UNGJILLI – Marku 8:11-21.

Edhe dolën Farisenjtë e zunë të bisedojnë me atë, edhe të kërkonin nga ai shenjë prej qiellit, duke e ngarë atë.

Po ai si psherëtiu në shpirtin e tij, thotë: Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them juve, nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi. Edhe si i la, hyri përsëri në lundër, e shkoi në anën e përtejme.

Edhe ata harruan të marrin bukë, edhe s’kishin me vete në lundër veçse një bukë. Edhe ai i porosiste, duke thënë: Shikoni, ruhuni nga brumi i Farisenjve dhe nga brumi i Herodit. Dhe ata mendoheshin në mes tyre, duke thënë se s’kemi bukë.

Edhe Jisui si e kuptoi, u tha atyre: Pse mendoni se s’keni bukë? Ende s’merrni vesh, as nuk kuptoni? Ende po të ngurtë e keni zemrën tuaj?

Duke pasur sy, nuk shihni, edhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni? Dhe a nuk ju kujtohet? Kur ju theva të pesë bukët për të pesë mijët, sa kofinë plot me copa ngritët? I thonë: Dymbëdhjetë.

Edhe kur ju theva të shtatë bukët për të katër mijët, sa shporta plot me copa ngritët? Edhe ata thanë: Shtatë. Edhe u thoshte atyre: Ende nuk kuptoni?