APOSTULLI – 1 Petro 4:12-5:5.
Të dashur, mos t’ju vijë çudi për zjarrin që u bë tek ju për t’ju vënë në provë, si të ketë ngjarë tek ju ndonjë punë e çuditshme. Por gëzohuni se jeni pjesëtarë të pësimeve të Krishtit, që të gëzoheni duke u ngazëlluar edhe në zbulimin e lavdisë së tij.
Nëse shaheni për emrin e Krishtit, jeni të lumur; sepse Fryma e lavdisë dhe ajo e Perëndisë prehet mbi ju; sipas atyre shahet, po sipas jush lavdërohet. Sepse asnjë prej jush le të mos pësojë si vrasës, apo si vjedhës, apo si keqbërës, apo si ndërhyrës në punët e të tjerëve.
Edhe në pësoftë si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të lavdërojë Perëndinë për këtë. Sepse arriti koha të nisë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; edhe në nistë më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që s’binden në ungjillin e Perëndisë? Edhe “nëse i drejti mezi shpëton, i pabesi edhe mëkatari ku do të duket”?
Prandaj edhe ata që pësojnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’ia besojnë shpirtrat e tyre atij si krijues besnik, me vepra të mira.
U lutem pleqve që janë ndër ju unë plaku, shoku i tyre, edhe dëshmitar i pësimeve të Krishtit, edhe pjesëtar i lavdisë që është për t’u zbuluar: Ruani grigjën e Perëndisë që është ndër ju, duke u kujdesur për atë jo me pahir, po me dëshirë; as për fitim të pandershëm, po me gatishmëri; as si të jeni zotërinj mbi trashëgimin e Perëndisë, po duke u bërë shëmbuj për grigjën.
Edhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e pavyshkur të lavdisë.
Gjithashtu edhe ju më të rinjtë, ulini kryet pleqve; edhe të gjithë, duke i ulur kryet njëri-tjetrit, vishni mendjen e përulur; sepse “Perëndia u rri kundër kryelartëve, po të përulurve u jep hir”.