– Mbledhja për 70 Apostujt –
Pasi zgjodhi dymbëdhjetë apostujt e Tij, shokë rrugëtimi dhe dishepuj të privilegjuar, të cilëve u rezervoi mësimet e Tij më të larta, Zoti ynë Jisu Krisht zgjodhi 70 (sipas të tjerëve 72) dishepuj të tjerë, mes numrit të madh të atyre që e ndiqnin, për të shkuar para Tij, pa trastë, pa sandale, dhe të përgatisnin ardhjen e Tij në çdo qytet dhe vend ku kalonin, duke kryer mrekulli dhe duke shpallur se Mbretëria e Perëndisë është afër (Lluk. 10). Këtij numri, simboli i përsosmërisë dhe i shumicës (7, numër i përsosur, dhe 10, shenjë e sasisë), i shtohen dhe dishepuj të tjerë që braktisën gjithçka për të ndjekur Krishtin dhe, që nga Ngjitja e Tij në Qiej deri në Pentikosti, qëndronin në dhomën e sipërme, duke këmbëngulur në lutje.
Shkrimi i Shenjtë e shënjon këtë Kishë fillestare me një numër tjetër, që tregon plotësinë: 120 (12, simbol i përsosmërisë, shumëzuar nga 10) (Vepr. 1.15). Pas ardhjes së Shpirtit të Shenjtë dhe shpërndarjes së apostujve nëpër botë, dishepuj të tjerë, prej të cilëve disa nuk e kishin njohur Zotin gjatë qëndrimit të Tij në tokë, u bënë të denjë të renditeshin mes apostujve (d.m.th. të dërguarve), sepse shërbyen me gjithçka për përhapjen e Lajmit të Mirë nëpërmjet fjalës së tyre dhe derdhën gjakun për ndërtimin e Kishës së Shenjtë.
Duke u bazuar tek emrat e dishepujve që na u transmetuan nga Shkrimi i Shenjtë, tradita kishtare kremton kujtimin e shtatëdhjetë prej tyre, duke treguar kështu analogjikisht 70 “të dërguarit” e parë nga Zoti dhe shumicën e panumërueshme (simbol i numrit 70), të atyre që me rrjedhën e kohës, deri në ditët tona, u dërguan nga Shpirti i Shenjtë për të dëshmuar para njerëzve Ngjalljen e Shpëtimtarit.
Ja dhe emrat e të Shtatëdhjetë Apostujve, bashkë me ditën e kujtimit të tyre: dishepuj dhe shokë të apostull Pavlit: AGABI (Vep. 11.28; 21.10), 8 prill; AKUILA (Vep. 18.1; Rom. 16.3), 13 shkurt dhe 14 korrik; AMPLIA (Rom. 16. vargu8), episkop i Odisopolit, 31 tetor; ANANIA, episkop i Damaskut (Vep. 5.1), 1 tetor; ANDRONIKU (Rom. 16.7), 30 korrik; APELI (Rom. 16.10), episkop i Smirnit, 10 shtator; tjetër APEL (nuk përmendet në Shkrim), episkop i Iraklias, 31 tetor; APOLI (1 Kor. 3.5), episkop i Qesarisë, 8 dhjetor; ARISTARKU (Vep. 19.20; Kol. 4.10), episkop i Apamisë, 27 shtator dhe 14 prill; ARISTOVULI (Rom.16.10), episkop i Britanisë së Madhe, 31 tetor dhe 15 mars; ARTEMAI (Tit. 3.12), episkop i Listrës, 30 tetor; ARKIPI (Kol. 4.17), 22 nëntor dhe 19 shkurt; ASINKRITI (Rom. 16.14), 8 prill; AKAIKU (1 Kor. 16.17), 15 qershor; VARNAVA (Vep. 4.37; 12.25 etj., Gal. 2.1), 11 qershor; KARPI (2 Tim. 4.13) 26 maj; QESARI (Fil. 4.22) dhe KEFAI (1 Kor. 3) 8 dhjetor; KLEMENTI (Fil. 4.3) episkop i Sardës, 10 shtator; KUARTI (Rom. 16.23), 10 nëntor; KRESHENCI (2 Tim. 4.10), episkop i Kalqedonisë, 30 korrik. EPENETI (Rom. 16.5), episkop i Kartagjenës, 30 korrik; EPAFRODITI (Fil. 4.18), episkop i Kolofonit, 8 dhjetor; ERASTI (Vep. 19.22), episkop i Panias, 10 nëntor; EFVULI (2 Tim. 4.21) 28 shkurt; EVODI, episkop i Antiokisë (2 Tim. 4.20), 7 shtator; FORTUNATI (1 Kor. 16.17), 15 qershor; GAJI (Vep. 20.4), episkop i Efesit, 5 nëntor; HERMAI (Vep. 14.12 ose Rom. 16.14), episkop i Filipisë, 5 nëntor dhe 8 mars; HERODIONI (Rom. 16.11), episkop i Patrës, 10 nëntor dhe 28 mars; JASONI (Vep. 17, Rom. 16.21), episkop i Tarsit, 29 prill; LINI (2 Tim. 4.21), i cili u vendos episkop i Romës nga shën Petroja, 5 nëntor; LLUKAI (tjetër nga ungjillori), episkop i Laodicesë, 5 nëntor; MARKU i quajtur Joan (tjetër nga ungjillori), (Vep. 12.12), episkop i Biblos, 27 shtator; MARKU (tjetër nga ungjillori), nipi i VARNAVËS dhe episkop i Apolinadës, 30 tetor; NARCIZI (Rom. 16.11), episkop i Athinës, 31 tetor; NIMFAI (Kol. 4.15), 28 shkurt; ONESIMI (Kol. 