– Apostull Timotheu nga të 70-t –

Shën Timotheu lindi në Listra, qytet romak i provincës së Likaonisë (Azi e Vogël). I ati ishte pagan, ndërsa nëna judease, e quajtur Efniki. Nëna dhe gjyshja e Timotheut, Loida, e rritën me përkushtim dhe dashuri për Shkrimet e Shenjta. Të dyja gratë ishin kthyer në Krishterim nga apostulli i madh Pavli gjatë qëndrimit të tij në Listra (45). Kur erdhi përsëri në këtë qytet, disa vite më vonë (rreth 50), ai e gjeti Timotheun e ri plot zell dhe admirim për betejat dhe vuajtjet që apostulli kishte duruar për Emrin e Krishtit. Me porosi të vëllezërve të Listrës dhe të Ikoniumit, Pavli e pagëzoi, vuri duart mbi të dhe e bëri shok në veprat e tij dhe dishepull të tij të preferuar. Ai e quan: “Biri im fort i dashur” (I dhe II Tim. 1) dhe dëshmitar të tij në kisha, duke thënë: “Se si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin” (Fil. 2.22). Megjithëse porosia e Ligjit u shkatërrua me Hirin, apostulli e rrethpreu dishepullin e tij të ri, me qëllim që të predikonte te judenjtë në sinagogat e tyre, si dhe në sheshe te paganët. I butë, i vetëpërmbajtur, model i bindjes dhe i përulësisë, shën Timotheu tregoi zell të palodhur në predikim, si ushtar i mirë i Krishtit (II Tim. 2.3). Ai ishte përfaqësues i apostujve dhe instrument energjik i Hirit në qeverisjen e Kishave të Perëndisë, për ndreqjen e zakoneve dhe për ruajtjen e mësimit të mirë.

Nga Ikoniumi Timotheu shkoi me Pavlin në Frigji dhe Galati, e ndihmoi në çdo vend me predikim dhe lutje; pastaj, pas një vizioni qiellor, shkuan në Maqedoni, predikuan Ungjillin në Selanik dhe Veria, ku Timotheu qëndroi me shën Silën (Silvani), ndërsa Pavli u kthye në Athinë. Pas një kohe të shkurtër, Timotheu shkoi të takonte apostull Pavlin, për t’i dhënë lajmin e trishtueshëm të kundërshtimit të tërbuar të judenjve të Selanikut, dhe u kthye atje që të forconte dhe të ngushëllonte besimtarët (I Thes. 3.1-5). Kur e kreu këtë mision, nxitoi të arrinte Pavlin në Korinth, për të punuar me të për kthimin e qytetit.

Pastaj, si qëndroi me mësuesin e tij për një vit e gjysmë në Efes, në mitropolinë e Azisë, u dërgua sërish në Korinth, për t’iu kujtuar besimtarëve parimet e jetës ungjillore. Meqë korinthianët u rebeluan, me nxitjet e dishepullit të tij, shën Pavli vendosi për dërgimin e Titit, mori Timotheun me vete për një mision të ri në Maqedoni, hartoi duke bashkëpunuar me të letrën e tij të dytë drejtuar korinthianëve dhe erdhi vetë për të punuar për drejtimin dhe udhëzimin shpirtëror të besimtarëve.

Kur apostull Pavli ndërmori udhëtimin e tij të fundit drejt Jerusalemit, që të sillte frytet e ndihmave të grumbulluara në të gjitha kishat, për t’u ardhur në ndihmë të krishterëve të Qytetit të shenjtë (Vep. 20), shën Timotheu ishte shoqërues i tij. Ai ishte i pranishëm në arrestimin e Pavlit (Vep. 22 etj.), e ndoqi në Qesari dhe në Romë, kur u kap rob për herë të parë; por prej andej Pavli e dërgoi me mision pranë kishës së Filipisë (Fil. 219-24). E arriti në Lindje dhe, me t’u liruar, e vendosi përfundimisht në krye të kishës së Efesit, duke i rekomanduar të organizonin adhurimin dhe jetën e krishterë, të luftonin mësuesit e rremë, të zgjidhnin me dallueshmëri anëtarët e hierarkisë kishtare dhe të çonin në çdo kohë grigjën e Krishtit në paqe, mirëkuptim dhe të vërtetë (I Tim.). Në një letër të dytë, dërguar nga apostulli i burgosur në Romë dhe në prag të vdekjes, ai e fton dishepullin e tij besnik, t’i shkonte pranë në çastet e tij të fundit (II Tim. 4.8). Timotheu u arrestua, por u lirua shpejt (Hebr. 12.23). U kthye në dioqezën e tij pas vdekjes së apostullit.

