APOSTULLI – 1 Joani 2:18-3:8.

Djema, është ora e fundit; edhe sikundër dëgjuat se antikrishti vjen, edhe tani ka shumë antikrishtër; prandaj e dimë se është ora e fundit. Prej nesh dolën, por nuk ishin prej nesh; sepse, po të ishin prej nesh, do të kishin mbetur me ne; po dolën që të shfaqen se nuk janë të gjithë prej nesh.

Edhe ju keni lyerje prej Shenjtit, edhe i dini të gjitha. Nuk ju shkrova juve, sepse nuk dini të vërtetën, por sepse e dini atë, edhe sepse çdo gënjeshtër nuk është nga e vërteta. Kush është gënjeshtari, veç ai që mohon se Jisui nuk është Krishti? Ky është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.

Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; ai që pohon Birin, ka edhe Atin. Ajo pra që ju dëgjuat që në fillim, le të mbetet ndër ju. Në mbettë ndër ju ajo që dëgjuat që në fillim, edhe ju do të mbeteni te Biri e tek Ati.

Edhe ky është premtimi që ai na premtoi, jetën e përjetshme. Këto jua shkrova juve për ata që ju mashtrojnë. Edhe lyerja që morët nga ai mbetet ndër ju, edhe s’keni nevojë t’ju mësojë ndonjë; por siç ju mëson ju po ajo lyerje për të gjitha, edhe është e vërtetë, edhe nuk është gënjeshtër; edhe sikundër ju mësoi juve, do mbeteni në atë.

Edhe tani, djemthit e mi, mbetuni në atë, që kur të shfaqet, të kemi guxim e të mos turpërohemi nga ai në ardhjen e tij.
Nëse e dini se është i drejtë, e dini se kushdo që bën drejtësinë prej atij ka lindur. Shihni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë; prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë.

Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë; por ende s’është shfaqur se ç’do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet, do të jemi si ai; sepse do ta shohim atë siç është. Edhe kushdo që ka këtë shpresë në atë, pastron veten e tij, siç është ai i pastër.

Kushdo që bën mëkatin, bën edhe paudhësinë; sepse mëkati është paudhësia. Edhe e dini se ai u shfaq që të ngrejë mëkatet tona; edhe mëkat nuk ka tek ai.
Kushdo që mbetet tek ai, nuk mëkaton; kushdo që mëkaton nuk e ka parë atë, as nuk e ka njohur atë.

Djemthit e mi, le të mos ju mashtrojë askush; ai që bën drejtësinë, është i drejtë, sikundër është ai i drejtë. Ai që bën mëkatin, është nga djalli; sepse që në fillim djalli është duke mëkatuar.

Prandaj u shfaq i Biri i Perëndisë, që të prishë punët e djallit.