– Oshënare Nina (Nino) –
Lindi në Kapadoki dhe ishte bija e vetme e gjeneralit Zabulon, i afërt i martirit të madh, Gjergjit. Jetoi në kohën e sundimit të shën Konstandinit të Madh. U rrit me dashurinë për Perëndinë dhe zbatimin e Shkrimeve të Shenjta. U kap rob nga ivirët (emri i vjetër i gjeorgjianëve), të cilët e morën në vendin e tyre, mes kufijve të Kaukazit, midis Detit të Zi dhe atij Kaspik. Ky popull, jepej pas idhujtarisë dhe adhurimit të zjarrit, por kjo nuk e pengoi aspak shën Ninën dhe, pas shumë sprovash, ajo këmbënguli në besim, në praktikimin e asketizmit dhe predikoi pa frikë Ungjillin. Arriti në Mshketa, kryeqyteti i mbretërisë së Ivirit, dhe e ngriti banesën e saj në kopshtin mbretëror, rrëzë një bredhi madhështor, për të cilin thuhet se u mboll mbi varrin e një judeje të kthyer, Sidonisë, e cila u varros duke shtrënguar në krahët e saj tunikën e paqepur të Krishtit. Një natë, kur po lutej, shën Nina pa një grumbull të madh shpendësh të zinj, që zbrisnin mbi kopsht; ata u lanë në lumin që rridhte pranë pemës dhe papritur u bënë të bardhë si dëbora, pastaj fluturuan në degët e pemës, duke e mbushur kopshtin me këngët e tyre melodioze. Kjo ishte një shenjë e dhënë nga Perëndia për kthimin e ardhshëm të paganëve dhe për ndërtimin e një kishe në këtë vend të bekuar.
Ndodhi në atë kohë, që fëmija i një gruaje fisnike nga qyteti u sëmur rëndë. Duke mos gjetur njeri të aftë për ta ndihmuar, nëna i kërkoi ndihmë robinjës së krishterë. Shën Nina e priti fëmijën, e shtriu mbi një shtresë dhe, për çudinë e barbarëve, menjëherë pas lutjes së zjarrtë të shenjtores, fëmija u shërua plotësisht. Fama e pushtetit të çuditshëm të Ninës arriti shpejt deri te mbretëresha, e cila lëngonte nga një sëmundje e pashërueshme. Ndonëse ishte ithtare e zjarrtë e idhujve dhe kundërshtare e Ninës, e dëshpëruar se nuk gjente shërim, nga dëshpërimi kërkoi ndihmën e shenjtores. E çuan madje deri te kolibja e shenjtores dhe kërkuan ndërmjetimin e saj. Nina bëri mbi të shenjën e kryqit, me anën e një kryqi bërë me lastarë rrushi, e cila i ishte dhënë nga Hyjlindësja, dhe mbretëresha u ngrit e shëruar, duke shpallur besimin te Krishti. Nina nuk pranoi asnjë shpërblesë, duke thënë se kjo mrekulli nuk ishte vepër e saj, por veprim i Krishtit, Birit të Perëndisë dhe Krijuesit të qiellit dhe të tokës, i Cili u mishërua për të çliruar gjininë njerëzore nga vdekja e shpirtit dhe e trupit.
Kur mësoi për shërimin e së shoqes, mbreti Mirian u mrekullua, por reagoi negativisht. Donte të zhdukte shën Ninën dhe tërë të krishterët e mbretërisë. Disa kohë më vonë, teksa gjuante në një pyll të thellë, një re e dendur ra mbi të, duke e frikësuar tej mase. Duke qenë se perënditë e tij mbetën të shurdhër ndaj thirrjeve të tij, ai u kthye përfundimisht drejt Perëndisë së Ninës, fitoi shikimin dhe dritën shpirtërore të besimit. Kur u kthye në kryeqytet, ra me lot në këmbët e robinjës së krishterë, vendosi të pagëzonte të gjithë popullin e ivirëve dhe dërgoi një përfaqësi pranë perandorit shën Konstandin për t’i dërguar në mbretërinë e vet një episkop dhe një prift. Me këshillat e shenjtores, ai ndërtoi një kishë në vend të bredhit në kopshtin mbretëror.
