APOSTULLI – 1 Timotheut 4:9-15.

E besueshme është fjala dhe e denjë për t’u pranuar. Sepse për këtë edhe mundohemi edhe përbuzemi, se shpresuam në Perëndinë e gjallë, i cili është shpëtimtari i gjithë njerëzve, po më fort i besimtarëve. Këto porosit edhe mëso.

Askush le të mos të të përbuzë për rininë tënde, po bëhu shembull i besimtarëve në fjalë, në shoqëri, në dashuri, në frymë, në besim, në dëlirësi. Deri sa të vij unë, jepu pas leximit, pas këshillimit, pas mësimit. Mos ji i pakujdesshëm për dhuntinë që është tek ti, e cila t’u dha me anë profecie, me vënien e duarve të pleqësisë. Për këto kujdesu, në këto qëndro, që të shfaqet mbarësia jote tek të gjithë.