APOSTULLI – 2 Korinthianëve 1:12-20

.

    Sepse kjo është mburrja jonë, dëshmia e ndërgjegjes sonë, se me thjeshtësi e me çiltërsi Perëndie, e jo me dituri mishore, por me hir Perëndie, u sollëm në botë, edhe më tepër ndaj jush.

     Sepse nuk ju shkruajmë të tjera, por ato që lexoni, ose edhe i njihni; dhe shpresoj se edhe deri në fund do t’i njihni, sikurse edhe na keni njohur pjesërisht, se jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju e jona, në ditën e Zotit Jisu. Edhe me këtë bindje doja të vija më parë te ju, që të kishit hir të dytë, edhe prej jush të shkoja në Maqedoni, edhe përsëri nga Maqedonia të vija tek ju, edhe prej jush të përcillesha për në Jude. Duke menduar pra këtë, vallë, mos veprova me mendjelehtësi? Apo sa mendoj, sipas mishit i mendoj, që të jetë tek unë Po Po, e Jo Jo?

    Po Perëndia është besnik, se fjala jonë për ju s’u bë Po dhe Jo. Sepse i Biri i Perëndisë Jisu Krisht, që u predikua ndër ju me anën tonë, me anën time dhe të Siluanit dhe të Timotheut, s’u bë Po dhe Jo, po u bë Po në atë. Sepse sa janë premtime Perëndie janë në atë Po, edhe në atë Amin, për lavdi të Perëndisë me anën tonë.