”. Pasi e pyeti për origjinën dhe besimin, Publiusi i tha Kononit: “Nuk të kërkoj të bësh therore, por vetëm merr pak temjan, pak verë dhe një degë palme dhe thuaj: “Zeus i tërëlartë, shpëtoje këtë popull!”. Thuaj këtë dhe nuk të kërkoj asgjë tjetër. Jepi fund kësaj marrëzie dhe jeto i lumtur mes nesh”. Martiri i bekuar ngriti sytë drejt qiellit duke psherëtirë dhe pohoi: “O më i mjeri i njerëzve! Është vullneti i Perëndisë që edhe ti merr pjesë në këtë çmenduri. Sa për mua, do ta himnoj dhe do ta lavdëroj Perëndinë në jetë të jetëve bashkë me ata që i dënove me vdekje, ngaqë nuk e mohuan Emrin e Tij të Tërëshenjtë”.

Tirani, shumë i zemëruar, e kërcënoi shenjtorin me tortura, por nuk mundi ta lëkundte nga besimi. Më pas, pasi foli me këshilltarët, urdhëroi t’i ngulnin gozhdë në kyçe dhe e detyroi të vraponte para karrocës së tij, ndërsa dy ushtarë e godisnin me kamxhik. Shenjtori, teksa vraponte, psalte dhe i lutej Perëndisë. Kur e çuan në sheshin e pazarit të qytetit, u gjunjëzua i rraskapitur dhe u lut kështu: “Zot, shpëtomë nga qentë e pangopur që kërkojnë të pinë gjakun tim dhe jepmë prehjen bashkë me gjithë të drejtët që bënë vullnetin Tënd të shenjtë!”. Pastaj bëri shenjën e Kryqit dhe dha shpirtin, si flijim të shumëçmuar te Perëndia.