UNGJILLI – Marku 5:1-20.

Edhe erdhën në anën e përtejme të detit, në vendin e Gadarinëve. Edhe sapo doli nga lundra, përnjëherë i doli përpara nga varret një njeri me frymë të ndyrë, që kishte banesën në varre, edhe asnjë s’mund ta lidhte as me vargonj. Sepse shumë herë qe lidhur me hekura ndër këmbë e me vargonj, po ai i kishte këputur vargonjtë dhe kishte thyer hekurat e këmbëve; dhe asnjë s’mund ta zbuste. Edhe gjithnjë, ditë e natë, ishte nëpër varre e nëpër male duke bërtitur e duke copëtuar veten e tij me gurë.

Edhe kur pa Jisuin për së largu, u lëshua me vrap dhe iu fal. Edhe duke bërtitur me zë të madh i tha: Ç’ke ti me mua, o Jisu, biri i Perëndisë së lartë? Të vë në be në Perëndinë, të mos më mundosh. Sepse Jisui i thoshte: Dil nga njeriu, o frymë e ndyrë. Edhe e pyeste: Si e ke emrin? Edhe ai u përgjigj e tha: Legjion është emri im, sepse jemi shumë. Edhe i lutej shumë, që të mos e dërgojë jashtë vendit. Edhe atje pranë malit ishte duke kullotur një tufë e madhe derrash.

Edhe iu lutën atij gjithë demonët, duke thënë: Dërgona tek derrat, që të hyjmë tek ata. Edhe Jisui përnjëherë u dha leje. Edhe frymët e ndyra dolën e hynë tek derrat; edhe tufa u hodh prej shkëmbit në det, – edhe ishin afro dy mijë, – edhe u mbytën në det.

Edhe ata që kullotnin derrat ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shohin ç’është kjo që u bë. Edhe vijnë tek Jisui dhe panë të demonizuarin që pati pasur legjionin, duke ndenjur dhe të veshur e të urtësuar; edhe u frikësuan. Edhe ata që panë u treguan atyre ç’u bë me të demonizuarin, si edhe për derrat. Edhe zunë t’i luten të ikë nga kufijtë e tyre. Edhe kur po hynte ai në lundër, ai që pat qenë i demonizuar i lutej të jetë bashkë me atë. Edhe Jisui s’e la, por i thotë: Shko në shtëpinë tënde tek njerëzit e tu dhe njoftoi për sa të bëri Zoti dhe të përdëlleu. Edhe ai iku e zuri të shpallë në Dekapol sa i bëri atij Jisui; edhe të gjithë çuditeshin.