Thuhet se në Efes takoi shën Joan Theologun, prej të cilit mori një tepri hiri dhe ndriçim shpirtëror dhe, kur apostulli i dashur u internua në Patmos, ai e qeverisi Kishën duke përmbledhur brenda vetes së tij frymën e shën Joanit dhe atë të shën Pavlit. Një ditë, kur paganët e qytetit përgatiteshin të kremtonin një nga festat e tyre të ndyra, të cilat përfundonin gjithmonë në orgji dhe vrasje, shën Timotheu tentoi të ndërhynte që të ktheheshin në shtëpi. Por ata ishin bërë si bisha të egra, ndaj u sulën mbi të dhe e rrahën. Dishepujt e apostullit mezi mundën t’ua rrëmbenin shenjtin nga duart dhe, gjysmë të vdekur, e hipën në një vend të lartë atje ngjitur, ku dhe fjeti në paqe.

Trupi i shën Timotheut u varros afër varrit të shën Joanit dhe shumë kohë më vonë, më 356, lipsani i tij u transferua solemnisht në Konstandinopojë nga shën Artemi (20 tetor), me ato të ungjillorëve Andrea dhe Lluka, për t’u vendosur në kishën e Apostujve të Shenjtë. Kreu atje shumë mrekulli, derisa kryqëzatat latine i vodhën gjatë plaçkitjes së qytetit, më 1204.

 

* * * * *

– Oshënar dëshmor Anastas Persiani –

Martiri i lavdishëm i Krishtit, Anastasi, lindi në Persi dhe ishte biri i një magjistari, në kohën kur mbreti pers, Kosroi, pushtoi Palestinën, grabiti qytetin e shenjtë të Jerusalemit dhe mori me vete Kryqin e çmuar e jetëbërës të Shpëtimtarit (614). Pasi u lirua nga shërbimi ushtarak, djali i ri, i cili atëherë quhej Magundat, mësoi për mrekullitë e shumta që Trofeu i shenjtë kryente kudo që shkonte dhe në zemër i ishte ndezur zjarri që Krishti erdhi të përhapte në botë; ndaj pyeste me etje të krishterët që t’i shpjegonin misterin e Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, që u bë njeri dhe vdiq mbi Kryq për shpëtimin tonë. Tërë qenien e tij e përshkoi dashuria e Krishtit, hoqi dorë nga të mirat, i braktisi prindërit dhe atdheun dhe shkoi në Hierafi, në Siri, te një argjendar persian, i cili ishte i krishterë, dhe i kërkoi të pagëzohej sa më shpejt. Duke qenë se bujtinari po vononte nga frika e persëve, i riu shkoi për t’u lutur i vetëm në kishë. Këtu, skenat e martirizimit të paraqitura nëpër mure nxitën tek ai dëshirën e zjarrtë për përsosmërinë me anë të sakrifikimit me gjak. Si dreri i etur që vrapon drejt burimit të ujërave, ai shkoi në Jerusalem dhe u pagëzua nga patriarku, shën Modesti (kujtohet më 16 dhjetor), me emrin Anastas (ngjallje).

Prej andej, u bë murg në manastirin fqinj të Shën Anastasit. Igumeni Justin e besoi te njëri prej murgjve më të vjetër dhe kështu i riu mësoi me shpejtësi gjuhën greke, mësoi Psaltirin përmendësh dhe u tregua i përsosur në të gjitha virtytet murgërore, madje që para se të vishte skimën murgërore. Kur u qeth murg, punoi për 7 vjet me zell të pashuar për pastrimin e shpirtit të tij dhe u shërbente vëllezërve. Kryente dy shërbime në të njëjtën kohë, atë të kuzhinierit dhe atë të kopshtarit, dhe ishte i pari në të gjitha shërbesat hyjnore, dëgjonte me vëmendje dhe lot detajet e jetës së shenjtorëve dhe luftërat e martirëve, duke iu lutur në mënyrë të fshehtë Perëndisë, që ta bënte të denjë edhe atë për palmën e fitores.

