APOSTULLI – 2 Joani 1-13.
Unë plaku zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj, të cilët unë i dua me të vërtetë, edhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën, për të vërtetën që mbetet ndër ne dhe do të jetë bashkë me ne për gjithë jetën; qoftë bashkë me ju hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë dhe prej Zotit Jisu Krisht, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri.
U gëzova shumë se gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sikundër morëm urdhërim prej Atit. Edhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj ndonjë urdhërim të ri, por atë që kishim që në fillim, të duam njëri-tjetrin.
Edhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të atij. Ky është urdhërimi, sikundër e dëgjuat që në fillim, që të ecni në atë.
Sepse shumë mashtrues hynë në botë, të cilët nuk rrëfejnë se Jisu Krishti erdhi në mish; i tillë është mashtruesi dhe antikrishti. Vështroni veten tuaj, që të mos humbasim ato që punuam, por të marrim pagë të plotë. Kushdo që bën shkelje dhe nuk mbetet në mësimin e Krishtit, ky nuk ka Perëndi; ai që mbetet në mësimin e Krishtit, ky ka edhe Atin edhe Birin.
Në qoftë se vjen ndonjë te ju edhe nuk sjell këtë mësim, mos e merrni në shtëpi, edhe mos i thoni atij: Përshëndetje. Sepse ai që i thotë atij: Përshëndetje, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.
Ndonëse pata shumë për t’ju shkruar juve, nuk desha më letër e më bojë; po shpresoj të vij tek ju, edhe të flas gojë më gojë, që të jetë i plotë gëzimi ynë.
Të përshëndesin djemtë e motrës tënde të zgjedhur. Amin.