– Nderimi i vargonjve të Apostull Petros –
Rreth vitit 43, mbreti i judenjve, Herod Agripa, kur pa se predikimi i apostujve po merrte përhapje të gjerë, u hakmor mizorisht kundër të krishterëve, ku mbeti i vrarë me shpatë edhe shën Jakovi, vëllai i Joanit (30 prill). Meqenëse kjo u pëlqeu judenjve, arrestoi edhe apostull Petron, korifeun, e futi në burg, deri në çastin e lirimit të një prej të burgosurve për kënaqësinë e popullit pas Pashkës. Nga frika se mos arratisej, apostull Petron e kishin lidhur me dy zinxhirë të rëndë hekuri dhe i kishin vënë ta ruanin dy ushtarë. Por po atë natë, falë lutjeve të Kishës, Perëndia dërgoi tek ai një engjëll, që e mbushi qelinë me dritë. E shkundi apostullin që po dremiste, e ngriti, dhe sa hap e mbyll sytë zinxhirët ranë nga duart e tij. Pa kuptuar mirë se çfarë ndodhi, Petroja ngjeshi rripin, veshi sandalet dhe, i udhëhequr nga engjëlli, kapërceu pa pengesë gjithë portat. Kur arriti në qytet, engjëlli që tashmë e kishte mbaruar detyrën e tij, e la apostullin. Ai vrapoi për në shtëpinë e Marisë, nënës së Joanit, të mbiquajtur Mark, ku të krishterët e pritën me shumë gëzim (Vep. 12.1-19).
Zinxhirët që ranë nga apostulli i shenjtë, u morën më pas nga të krishterët, dhe u ruajtën brez pas brezi, derisa u transferuan në Perandorinë Bizantine në Konstandinopojë dhe u vendosën në kishën e Shën Petros, pranë Shën Sofisë, ku për shekuj me radhë bënë çudira dhe shërime të shumta.
Jo vetëm lipsanet e shenjtorëve bëjnë mrekulli, por edhe veshjet e tyre ose sendet që ata kanë prekur. Shkrimi i Shenjtë na thotë se Hiri i Perëndisë kryente kaq mrekulli nëpërmjet apostull Pavlit, sa banorëve të Efesit u mjaftonte t’u jepnin të sëmurëve vetëm shami ose ndërresa që i kishte prekur trupi i tij dhe sëmundja largohej prej tyre, dhe frymët e ndyra dëboheshin (Vep. 19.11-12). Hiri i pakrijuar i Perëndisë, i cili mbush shpirtin e pastruar të shenjtorëve, vërshon edhe mbi trupat e tyre, nga trupi te veshjet dhe nga veshjet edhe te hija, që të kryejnë mrekulli. Kështu, në Veprat e Apostujve lexojmë edhe këtë në lidhje me Petron, që një turmë burrash dhe grash shkonin dhe i çonin të sëmurët nëpër rrugë e i linin përdhé, me qëllim që hija e shenjtit t’i mbulonte kur ai kalonte dhe kështu t’i shëronte, ose t’i forconte në durim dhe në shpresë (Vep. 5.15). Prandaj Kisha Orthodhokse e trashëgoi këtë zakon të perëndishëm jo vetëm që të nderonte trupin e shenjtorëve që u bënë enët e Hirit, por edhe veshjet e sendet nëpërmjet të cilave vuajtën për Zotin.
* * * * *
– Dëshmor Danaksi nga Vlora –
Shën Danaksi shërbente si anagnost (lexues) në Kishën e Vlorës në Iliri në një kohë të papërcaktuar. E arrestuan, sepse i kishte vënë enët e shenjta të kishës në një vend të sigurt, që të mos i sekuestronin paganët. I kërkuan me çdo kusht t’i sakrifikonte perëndisë Baku, por ai refuzoi dhe menjëherë e vranë me shpatë.