Gjatë kthimit të banorëve, shën Nina u tërhoq në shkretëtirën Aragva, ku i lutej me lot Perëndisë që ta forconte popullin në besimin e shenjtë. Prej lotëve të saj rrodhi një burim mrekullibërës, i cili kishte veti t’u jepte qumësht grave që nuk kishin. Pas shfaqjes së një kryqi të madh në qiell mbi kishën e Mshketas, ajo u nis e shoqëruar nga disa klerikë guximtarë, që të predikonte Ungjillin në popullsitë e egra nëpër male. Në saje të pushtetit hyjnor të fjalës së Perëndisë dhe mrekullive të saj të shumta, ajo i bindi të thyenin idhujt dhe i çoi drejt pagëzimit. Shenjtorja ktheu edhe mbretëreshën Sofia, të mbretërisë fqinje të Kakhetisë, pastaj, si e mbylli misionin e saj mbi tokë, u tërhoq në një kasolle dhe dha shpirtin te Perëndia, e rrethuar nga mbreti, oborri i tij, kleri dhe nga besimtarë të shumtë.
* * * * *
– Oshënar Sava –
Ati ynë i shenjtë Sava, shenjti më i dashur për popullin serb, lindi më 1169. Ishte djali i tretë i princit të madh të Serbisë, të perëndishmit Stefan Nemanja, dhe iu dedikua Perëndisë, si përgjigje e lutjes së prindërve të tij, dhe në pagëzimin e shenjtë mori emrin Radko (Rastislav, përkthim sllav i Kreshentit). U rrit me frikë Perëndie dhe me të gjitha virtytet ungjillore, dhe në moshën 15-vjeçare u ngarkua me detyrën e qeverisjes së provincës së Herzegovinës; por nuk e tërhiqte lavdia dhe dëfrimet e kësaj bote, sepse digjej çdo ditë e më shumë nga dashuria hyjnore. Një vit më vonë, me t’u kthyer në oborr, kundërshtoi propozimet për martesë që i bënë prindërit; dhe kur një delegacion murgjish serbë nga Mali Athos, drejtuar nga një starec rus, kërkuan bujarinë e princit të madh, Radkoja dëgjoi me zell tregimet e jerontit për jetën engjëllore dhe qiellore që bënin murgjit në Kopshtin e së Tërëshenjtës. Hezitimet e tij të fundit, në lidhje me dashurinë birërore, u venitën kur murgu i kujtoi fjalën e Zotit: Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua (Matth. 10.37). Vendosi, pra, që të merrte kryqin dhe të ndiqte Zotin, duke përdorur një “dredhi”: kërkoi bekimin e të atit që të shkonte për të gjuajtur kaproj dhe kështu ndoqi gjurmët e Qengjit hyjnor, Krishtit.
Kur arriti në Athos, Radkoja u bë rishtar në manastirin rus të Shën Pandeleimonit (te Rusikoni i Vjetër), por u zbulua menjëherë nga një dukë i oborrit, të cilin e kishte dërguar i ati i shenjtit për ta kërkuar. Edhe prej tij shpëtoi. Pas shërbesës së gjatë të manastirit, i shtroi vojvodit një vakt të bollshëm dhe përfitoi kur ky ra në gjumë, për t’u ngjitur në majën e kullës së manastirit e të vishej me skimën engjëllore, duke marrë emrin Sava. Kur agoi, të dërguarit e mbretit u zgjuan dhe panë princin të veshur me rroba murgu, duke iu hedhur që lart nga kulla tufat e flokëve të sapoprera, veshjet princërore dhe një letër ngushëllimi për prindërit.
Disa kohë më vonë, Sava u vesh murg në manastirin e madh e të famshëm të Vatopedit, nën drejtimin e jerontit Makar. Origjina e tij fisnike dhe, mbi të gjitha, vetëmohimi i përkryer për çdo gjë të botës, bindja absolute, përulësia e tij e shkëlqyer, zelli për kreshmën, agripninë dhe lutjen nxitën admirim te të gjithë murgjit athonitë. Vizitoi këmbëzbathur të gjitha manastiret dhe vendet e shenjtëruara të Athosit dhe mbeti i mrekulluar veçanërisht nga jeta e heshtur dhe e shkëputur nga çdo përkujdesje tokësore e eremitëve; por, kur u kthye në manastir, jeronti nuk i dha bekimin për të ndjekur një udhë të tillë, ndaj u dha me më shumë devotshmëri në bindjen dhe shërbimin ndaj vëllezërve. Atje mësoi gjuhën greke, e cila i lejoi të përkthente në sllavisht dhe t’i transmetonte popullit të tij pasuritë e traditës patristike, liturgjike dhe kanonike të Kishës.
