UNGJILLI – Mateu 22:2-14.
Mbretëria e qiejve është e ngjashme me një njeri mbret, i cili bëri dasmë për të birin e tij. Edhe dërgoi shërbëtorët e tij të thërresin ata që qenë ftuar në dasmë, por nuk deshën të vijnë.
Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë, duke thënë: Thuajuni atyre që janë ftuar: Ja tek bëra gati drekën time. Demat e mi dhe berrat e ushqyer janë therur dhe të gjitha janë gati; ejani në dasmë. Po ata përtuan e shkuan, njëri në arën e tij e tjetri në tregtinë e tij. Edhe të tjerët zunë shërbëtorët e atij e i shanë e i vranë. Po mbreti kur dëgjoi u zemërua, edhe dërgoi ushtritë e tij, edhe i prishi ata vrasësit, edhe dogji qytetin e tyre.
Atëherë u thotë shërbëtorëve të tij: Dasma është gati, po ata që qenë të ftuar nuk ishin të denjë. Shkoni pra nëpër daljet e udhëve, edhe sa të gjeni, t’i ftoni në dasmë. Edhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë e mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë; edhe dasma u mbush me njerëz që rrinin në tryezë. Dhe mbreti kur hyri të shohë ata që rrinin në tryezë, pa atje një njeri që s’kishte veshur rrobë dasme.
Edhe i thotë atij: Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Po ai mbylli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: Lidheni atë prej këmbësh e prej duarsh dhe ngrijeni, edhe hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve. Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.