– Paraqitja e Zotit tonë Jisu Krisht në Tempull (Ipapandia) –

 

Kur u mbushën dyzet ditë, të cilat ishin të caktuara nga ligji i Moisiut për pastrimin e nënës së një fëmije të porsalindur, e Tërëshenjta, Nëna e Perëndisë, dhe shën Josifi, sollën Fëmijën Jisu në Jerusalem, për ta paraqitur në Tempull. Sepse çdo i parëlindur, që i takonte Perëndisë, duhet t’i përkushtohej Atij në Tempull dhe të shpërblehej kështu me ofertë sakrifikuese nga një viç motak, dy turtuj ose dy pëllumba për familjet e varfra (Lev. 12:8). Zoti i qiellit dhe i dheut dhe Ligjvënësi i popullit të Izraelit nuk erdhi për ta shkatërruar Ligjin, por për ta plotësuar (Matth.5:17). Duke marrë përsipër natyrën tonë, që ishte bërë e vdekshme për shkak të mosbindjes së Adamit, ai e ripërtëriu nga çasti i ardhjes së Tij në botë, duke iu bindur të gjitha urdhëresave të Ligjit. Duke qenë burimi i të gjitha pasurive dhe i të gjitha hireve, Ai e bën veten më të varfër nga të gjithë ne. Është i bindur ndaj ligjit, që Ai vetë na e ka dhënë dhe të cilin ne si njerëz nuk reshtëm kurrë së shkeluri, duke na treguar kështu se mënyra e pajtimit me Perëndinë është bindja. Megjithëse as Ai dhe as Nëna e Tij e panjollë nuk kanë nevojë për ndonjë pastrim, pasi e nënshtroi mishin e Tij te rrethprerja të tetën ditë (1 janar), Ai priti në shpellën e Bethlehemit kohën e caktuar nga Ligji, që të paraqitej në Tempullin e lavdisë së Tij, në trupin që Ai e mori për t’u bërë kështu Tempulli i ri dhe i përsosur i Hyjnisë së Tij. Duke qenë Perëndia i pakuptueshëm dhe i paafrueshëm, Ai pranoi të pritej në shkëmbim të dy pëllumbave, simbol i pastërtisë, i paqes dhe i pafajësisë, të cilat Shpëtimtari, miku i njeriut, erdhi për të na i dhënë neve.

Kur mbërriti në Tempull, thuhet se u përshëndetën nga kryeprifti Zaharia, ati i Shën Joan Pagëzorit, i cili, papritur, e drejtoi Nënën e Zotit në vendin e veçuar për virgjëreshat. Në çastin kur ata mbërritën në Tempull, u doli përpara një njeri i quajtur Simeon. Ai ishte i drejtë dhe i devotshëm, ruante të gjitha urdhëresat e Perëndisë dhe kishte vite që priste, që të plotësohej premtimi i Perëndisë, i shprehur me anë të një profecie, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë. Sipas kësaj profecie ai nuk do të vdiste përpara se të shikonte dhe të prekte Krishtin, Perëndinë. Simeoni, që simbolizon të gjithë pritjen e popullit të Izraelit, i shtriu duart për të pritur Shpëtimtarin si në një fron keruvik, e bekoi Perëndinë dhe tha: “Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd në paqe, sipas fjalës sate; se sytë e mi panë shpëtimin tënd (Lluk. 2:29). Dhiata e parë e Ligjit të Vjetër, që perëndoi me ardhjen e Krishtit, nëpërmjet lutjes së Simeonit kërkon leje të tërhiqet me ardhjen e Dritës së Hirit. Ky burrë i vjetër, duke parë dhe duke prekur Shpëtimtarin, që ishte pritur për një kohë aq të gjatë prej profetëve dhe të drejtëve, arriti t’i kërkonte Perëndisë në afrimitet të plotë që ta lejonte të çlirohej nga lidhjet e prishjes dhe të mishit, për t’i lënë vend rinisë së përjetshme të Kishës. Kështu lajmëroi largimin e tipave dhe figurave të ndryshme, dhe bëri edhe profecinë e fundit duke i paratreguar Hyjlindëses, Nënës së Zotit, që Pësimi dhe Ngjallja e Tij jetëprurëse do të ishte një shenjë kontradikte dhe se do të ndodhnin për rënien e të padrejtëve dhe për ngritjen e atyre që besojnë tek Ai.

Një grua e quajtur Ana, vejushë e shkuar në moshë nga fisi i Asherit, erdhi edhe ajo pranë Fëmijës dhe nisi të lavdëronte Perëndinë. Ajo ishte shumë e njohur ndër të gjithë ata që shkonin në Tempull, sepse i shërbente Zotit pareshtur, duke pritur Ardhjen e Mesisë, me kreshmë dhe me lutje. Ajo e lavdëroi gjithashtu Perëndinë dhe foli për Fëmijën me të gjithë ata që kërkonin për shpëtimin e Izraelit.

Duke dëgjuar të gjitha këto zbulesa, farisenjtë, që ndodheshin atje, shkuan të informonin mbretin Herod, sepse ata ishin tërbuar që panë Marinë të vendosur në mes të virgjëreshave nga kryeprifti. Herodi e kuptoi se Fëmija duhej të ishte Mbreti i ri, për të Cilin i kishin folur magët, të cilët ndoqën yllin nga Lindja dhe dërgoi menjëherë ushtarë për ta vrarë. Por, të lajmëruar në kohë, Josifi dhe Maria ikën nga qyteti dhe kërkuan strehë në Egjipt, të udhëhequr nga një engjëll i Perëndisë. Sipas traditës, kaluan dy vjet e gjysmë përpara se ata të ktheheshin në Nazaret të Galilesë. Atje Fëmija hyjnor u rrit në qetësi derisa nisi misionin e Tij në botë.

Festa e Paraqitjes së Zotit që në Perëndim njihet si Pastrimi i Nënës së Zotit ose Dita e Kandlemas u kremtua në Jerusalem në shekullin e 4-t. U soll në Konstandinopojë nga perandori Justinian në vitin 542 dhe që nga ajo kohë është futur në të kremtet e Zotit.

* * * * *

– Dëshmor i ri Jordani i Trebizondës –

Shën Jordani, që ishte me origjinë nga Trebizonda, punonte si bakërpunues në Konstandinopojë. Në një festë, kur ishte duke dëfryer me disa turq të të njëjtit zanat, njëri prej tyre bëri shaka me shën Nikollën, së cilës Jordani iu përgjigj duke bërë një tjetër shaka me Muhametin. Mëngjesin tjetër i thanë se turqit kishin dënuar me vdekje këdo që tallej me profetin e tyre. Ai u strehua në shtëpinë e një miku turk, por ky i fundit e dorëzoi nga frika se mos e akuzonin se kishte strehuar një blasfemues. Pasi nuk pranoi asnjë nga propozimet e gjykatësit për të ndryshuar fenë, Jordani pohoi me guxim besimin e tij te Krishti.

Shenjtin e dënuan me vdekje dhe ai e pranoi këtë me gëzim. E lejuan të kthehej në dyqanin e tij për të rregulluar të gjitha punët e lëna në mes; pagoi të gjitha borxhet dhe gjithë pasurinë ua shpërndau kishave, manastireve dhe jetimëve. Ai nxitoi me gëzim te vendi i ekzekutimit, duke i kërkuar të falur të gjithë të krishterëve që i takonte në rrugë. Më 2 shkurt 1650 i prenë kokën.