– Ora e parë –
UNGJILLI – Mateu 3:1-6.
Edhe në ato ditë vjen Joan Pagëzori duke predikuar në shkretëtirën e Judesë, e duke thënë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve. Sepse ky është ai që u fol nga profeti Isaia që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta”.
Edhe ky Joani kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, edhe brez lëkure rreth mesit të tij; edhe ushqimi i tij ishte: karkaleca dhe mjaltë i egër.
Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi edhe gjithë Judea edhe gjithë vendi përqark Jordanit; edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
– Ora e tretë –
UNGJILLI – Marku 1:1-8.
Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, edhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe jerusalemasit, edhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, edhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë.
– Ora e gjashtë –
UNGJILLI – Marku 1:9-11.
Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan. Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Frymën e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
– Ora e nëntë –
UNGJILLI – Llukai 3:1-18.
Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Tiber Cezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, edhe Herodi tetrark i Galilesë, edhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, edhe Lisania tetrark i Abilenës, në kohën e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë.
Edhe ai erdhi në gjithë viset rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve, siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij. Çdo luginë e thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, edhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, edhe udhët e ashpra të sheshta; edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë”.
U thoshte pra turmave që dilnin për t’u pagëzuar prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur? Bëni pra fryte të vlefshme për pendim, edhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit. Dhe tashmë edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.
Edhe turmat e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra? Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy këmisha le t’i japë atij që s’ka; edhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë.
Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, edhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë? Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar.
Edhe e pyetnin atë edhe ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos përfitoni duke shpifur e duke kërcënuar; dhe mjaftohuni me pagat tuaja.
Edhe ndërsa populli ishte duke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti, Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e sandaleve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë e me zjarr; ai mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë krejt lëmin e tij, edhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, edhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.
Edhe duke nxitur popullin me shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.