Ishte Pashkë. Një natë iu shfaq një njeri i ardhur nga qielli, i cili i dha të pinte në një kupë të çmuar me verë të shijshme. Ia tregoi këtë vizion atit të tij shpirtëror dhe, i siguruar se kjo ishte një ftesë hyjnore për t’u ofruar në martirizim, u kungua me Misteret e Shenjta dhe e braktisi në fshehtësi manastirin, për të shkuar në Qesari të Palestinës, qytet i cili ndodhej nën pushtimin pers. Aty dalloi disa ushtarë që praktikonin magjitë dhe i qortoi pa frikë, duke u treguar se edhe ai ishte me origjinë perse, dhe dikur ishte gënjyer nga magjitë e demonëve, por e gjeti dritën e vërtetë dhe u bë i krishterë. Në fillim persët u befasuan nga guximi i tij, ndërsa më pas iu turrën egërsisht dhe e nxorën para qeveritarit Marzaban. Por Anastasi i përsëriste besën e tij dhe nuk u ep para premtimeve dhe kërcënimeve me vdekje, ndaj e lidhën me zinxhirë dhe e dënuan të transportonte gurë në kështjellë. Ushtarët persë e fyenin me sharje dhe e godisnin, por, duke parë se shenjti nuk përkulej, ia shqyen rrobat, ia shkulën mjekrën, duke e trajtuar si të çmendur dhe tradhtar, ndërsa shenjti gëzohej që po vuante për Krishtin.

Pasi e morën në pyetje për herë të dytë, sërish pa sukses, u dorëzua përsëri në vuajtje. Refuzoi të lidhej apo të mbahej nga rojat dhe duroi pa bërë zë goditjet dhe, ndërsa e kërcënonin se do ta dërgonin para mbretit për një vdekje të sigurt, ai u përgjigj: “Përse ta kem frikë? I vdekshëm si ti është. Kë duhet të kem frikë, atë që është i vdekshëm si ti, apo Krishtin, që bëri qiellin dhe tokën?”.

Kur igumeni i manastirit mësoi për torturat e Anastasit, i kërkoi gjithë vëllazërisë të lutej për të dhe i dërgoi dy vëllezër, që t’i ndodheshin pranë dhe të shënonin tërë detajet e luftës së tij. Edhe pse i prangosur në qeli bashkë me një keqbërës, shenjti ruante me mundim të madh kanonin e tij, dhe të burgosurit panë engjëj të ndritshëm që i qëndronin pranë dhe e temjanisnin.

Kur po përgatiteshin ta dërgonin te mbreti, të krishterët e qytetit arritën ta nxirrnin nga burgu, që të merrte pjesë në kishë për vigjiljen e Lartësimit të Kryqit (14 shtator). Kur besimtarët e panë shenjtin, vrapuan drejt tij, i kërkuan bekimin dhe lutjet dhe kremtuan së bashku gjatë gjithë natës, me himne e ngazëllim, për festën e tij, si dhe për atë të Kryqit të shenjtë.

Rrugës për në Persi, Anastasi dhe eskorta ndaluan në një qytezë të Asirisë, Betsaloe, në pritje të urdhrave të mbretit. E morën përsëri në pyetje, por më kot, ndaj e shtrinë me kurriz, ia kapën këmbën me dy copa druri që dy burra i tërhiqnin derisa t’i thyheshin kockat dhe e varën nga njëra dorë, duke i lidhur në tjetrën një gur të rëndë. Por, i forcuar nga Hiri, shenjti i përballonte të gjitha këto vuajtje me durim, si qenie e patrup. Pas 15 ditësh keqtrajtimesh të tilla, erdhi vendimi me vdekje nga mbreti. Më parë mbytën një nga një 72 të krishterë; dhe kur i erdhi radha atij, u shpreh se e vetmja gjë për të cilën i vinte keq ishte që do të kishte një vdekje jo dhe aq mizore nga dashuria për Krishtin. E mbytën edhe atë dhe pastaj i prenë kokën, më 22 janar 628. Murgjit që e kishin shoqëruar, e blenë trupin e tij dhe e varrosën diku në afërsi të manastirit të Shën Sergjit, që u quajt më vonë Sergiopolis; tunikën e tij e çuan në Palestinë, ku kryente mjaft mrekulli. Lipsani i tij i çmuar u transferua më pas në Palestinë dhe pastaj në Konstandinopojë, ku perandoresha Irini ngriti një kishë për nder të tij.