APOSTULLI – Hebrenjve 10:1-18.

Sepse ligji, duke pasur një hije të të mirave të ardhshme e jo vetë figurën e gjërave, s’mundet kurrë me anë të po atyre therorëve, që sjellin përherë vit për vit, të bëjë të përsosur ata që afrohen. Sepse atëherë do të kishin pushuar së pruri therorë, sepse adhuruesit, si të pastroheshin një herë, nuk do të kishin më asnjë ndërgjegje mëkatesh.

Po në ato therorë ka një kujtesë mëkatesh vit për vit. Sepse është e pamundur që gjak demash e cjepësh të heqë mëkate. Prandaj, ai duke hyrë në botë, thotë: “Theror e dhuratë nuk deshe, po bëre gati për mua një trup. Therorë me djegie të plotë dhe flijime për mëkat nuk pëlqeve. Atëherë thashë: Ja tek po vij, në rrotullin e librit është shkruar për mua, për të bërë, o Perëndi, dëshirën tënde”.

Pasi tha më sipër: “Se theror dhe dhuratë, edhe therore me djegie të plotë dhe flijime për mëkat nuk deshe, as nuk i pëlqeve”, të cilat sillen sipas ligjit, atëherë tha: “Ja tek po vij, për të bërë, o Perëndi, dëshirën tënde”. Hedh tej të parën, që të mbështesë të dytën. Prej kësaj dëshire jemi shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jisu Krishtit që u bë theror një herë për të gjithë.

Edhe çdo prift rri përditë duke shërbyer, edhe ofron shumë herë po ata therorë, të cilët kurrë nuk mund të heqin mëkate. Po ai, pasi ofroi një theror për mëkate, ndenji përgjithnjë në të djathtë të Perëndisë, duke pritur pastaj deri sa të vihen armiqtë e tij nënkëmbje e këmbëve të tij, sepse me një dhuratë bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen.

Po edhe Fryma e Shenjtë dëshmon tek ne; sepse pasi pati thënë më përpara: “Kjo është dhiata që do të bëj për ata pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në zemrat e tyre, edhe do t’i shkruaj ato në mendjet e tyre”. Shtoi: “edhe mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre nuk do t’i kujtoj më”. Edhe kur ka ndjesë të këtyre, nuk ka më dhuratë për mëkat.