– Dëshmor Niqifori –

Në mbretërimin e Valerianit dhe të Galienit (253-260), jetonin në Antioki të Sirisë dy të krishterë, që ishin miq aq të ngushtë, saqë dikush mund të mendonte se ishin një shpirt i vetëm, një vullnet dhe një zemër. Megjithatë, për shkak të zilisë së djallit, miqësia midis priftit Saprik dhe laikut Niqifor u kthye në urrejtje të skajshme. Pas njëfarë kohe, Niqifori erdhi në vete dhe e kuptoi se në sytë e Zotit nuk ka asgjë më të vyer se dashuria e ndërsjellë dhe pajtimi mes atyre të cilët smira e djallit i ka ndarë. Ai dërgoi shumë njerëz te Sapriku, për t’i kërkuar falje për hir të Krishtit. Por mesazhet e tij të paqes hasën në mospranimin kokëfortë të Saprikut zemërgur, i cili, duke shkelur porosinë e Zotit, vazhdoi të ofronte Sakrificën e shenjtë pa u pajtuar me vëllanë e tij (Matth. 5:22). Niqifori vendosi të shkonte vetë personalisht dhe u hodh te këmbët e Saprikut, me shpresë se ai do të zbutej. Por prifti i pamëshirshëm u largua pa i hedhur qoftë edhe një vështrim mikut të tij, që e luste i gjunjëzuar.

Në atë kohë nisi një persekutim i ri kundër të krishterëve dhe Saprikun e arrestuan dhe e shpunë përpara prokonsullit për ta gjykuar. Ai nuk e mohoi faktin se ishte prift i krishterë dhe se për të ishte më mirë të vdiste, sesa t’u ofronte sakrificë idhujve të rremë. Mbeti i palëkundur edhe gjatë torturave dhe për këtë arsye u dënua me vdekje, me prerje koke. Niqifori ishte i shqetësuar për Saprikun, i cili ishte ende armik për të e për këtë arsye do ta sakrifikonte jetën më kot për hir të emrit të Krishtit. Kështu, kur Saprikun po e çonin drejt vendit të ekzekutimit, ai u hodh në këmbët e tij, duke thirrur: “Martir i Krishtit, falmë fyerjet për të cilat je i zemëruar me mua!”. I ftohtë si guri, Sapriku vazhdoi më tej rrugën. Por Niqifori vazhdonte t’i kërkonte falje duke e ndjekur pas mikun e tij, të cilin ushtarët e shtynin me forcë, por pa rezultat. Ai bëri edhe një përpjekje të fundit, kur eskorta arriti në vendin e caktuar, por Sapriku iu përgjigj me zemëratë dhe përbuzje lotëve të Niqiforit.
Në çastin kur xhelati ngriti shpatën, kur kurora e pavyshkur e martirizimit ishte gati të zbriste nga qielli, Perëndia e tërhoqi hirin e tij nga Sapriku i pavyer. Ai iu kthye xhelatit dhe e pyeti: “Përse kërkon të më presësh kokën?”. – “Sepse ti nuk i bindesh urdhrit të perandorit për t’iu falur idhujve”. “Mos më vrit për këtë, sepse jam gati t’u sakrifikoj idhujve” – i tha Sapriku xhelatit. Niqifori i thirri: “Jo, vëllai im i shtrenjtë, mos bëj kështu. Mos e humb kurorën për të cilën ti ke vuajtur kaq shumë, duke e mohuar Zotin!”. Por Sapriku, që kishte mbetur i shurdhër ndaj kërkesës së mikut të tij për ta falur, nuk dëgjonte më. Atëherë Niqifori iu kthye xhelatëve dhe u tha: “Unë jam i krishterë! Besoj te Zoti ynë Jisu Krisht, që ai e ka mohuar. Ma prisni mua kokën në vend të tij!”.

Guvernatori u informua për gjithçka dhe dha urdhër ta lironin Saprikun dhe të ekzekutonin Niqiforin në vend të tij. Shenjti e uli kokën i bindur dhe me gëzim përpara shpatës së xhelatit dhe, duke ndjekur shembullin e Krishtit, e ofroi veten e tij në vend të atij që, për shkak të egoizmit dhe zemër ngurtësisë, kishte hedhur poshtë shpërblimin e të gjitha përpjekjeve. Me këtë shembull të martirizimit shën Niqifori na la ne të krishterëve një shembull të gjallë të fjalëve të frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë: Edhe sikur të dorëzoj trupin tim që të digjet, e dashuri të mos kem, nuk më bën fare dobi (1 Kor. 13:3). Po, nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja… Sepse me çfarë gjyqi gjykoni, do të gjykoheni (Matth. 6:15; 7:2).

* * * * *

– Hierodëshmorët Markeli i Siçilisë, Filagri i Qipros, Pankrati i Taorminës –

Shën Markeli (Marceli) ishte ati, sipas mishit, i shën Pankratit. Ata jetuan në Antioki gjatë jetës tokësore të Zotit tonë Jisu Krisht. Kur dëgjuan për mrekullitë dhe mësimin e Tij hyjnor, u nisën për në Jerusalem për ta parë Zotin me sytë e tyre. Pankrati u bë mik i ngushtë i shën Petros dhe, pas Ngjitjes së Zotit në qiell, ai e shoqëroi atë në misionet e tij. Shën Petroja e dorëzoi episkop të qytetit sicilian të Taorminës, ku dhe gjeti vdekje të lavdishme me martirizim.

Shën Markeli u caktua episkop i Sirakuzës, po në Sicili. Ai konvertoi shumë paganë me anë të mësimit të tij dhe fjeti në paqe.
Shën Filagri, që u bë episkop i Qipros, shpalli me kurajë emrin e Shpëtimtarit dhe vuajti shumë mundime për besimin e vërtetë, para se të shkonte te Zoti.