UNGJILLI – Llukai 2:25-38.

Edhe ja tek ishte në Jerusalem një njeri, me emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë edhe me frikë Perëndie, duke pritur ngushëllimin e Izraelit edhe Fryma Shenjtë ishte mbi të. Edhe ishte zbuluar tek ai prej Frymës së Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shihte Krishtin e Zotit.

Edhe erdhi me anë të Frymës në tempull; edhe kur prindërit prunë brenda djalin Jisu, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit, ai e mori në krahët e tij dhe bekoi Perëndinë e tha: Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, me paqe; sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd, që e bëre gati përpara faqes së të gjithë popujve, dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael.

Edhe Josifi dhe e ëma e tij po çuditeshin për ato që fliteshin për të. Edhe Simeoni i bekoi ata, edhe i tha Mariamës, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, edhe për shenjë kundërshtimi. Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.

Edhe atje ishte Ana, një profeteshë, e bija e Fanuelit, prej fisit të Asirit. Kjo ishte shumë e shkuar në ditë, edhe kishte jetuar me burrin shtatë vjet pas virgjërisë së saj. Edhe kjo ishte një e ve rreth tetëdhjetë e katër vjeç, e cila nuk ndahej prej tempullit, duke i shërbyer Perëndisë me agjërime e me lutje natë e ditë. Edhe kjo, pasi arriti në atë orë, lavdëronte Zotin, edhe u fliste për të, gjithë atyre që pritnin çlirim në Jerusalem.