Falë ndikimit të të birit, Stefan Nemanja braktisi mbretërinë tokësore, që të luftonte për fitimin e Mbretërisë Qiellore. Hoqi dorë më 1196 dhe u vesh murg në manastirin e Studenicës, me emrin Simeon. Më vonë, ai shkoi në Malin e Shenjtë dhe e mori të birin si udhëheqësin e tij shpirtëror. Tashmë, i kaluar në moshë, ai nuk mund të kryente të gjitha detyrat asketike të murgjve me përvojë, prandaj Sava i dyfishoi betejat e tij vetjake dhe mori mbi vete tërë asketizmin që i ati nuk mund të bënte. I thoshte: “Unë jam kreshma jote dhe metanitë e tua. Unë jam asketi yt. Unë do jem përgjegjës para Perëndisë për ty, përderisa më ke dëgjuar dhe erdhe deri këtu”. Pasi i shtuan edhe më tepër lëmoshat në dobi të manastirit, të dy murgjit princa themeluan, me miratimin e perandorit Aleksi III Engjëlli (†1203), manastirin e Hilandarit, i cili do të bëhej qendra e besimit dhe e kulturës kishtare serbe. Qëndruan aty së bashku me disa murgj serbë, të cilëve më vonë iu bashkuan edhe të tjerë me kombësi të ndryshme, duke përparuar vazhdimisht në ngjitjet qiellore.
Në vitin 1200, shën Simeoni fjeti (kremtohet nga Kisha më 13 shkurt) dhe shumë shpejt trupi i tij filloi të nxirrte balsam çudibërës. Pasi la një igumen në Hilandar, Sava u nis të realizonte dëshirën e zemrës së tij: të jetonte i vetëm me Perëndinë. U vendos në një qeli pranë Kariesit, kryeqendrës së vogël të qytetërimit monakal, dhe i robëruar i tëri nga dashuria për Krishtin, shikonte vetëm drejt qiellit dhe të mirave të botës që do të vijë. I përgjërohej ditë e natë Zotit, që ta mëshironte. Pasi mësoi nëpërmjet një zbulimi për lavdinë qiellore që kishte fituar i ati, ai i shkroi biografinë dhe kompozoi shërbesën e tij liturgjike. Gjatë kësaj kohe, në Serbi, dy vëllezërit e tij, princi Stefan dhe Vukan, u ndeshën në një luftë të përgjakshme. Ata i bënë thirrje Savës, i cili, pasi ishte bërë prift dhe ishte ngritur në ofiqin e arkimandritit në Selanik, u nis për në atdhe me lipsanet mrekullibërëse të shën Simeonit. Falë ndërhyrjes së murgut të shenjtë, të dy princat u pajtuan para varrit të të atit dhe populli serb arriti të fitonte paqen dhe mrekulli të shumta buruan nga balsami që vazhdonte të rridhte nga kutia e lipsanit të shenjtorit. I shtrënguar nga Stefani dhe nga populli, shën Sava qëndroi në Serbi, u bë igumen i Studenicës dhe, pa lënë aspak mënjanë jetën e tij asketike, kreu shumë vepra apostolike, e forcoi popullin në besën orthodhokse, luftoi kundërshtarët, ndërtoi kisha dhe manastiret i organizoi sipas rregullit athonit, dhe e zbukuroi atdheun me zakone e norma ungjillore. Themeloi manastirin e madh të Zicas, i cili do të bëhej më vonë selia e kryepiskopatës serbe dhe qendra e jetës kishtare të vendit.
Pas marrjes së përgjakshme të kryeqytetit bizantin nga kryqëzatat (1204) dhe largimit për në Nikea të perandorit dhe patriarkut, perandori latin i Konstandinopojës ndërmori edhe pushtimin e Serbisë, me ndihmën e mbretit të Hungarisë, Andrea. Stefani ndau gruan e tij, Evdhoksinë, bijë e perandorit bizantin Aleksi, mbështetës i zjarrtë i Orthodhoksisë, për t’u martuar me një fisnike me origjinë veneciane, madje u tregua i gatshëm të kurorëzohej nga papa, duke njohur kështu autoritetin e Romës në vendin e tij dhe në Kishën Serbe.
Duke mos i pranuar këto koncesione, por pa gjykuar të vëllanë, Sava preferoi të tërhiqej dhe të shkonte në Malin e Shenjtë (1216), ku ia kushtoi kohën lutjes për shpëtimin e popullit të tij. Më vonë, kur balsami i shën Simeonit kishte reshtur së rrjedhuri, serbët kërkuan ndërmjetimin e murgut të shenjtë. Sava dërgoi me anë të dishepullit të tij, Ilarit, një letër për Stefanin dhe një tjetër drejtuar të atit. Që kur Ilari lexoi këtë letër para varrit të shenjtit, balsami filloi të rridhte me mbushulli, jo vetëm nga varri, por dhe nga ikonat e shën Simeonit, duke e mbushur popullin me gëzim shpirtëror dhe duke konfirmuar kështu se pëlqimi hyjnor ishte në krah të Savës dhe Orthodhoksisë.
