– Anargjendët Kiri e Joani, dëshmore Athanasia me vajzat –

Shën Kiri ishte një i krishterë i devotshëm nga Aleksandria, i cili ushtronte profesionin e mjekut dhe njëkohësisht shëronte shpirtra dhe i drejtonte te Krishti. Ata që shkonin tek ai, i këshillonte: “Nëse doni të mos sëmureni, ruhuni nga mëkati. Sepse sëmundja është shpesh pasojë e mëkatit”. Shëronte trupat me anë të lutjes dhe i sillte në jetë shpirtrat e atyre që kishin rënë në idhujtari. Duke parë suksesin e tij, paganët e denoncuan te qeveritari i qytetit, njeri i ashpër dhe mizor, të cilin Diokleciani e kishte ngarkuar të përndiqte të krishterët (rreth 303). Nuk arritën dot ta arrestonin, sepse shenjti u arratis dhe arriti në Arabi, ku u bë murg dhe fitoi famë të madhe nga mrekullitë që bënte vetëm duke bërë shenjën e kryqit.

Për të dëgjoi edhe Joani, ushtar me origjinë të shquar nga Edhesa (Mesopotami), i cili vendosi të braktiste ushtrinë tokësore për të hyrë në atë qiellore. Pasi hoqi dorë nga çdo pasuri dhe lavdi bote, shkoi në Jerusalem, më pas takoi Kirin në Egjipt, dhe menjëherë u bë dishepull e bashkëpunëtor i tij, si në virtyte, ashtu edhe në mrekulli.

Ndërsa persekutimet kundër të krishterëve po shtriheshin kudo, mësuan se qeveritari Siriano kishte kapur një të krishtere nga Kanopa, Athanasinë, bashkë me tri bijat e saj: Theoktistin, Theodhotën dhe Evdhoksinë, që ishin 15, 13 dhe 11 vjeçe. Atëherë vendosën të shkonin në Kanopa për t’u dhënë zemër shenjtoreve, se mos nga frika dhe mosha e tyre e njomë, vajzat e mohonin Krishtin. Arritën të futen në burg, por i zbuluan dhe i çuan para Sirianos. Ky, me mendimin se shenjtoret, duke parë vuajtjet e tyre do të dorëzoheshin, urdhëroi t’i torturonin shenjtorët Kir dhe Joan para tyre.

Por ata mbetën të patundur dhe u dhanë shenjtoreve forcë për të duruar torturat. Atëherë qeveritari dha urdhër që të gjithëve t’u priteshin kokat dhe ata shkuan të gjithë me një hap në vendin e ekzekutimit. Të krishterët morën trupat e tyre dhe i vendosën në kishën e Shën Markut në Aleksandri.

Në shekullin e 5-të, shën Kirili i Aleksandrisë (9 qershor), i cili donte ta zhdukte kultin idhujtar të Isizit në Menouhli (Abukir), transferoi atje lipsanet e shën Kirit dhe Joanit. Mrekullitë dhe shërimet u shtuan dhe kisha u bë një nga vendet më të mëdha të pelegrinazhit për botën e krishterë.

Në shekullin e 7-të, shën Sofroni i Jerusalemit u shërua nga një sëmundje e syve, pasi iu shfaqën të dy shenjtorët: Kiri i shëroi njërin sy me shenjën e kryqit dhe më pas Joani ia ktheu tërësisht shikimin, kur i puthi syrin tjetër. Në shenjë mirënjohjeje, shën Sofroni shkroi një lutje për mrekullitë e tyre. Shën Kiri dhe Joani renditen mes anargjendëve të tjerë.

 

* * * * *

– Dëshmorët Viktorini, Viktori, Niqifori, Klaudi, Diodori, Serapioni dhe Papia –

Këta 7 martirë të lavdishëm u arrestuan si të krishterë në Korinth gjatë persekutimit të Decit (249-251) dhe u nxorën para kryekonsullit të Peloponezit, Tercit.

Viktorini, pasi pësoi kamxhikime dhe tortura të tjera së bashku me shokët e tij, ia nxorën syrin, i prenë gishtat dhe këmbët, pastaj e hodhën në një havan të madh, ku i thyen të gjitha gjymtyrët dhe në këtë mënyrë dorëzoi shpirtin te Perëndia.

Niqiforin, e mbuluar me gjak nga goditjet, e varën prej flokësh, ia thyen gishtat një nga një dhe, meqenëse paganët donin ta detyronin të pinte verën e flijuar për idhujt, edhe ai u hodh në havan, ku vdiq bashkë me Viktorinin.

Klaudin e varën në shtyllë, ia shqyen faqet dhe vdiq pasi ia prenë duart dhe këmbët. Diodori fitoi kurorën e martirizimit në zjarr, pasi ia prenë trupin copë-copë me thikë. Serapionin e varën kokëposhtë, ia prenë gjymtyrët me shpatë dhe pastaj i prenë dhe kokën. Papias ia prenë duart, trupin ia shpuan me shtiza të mprehta dhe i lidhën në qafë një gur dhe e hodhën në det. Kështu që të shtatë morën kurorat e martirizimit.