UNGJILLI – Mateu 24:1-13.
Edhe pasi Jisui doli e po ikte nga tempulli, nxënësit e tij i erdhën pranë që t’i tregojnë ndërtesat e tempullit. Po Jisui u tha atyre: A nuk i shihni gjithë këto? Me të vërtetë po ju them juve: Nuk do të mbetet këtu gur mbi gur që të mos rrëzohet.
Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja e ardhjes tënde dhe e mbarimit të jetës?
Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Shikoni se mos ju gënjen juve ndonjë. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë njerëz. Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është.
Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të ketë zi buke dhe murtaja, edhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve të lindjes.
Atëherë do t’ju dorëzojnë juve për shtrëngim, edhe do t’ju vrasin; edhe do të urreheni nga gjithë kombet për emrin tim. Edhe atëherë do të skandalizohen shumë vetë, edhe do të dorëzojnë njëri-tjetrin, edhe do të urrejnë njëri-tjetrin.
Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen edhe do të gënjejnë shumë vetë; Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet. Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.