– Oshënar Makar Egjiptiani –
Shën Makari i Madh lindi në vitin 300 në një fshat të Deltës së Nilit, Zhizhber, dhe ushtroi si fillim profesionin e rritësit të gamileve. Iu bind thirrjes së Perëndisë dhe u tërhoq i vetëm në një qeli në fshatin e tij, që të jepej në lutje dhe në asketizëm. Meqë banorët e vendit kërkonin ta bënin prift, u largua në një fshat tjetër. Një vajzë, e cila u gjet shtatzënë, për t’u justifikuar, akuzoi asketin se e kishte dhunuar. U vërsulën drejt tij dhe e shëtitën nëpër rrugë, e gjuanin dhe e godisnin duke e fyer. Shenjti nuk tha asgjë për t’u vetëmbrojtur dhe pranoi që të punonte, me qëllim që të ndihmonte për nevojat e vajzës dhe të fëmijës, të cilët ia kishte dërguar Providenca hyjnore. Kur pafajësia e tij doli në pah, i gjithë fshati rendi për t’i kërkuar të falur; por ai u arratis, që t’i shpëtonte lavdisë së kotë, dhe shkoi në shkretëtirën e Skitës (sot quhet Wadi-Natrum), krahinë e egër dhe jomikpritëse, të cilën e njihte se zona atje ishte shfrytëzuar për nitrat. Ishte 30 vjeç dhe me zell të papërmbajtur u dha në të gjitha punët asketike. Ushqehej një herë në javë me pak bukë dhe ujë, flinte i mbështetur në murin e qelisë për pak çaste dhe këmbëngulte vazhdimisht në heshtje, në ruajtjen e mendjes nga çdo mendim i huaj dhe në lutjen e zemrës. Qoftë kur hante, qoftë kur kreshmonte, trupi i tij kishte përherë pamje të dobësuar, sikur t’i shpëtonte ligjeve të materies, sepse thoshte: “trupi i atij që punon pa pushim për pastrimin e shpirtit, konsumohet nga frika e Perëndisë, si ura e drurit që digjet në zjarr”.
Ishte i shkëputur nga të mirat e kësaj bote, dhe një herë që kapi një hajdut duke i vjedhur ato objekte të pakta që kishte në qeli, e ndihmoi t’i ngarkonte mbi gamile. Ditë e natë, qëndronte ulur në qeli dhe, ndërsa duart e tij thurnin gjethe palme, shpirti i përqendrohej në kujtimin e mëkateve të tij dhe fryma transportohej në qiell. Nuk shpërndahej në lutje të gjata, por thoshte në çdo kohë: “O Zot, mëshiromë siç do Ti dhe siç e di Ti!”. Dikush e pyeti një ditë se si të përparonte në udhën e shpëtimit. Shenjti e dërgoi në varrezë t’i fyente të vdekurit, pastaj t’i lavdëronte dhe, kur u kthye, i tha: “E shikon, kufomat nuk t’u përgjigjën. Po kështu dhe ti gjithashtu, nëse do që të shpëtosh, bëhu si i vdekur, duke mos e llogaritur për asgjë as përbuzjen e njerëzve, as lavdërimin e tyre”.
Demonët u tërbuan kur panë që u sulmuan ballë për ballë, filluan ta sulmonin me të gjitha fuqitë e tyre, por shenjti i dëbonte me përqeshje. Një nga këto frymë të papastra i tha: “Gjithçka që ti bën, e bëj edhe unë: ti kreshmon, unë nuk ha fare; ti rri pa gjumë, unë nuk fle asnjëherë. Por ma kalon vetëm në një pikë: në përulësi. Për shkak të kësaj, nuk mund të bëj asgjë kundër teje”. Me këto beteja, ai u bë ekspert në njohjen e të gjitha llojeve të demonëve. Ai thoshte se ata ndahen në dy kategori të ndryshme: në atë të frymëve, që na shtyjnë në pasione si zemërimi ose lakmia, dhe tjetra, më e frikshme, që i shtie njerëzit në iluzionin shpirtëror, blasfemi dhe herezi.
