APOSTULLI – Jakovi 3:11-4:6.
A mos burimi prej së njëjtës vrimë buron ujë të ëmbël dhe të hidhur? A mos mundet, vëllezër të mi, druri i fikut të bëjë ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim s’mund të bëjë ujë të kripur dhe të ëmbël.
Kush është ndër ju i mençur e i ditur? Le të tregojë prej sjelljeve të mira punët e tij me butësi urtësie. Por nëse keni në zemrën tuaj smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
Kjo dituri nuk zbret prej së larti, por është tokësore, mishore, djallëzore. Sepse ku ka smirë e grindje, atje ka trazirë e çdo gjë të ligë.
Po dituria që është prej së larti, së pari është e dëlirë, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me përdëllim e me fryte të mira, s’mban anë dhe s’është me dy faqe. Dhe fryti i drejtësisë mbillet me paqe prej atyre që bëjnë paqe.
Nga ku vijnë luftëra e grindje ndër ju? A nuk vijnë prej këndej, nga dëshirimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Lakmoni, e nuk keni; vritni e keni smirë, edhe nuk mund t’ia dilni mbanë; ziheni e luftoni, po nuk keni, sepse nuk kërkoni. Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni keq, që të shpenzoni në dëshirimet tuaja.
O kurorëshkelës dhe kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia e botës është armiqësi e Perëndisë?
Ai pra që të dojë të jetë mik i botës, bëhet armiku i Perëndisë. Apo pandehni se më kot Shkrimi thotë: “Për smirë dëshiron Fryma që ndenji ndër ne?” Por Perëndia jep hir më të madh, prandaj thotë: “Perëndia kryelartëve u rri kundër, po të përulurve u jep hir”.