Më 1219, shën Sava u kthye në Nikea dhe takoi perandorin Theodhori I, i cili i dha autonominë e plotë për Kishën Serbe, me kusht që të pranonte të bëhej ai vetë kryepiskopi i parë. Ditën e dorëzimit të tij nga Patriarku Ekumenik, u shfaq një dritë hyjnore që rrethonte hierarkun e ri. Kur u kthye në Serbi, shën Sava nisi menjëherë punën për të organizuar Kishën Serbe. Dishepujt e tij më të mirë i hirotonisi episkopë, kurorëzoi solemnisht të vëllanë, i cili që atëherë u mbiquajt Stefani i Pari i Kurorëzuar (Prvovençani), përshkoi vendin duke predikuar besimin e vërtetë, pendimin dhe pastërtinë e traditave, hirotonisi priftërinj, ngriti kudo kisha e manastire, përktheu dhe futi zbatimin e kanuneve të shenjta kishtare.
Këto suksese nxitën xhelozinë e mbretit të Hungarisë, i cili përgatiti një invazion të ri. Shën Sava, i dërguar si ndërmjetës, e qetësoi mbretin Andrea me fuqinë e fjalës së tij. Kur u kthye, princi Stefan vdiq, pa mundur të realizonte dëshirën e tij: të bëhej murg. Shën Sava iu lut Zotit me zjarr, dhe i ndjeri u kthye në jetë dhe mori skimën murgërore me emrin Simeon, u kungua me Misteret e Shenjta, pastaj fjeti në paqe në pritje të ngjalljes.
Pas kurorëzimit të birit të Stefanit, Radoslavi (1230), kryepiskopi u nis në pelegrinazh për në Tokën e Shenjtë. Nderoi me lot vendet që i shenjtëroi Zoti me praninë e Tij tokësore, qëndroi në manastirin e Shën Savës, ku mori shkopin e bariut të shenjtë që mbronte atë manastir, sipas profecisë së shën Savës së Shenjtëruar, i cili kishte parathënë se shumë kohë pas fjetjes së tij do të vinte nga larg një njeri i Perëndisë, që do të kishte të njëjtin emër, bari i një populli të shumtë. Pasi takoi në Nikea perandorin e shenjtë Joani III Bataxis (kujtohet më 4 nëntor) dhe pasi kaloi nga Mali i Shenjtë për të përshëndetur vëllezërit e tij, u kthye në Serbi, ku e prisnin sërish problemet e qytetit tokësor. Radoslavi u shfronëzua nga një revoltë e fisnikëve, prandaj i kërkoi të bëhej murg. Vëllai i tij më i vogël, Vladislavi, mori kurorën në vend të tij dhe u martua me të bijën e mbretit Jovan II Asen i bullgarëve, atëherë fuqia dominuese në gadishullin e Ballkanit (1233).
Pasi vendosi rregullin në mbretëri, Sava, tashmë i moshuar, hoqi dorë nga froni kryepiskopal dhe drejtimin e Kishës Serbe ia dorëzoi dishepullit të tij, shën Arsenit I (1234-1264, i cili kremtohet më 28 tetor) dhe ndërmori një pelegrinazh të ri në Tokën e Shenjtë, në Egjipt, në Malin Sina dhe në Antioki. U sëmur kur iu afrua Konstandinopojës, qëndroi për disa kohë në manastirin e Evergjetit, pastaj u kthye në Tirnovo, në Bullgari, ku u prit me madhështi nga mbreti Asen. I dërrmuar nga udhëtimet e shumta dhe nga vitet e gjata në shërbim të Kishës, fjeti më 14 janar 1235 (1236). Para se të jepte shpirtin te Perëndia, shën Sava e besoi popullin serb te dashamirësia e Perëndisë dhe e përfundoi lutjen e tij duke thënë si shën Joan Gojarti: “Lavdi Perëndisë për të gjitha!”. Fytyra e tij shkëlqente nga drita hyjnore. Trupi i shenjtit u vendos në kishën e Dyzet Martirëve në Tirnovo dhe 2 vjet më vonë mbreti Vladislav shkoi vetë t’i kërkonte sovranit bullgar që ta sillte shenjtin në Serbi, në manastirin e Milesevos, i cili u kthye në një qendër të madhe pelegrinazhi. Gjatë pushtimit turk, mizori Sinan pasha u ngarkua nga sulltani t’u jepte fund revoltave të serbëve. Ai i rrëmbeu lipsanet e shenjta dhe i dogji në Beograd, më 27 prill 1594. Edhe pse u privua nga prania tokësore e shenjtit të tij mbrojtës, populli orthodhoks mbeti i pamposhtur, pasi shën Sava nuk pushon së ndërmjetuari në qiell për mbrojtjen e Kishës.