Fama e virtyteve të shën Makarit u njoh në mbarë Egjiptin, dhe shumë vizitorë filluan të vinin në shkretëtirën e Skitës. Shenjti i priste me gëzim dhe thjeshtësi ata që vinin tek ai, pa gjykuar askënd, i jepte secilit sipas nevojës: fjalë ngushëlluese ose lutje. Për t’i nderuar vizitorët e tij, u jepte pak verë dhe pinte me ta, por rrinte pa pirë ujë aq ditë sa kupa verë kishte pirë. Për të thoshin se ishte si “perëndi tokësor”, se, ashtu si Perëndia e mbron botën me Providencën e Tij, ashtu edhe ava Makari i fshihte fajet e atyre sikur të mos shikonte dhe i mbulonte njerëzit me dashurinë e tij. Dashuria e tij ishte e pafundme dhe e shtynte të lutej me lot edhe për të dënuarit. Një ditë, duke ecur në shkretëtirë, gjeti kafkën e një prifti idhujtar, i cili mori fjalën dhe tha: “Sa herë që mëshiron dikë, ata që janë në mundime, ne që jemi të zhytur në zjarr, faqja e njërit ngjitur me kurrizin e tjetrit, marrim ndonjë lehtësim duke mundur të shikojmë fytyrën e bashkëvuajtësve tanë”.
Shën Makari vizitoi shën Andonin e Madh, i cili ia vlerësoi së tepërmi virtytet dhe e bëri një nga dishepujt e tij dhe trashëgimtar shpirtëror. Pasi u kthye në Skitë, filloi të pranonte dishepuj, që sa vinin e shtoheshin, prandaj u konsiderua me të drejtë si themelues i kësaj qendre të shquar të murgërisë orthodhokse. Ndër dishepujt e tij të parë numërohen yje brilante në kupën shpirtërore, si: ava Moisiu (28 gusht), Sisoi (6 korrik), Isaia (3 korrik), Ajus, Zaharia (24 mars) dhe luftëtarë të tjerë. Secili jetonte në një qeli të veçuar, merrej gjatë gjithë javës me punë artizanale për të nxjerrë mjaftueshëm atë që i duhej për të jetuar ose për të bërë lëmoshë. Por, sidomos, puna e dorës ishte e nevojshme për të luftuar kundër plogështisë dhe për ta ruajtur mendjen e tyre në vigjilencë. Murgjit e Skitës asketizonin ashpër, me qëllim që të ruanin mendjen e tyre vetëm te Perëndia me anë të lutjes së pastër, dhe e ushqenin soditjen e tyre duke recituar përmendësh Psalmet dhe pasazhe nga Shkrimi i Shenjtë. Kur morën një kishë, mblidheshin që të gjithë të shtunën në mbrëmje, për të celebruar agripninë e natës dhe të kungoheshin me Misteret e Shenjta. Në mëngjes, pas Liturgjisë Hyjnore, hanin një vakt të gjithë bashkë, i cili, për shumë nga ata, ishte i vetmi vakt i javës, bisedonin lirshëm, duke pyetur më të sprovuarit për dobi shpirtërore. Pastaj secili nisej për në qelinë e tij, duke marrë me vete gjethet e palmës të nevojshme për punën gjatë javës.
Meqë numri i dishepujve dhe i vizitorëve rritej pa pushim, shën Makari ndryshoi shumë herë vendqëndrim. Jetonte larg nga qelitë e tjera, vetëm me dy shokë në afërsi, dhe kishte hapur një galeri nëntokësore, e cila të çonte nga qelia e tij në një shpellë të largët, në mënyrë që të izolohej pa e ditur askush e të ruante mendjen pa shpërqendrim, kur vizitat bëheshin më të shpeshta.
Në fillim, sa herë që dëshironte të merrte pjesë në Liturgjinë Hyjnore, shenjtit i duhej të shkonte më këmbë në Nitri, më shumë se 40 milje larg, nëpër shkretëtirën përvëluese. Përpjekja ishte tejet e madhe për dishepujt e tij, prandaj dhe, me këmbënguljen e shën Andonit, ai pranoi gradën e priftërisë në moshën 40-vjeçare. Shpirti i Shenjtë i dha me bollëk dhuntinë e shërimeve, të profecisë dhe të dallueshmërisë së mendimeve. Dy herë tërhequr nga fama e shën Makarit dhe e dishepujve të tij dhe nga predikimi entuziast i shën Athanasit për murgërinë, në Skitë vinin nga të gjitha anët e Egjiptit dhe nga krahinat më të largëta të perandorisë, që të përqafonin jetën engjëllore. Shkretëtira u kthye në një qytet i vërtetë;në fund të shekullit në Skitë numëroheshin 4 kisha, ku asketët mblidheshin për çdo të diel, nga 100 në secilën prej tyre.