4.9; Filemoni), 22 nëntor dhe 15 shkurt; ONESIFORI (2 Tim. 1.16), episkop i Kolofonit, 7 shtator. PATROVI (Rom. 16.14), episkop i Pozuolit, 5 nëntor; FILEMONI, episkop i Gazës, 22 nëntor; PUDENTI (2 Tim. 4.21), 14 prill; RUFI, episkop i Tebës (Rom. 6.13), 8 prill; SILA (Vep. 15), episkop i Korinthit, dhe SILVANI (2 Kor. 1.19; 1 Thes. 1.1), episkop i Selanikut, 30 korrik; STAKIS, dishepull i Pavlit dhe i Andreas (Rom. 16.9), episkop i Bizantit, 31 tetor; STEFANAI (1 Kor. 1.16), 15 qershor; SOSTENI (1 Kor. 1.1), episkop i Kolofonit, 8 dhjetor; SOSIPATRI (Rom. 16.21, episkop i Ikoniumit, 10 nëntor dhe 29 prill; TERTI (Rom. 16.22), episkop i Ikoniumit, 30 tetor; TIMOTEU (Vep. 16; Rom. 16.21; 1 & 2 Tim., shumë shpesh i përmendur nga apostull Pavli), episkop i Efesit, 22 janar; TITI (Gal. 2.1; 2 Tim. 4.10; Titi), episkop i Kretës, 25 gusht; TROFIMI (Vep. 20.4; 2Tim. 4.20), 14 prill; TIKIKU (Vep. 20.4, Ef. 6.21), 8 dhjetor; ZENAI (Tit. 3.13), episkop i Laodicesë, 27 shtator.
Të tjerë dishepuj të Krishtit ose të apostujve: KODRATI, 21 shtator; OLIMPAI (Rom. 16.15) 10 nëntor; FLEGONI (Rom. 16.14), 8 prill; FILOLOGU (Rom. 16.15), 5 nëntor; URBANI (Rom. 16.9), episkop i Maqedonisë, 31 tetor. U bashkëngjitim edhe “vëllezërit e Zotit”, biri i Josifit: JAKOVI, episkopi i parë i Jerusalemit, 23 tetor; JUSTI (Vep. 1.23), episkop i Elefteropolit, 30 tetor; SIMEONI (KLEOPA), episkopi i Jerusalemit, 27 prill dhe 30 tetor; gjashtë nga shtatë dhjakonët (Vep. 6): STEFANI, 27 dhjetor; FILIPI, 11 tetor; PROHORI, NIKANORI, TIMONI dhe PARMENAI, 28 korrik; si dhe ZAKEU, që hipi mbi një pemë fiku për të parë Krishtin (Lluk. 19).
* * * * *
– Oshënare Apolinaria, senator –
Apolinaria ishte bija e Anthimit, magjistrat i fuqishëm në Romë, në kohën e perandorit Leon I (rreth 470), dhe ua kalonte në bukuri e në urtësi shumicës së vajzave të asaj kohe. E rrëmbyer që në rini nga dashuria për Zotin tonë Jisu Krisht, mori bekimin nga prindërit, si rezultat i përgjërimeve të saj këmbëngulëse, që t’ia përkushtonte dëlirësinë Krishtit dhe të nisej për një pelegrinazh në vendet ku vuajti Zoti.
Kur arriti në Jerusalem, ajo u dha lirinë skllevërve e shërbëtorëve të shumtë të shpurës që e shoqëronte, shpërndau te të varfrit para, veshje, stoli, dhe u drejtua për në Egjipt, në Parajsën e asketëve, e shoqëruar vetëm nga një eunuk dhe një shërbëtor plak. Kur mbërritën pranë Aleksandrisë, u shkëput prej tyre dhe shkoi në një pyll atje afër, ku qëndroi për vite me radhë, duke ia nënshtruar mishin frymës me tërë llojet e ushtrimeve dhe duke duruar sulmet e pandërprera të mushkonjave, nga pickimi i të cilave lëkura e saj delikate u ashpërsua si zhguall breshke.
Prej andej shkoi në qendrën e famshme murgërore të Skithës, duke e hequr veten si eunuk me emrin Dhorothe. Jeronti që kishte autoritetin mbi eremitët, pas shën Makarit, i dha një qeli, ku e lumura të këmbëngulte në lutje, ditë e natë, pa u turbulluar nga asgjë e kësaj bote.
I ati, Anthimi, i pikëlluar thellësisht për zhdukjen e së bijës, kishte edhe një vajzë tjetër, të cilën e kishte pushtuar një demon i frikshëm. Duke mos shpresuar më në ndihmën njerëzore, ai e dërgoi pranë etërve të Skithës, që ata të luteshin për të, dhe këta ia besuan eunukut Dhorothe, i cili, pas shumë përgjërimesh, e dërgoi të motrën plotësisht të shëruar në shtëpi.
Pak pas kthimit të vajzës në shtëpinë e të atit, ajo vuri re se ishte shtatzënë. Anthimi dyshoi për murgun Dhorothe dhe, pa vonuar, e thirri. Sa gëzim pati kur zbuloi se ai që kishte çliruar bijën e tij të vogël nga demoni ishte Apolinaria e tij e shtrenjtë, për të cilën ishte dëshpëruar së tepërmi. Pas disa ditësh, shenjtorja shkoi në qeli. I kërkoi familjes që ta mbante të fshehtë këtë gjë, e cila u zbulua nga etërit e Skithës në çastin kur vdiq.