Më 374, ariani Lukius rrëmbeu fronin episkopal të Aleksandrisë dhe rindezi persekutimin kundër orthodhoksëve. Në radhë të parë sulmoi murgjit më me influencë dhe dërgoi në një ishull të Deltës së Nilit dy Makarët dhe murgj të tjerë të shenjtë. Internimi u kthye në avantazh të Kishës, pasi rrëfyesit e besës kthyen paganët vendës dhe menjëherë, të thirrur nga protestat e popullit të indinjuar, u kthyen në shkretëtirën e tyre me lavdi të shumëfishuar. Duke ndier se po i afrohej fundi, shën Makari vizitoi për të fundit herë dishepujt e tij në Nitri. Si testament shpirtëror, ai u tha me lot në sy: “Le të qajmë, o vëllezër, dhe nga sytë tanë le të rrjedhin pa ndalim lot, para se të shkojmë atje ku lotët tanë do të na djegin trupat”. Pak kohë më vonë, “ati shpirtëror i shkretëtirës” fjeti në paqe më Zotin, në moshën 90-vjeçare.
Pasi pësoi shumë transferime pas pushtimit mysliman, lipsani i tij i çmuar prehet sot në manastirin kopt që mban emrin e tij, ndërtuar në vendet ku shenjti i kishte shenjtëruar me durimin e tij.
Tradicionalisht, shën Makarit i atribuohet një numër i madh Ligjëratash shpirtërore të admirueshme, në të cilat shenjti përmend, me ndihmën e ikonave madhështore huazuar nga bota natyrore, efektet e ndryshme të Hirit të Perëndisë te ne. Pasi u lidh me Zotin nëpërmjet besimit dhe si iu përkushtua Atij me vetëmohim, ai thotë se duhet ta dhunojmë natyrën tonë rebele me anë të praktikimit të të gjitha virtyteve të shenjta ungjillore, dhe kryesisht me lutje. Atëherë, duke parë vullnetin tonë të mirë, Krishti do të na japë fuqi të përmbushim tërë porositë e Tij; për më tepër, Ai do t’i përmbushë ato te ne me energjinë e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mënyrë, duke përparuar nga virtyti në virtyt dhe nga lavdia në lavdi drejt plotësisë, fryma jonë do të përzihet ngushtësisht me zjarrin e Shpirtit të Shenjtë, do të bëhet “tërë sy e tërë dritë”, dhe do të fitojë atributet e Perëndisë. Në ngjalljen e përgjithshme, zjarri i Shpirtit të Shenjtë, fshehur në zemrën e shenjtorëve, do të pushtojë trupat e tyre dhe do t’i bëjë të shkëlqejnë në përjetësi në dritën e Perëndisë. Për shën Makarin jeta e krishterë ka si qëllim të fitojë, që këtu poshtë, në tokë, përvojën e Shpirtit të Shenjtë, të pësojë “këtë shndërrim të bukur”, i cili do të na japë “ndjeshmëri shpirtërore”, me anë të së cilës do të mund të shijojmë praninë e Perëndisë në çdo çast të jetës sonë.
* * * * *
– Oshënar Arseni i Korfuzit –
Vinte nga Betania e Palestinës dhe u rrit në një manastir, ku përqafoi jetën engjëllore që në moshën 12-vjeçare. Pas studimeve të shkëlqyera, u hirotonis prift në Seleuci dhe bëri një pelegrinazh në Vendet e Shenjta, ku me hirin e Perëndisë shpëtoi nga piratët saraçenë. Pastaj u vendos në Konstandinopojë, në shërbim të patriarkut Trifon (928-933), i cili i besoi kujdesin e të gjitha kishave të qytetit. Kur atë e pasoi patriarku Theofilakt (933-956), i prekur nga virtyti i shenjtit, e hirotonisi episkop dhe e bëri mitropolit të parë të Korfuzit. Shën Arseni u tregua një bari i paqortueshëm.
Ditët e tij i kaloi duke u kujdesur për besimtarët, si për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore, ashtu edhe ato materiale, dhe netët ia kushtonte lutjes i vetëm, në një shpellë që ndodhej jo larg episkopatës së tij. U zu rob nga një bandë skithësh, nxiti banorët e ishullit të vinin ta çlironin dhe, kur beteja përfundoi, bëri të rridhte një burim me ujë të kulluar për t’u shuar etjen. Kreu dhe shumë mrekulli e shërime të tjera vetëm nëpërmjet lutjes. Në fund të jetës së tij, udhëtoi deri në Konstandinopojë, që të ndërmjetësonte pranë perandorit Konstandin Porfirogjeni në mbrojtje të fisnikëve të ishullit, të akuzuar padrejtësisht. Gjatë kthimit, dorëzoi shpirtin e tij te Zoti, më 953.