– Dhimbje, shpresë dhe solidaritet, Kryepiskopi Anastas shkoi përsëri në Durrësin e goditur nga tërmeti –

Sot, e diel, 1 dhjetor 2019, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, shkoi në qytetin e Durrësit, që u godit tepër rëndë nga fatkeqësitë që solli tërmeti shkatërrues i datës 26 nëntor. Aty ai kreu Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, të qytetit, ku janë strehuar të dëmtuar nga tërmeti. Bashkë me Kryepiskopin meshuan Episkopi i Bylisit, Asti dhe klerikë të qytetit.

Kjo është hera e dytë që Fortlumturia e Tij shkon në Durrës, pas vizitës së datës 26 nëntor, ku u njoh nga afër me gjendjen e rëndë të krijuar nga tërmeti dhe shprehu gatishmërinë e Kishës sonë per të kontribuar konkretisht për njerëzit që humbën gjithçka, siç edhe po ndodh.

Në omelinë e mbajtur, Kryepiskopi Anastas iu drejtua popullit me fjalë atërore dhe shprese:
Në ditët që shkuam përjetuam hijen e vdekjes… Dua të them se mes kësaj dhimbje kaq të madhe është edhe solidariteti i mrekullueshëm, që u shfaq në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë këtyre ditëve. Jo vetëm nga qytetarët këtu, por edhe nga qytetet e tjera dhe ajo që është më e rëndësishme, solidariteti që u shfaq nga banorët e rajonit tonë… të cilët vrapuan të jepnin mbështëtjen e tyre në këto ditë të vështira. Nuk erdhën thjesht për të na ngushëlluar, por për të na ndihmuar. Sjell në mendjen time grupet e shpëtimit që duke rrezikuar jetën shpëtuan jetë. U jemi mirënjohës të gjithë atyre…

Kam marrë letra nga pothuaj të gjithë kryetarët e Kishave Autoqefale dhe Patriarkanave në botë. Kjo tregon se jemi një kishë, një trup, dhe kur dëmtohet një pjesë e trupit ndiejnë dhimbje dhe reagojnë të gjithë.
Sic e vutë re, në këtë tronditje të madhe kasha këtu nuk pësoi gjë, kështu edhe në shënVlash. Nuk flas vetëm për ndihmën e Perëndisë dhe për ata që i ndërtuan. Që kur nisëm të ndërtonim u përpoqëm që çdo gjë të ishte në përputhje me shkencën e ndërtimit.

Duhet të bëni përpjekje të mëdha që të mos na kapë paniku që vjen vërdallë këto ditë. Sa të jetë e mundur, me më shumë qetësi të përballemi me problemet, me më shumë paqe, sepse siç degjuam dhe në Apostullin e sotëm, Krishti është paqja jonë dhe nuk do të na braktisë edhe në këtë orë të vështirë të jetës sonë. Le të fuqizohet shpresa në mendjet tona. Kjo shpresë mbështetet në faktin se nuk jemi vetëm, sepse pamë solidaritetin e vëllezërve tanë, por për më tepër sepse Perëndia është bashkudhëtar me ne në çdo hap të jetës sonë. Le të përpiqemi dhe të mendojmë se si do t’i rindërtojmë këto ndërtesa në mënyrë të rregullt. Nuk është moment tani për kritikë për gabimet e të shkuarës apo për ata që vunë përpara fitimin në vend të sigurisë.

Të mos përsërisim të njëjtat gabime. Nuk mund të jemi indiferentë përpara të vërtetës shkencore. Nuk mund të jemi indiferentë përpara drejtësisë sociale përshkak të fitimeve të padrejta të disave. Do të duhet që të gjithë të bëjmë përpjekje për të vërtetën, për dashurinë dhe vëllazërimin mes nesh.

Mendoj se caste të tilla që na tronditin bëjnë të lulëzojnë nga Brenda njeriut disa fuqi mistike; dashuria, solidariteti, ngrohtësia. Dua që të kujdesemi që t’i ruajmë ato dhe të mos na bien përsëri në gjumë. Duhen të fuqizohen, dhe të rritet mire kuptimi i ndërsjellë. Vetëm kështu rajoni i Ballkanit do përparojë dhe do të zhvillohet…

Në emër të shtabit të emergjencë të ngritur nga Kisha jonë foli atë Gjerasim Çakalli, i cili përshkroi punën e bërë dhe falëndëroi Kryepiskopin për mbështetjen e gjithanshme dhe të vazhdueshme.

Edhe Kryepiskopi Anastas falëndëroi veçanërisht klerikët dhe të rinjtë orthodhoksë të cilët që në çastet e para e derimë sot u kanë shërbyer atyre që humbën çdo gjë nga tërmeti, pa asnjë lloj dallimi. Ai theksoi edhe faktin se kasha i hapi dyert e të gjitha strukturave të veta që në çastet e para pas fatkeqësisë.

Më pas, Kryepiskopi Anastas vizitoi nga afër të dëmtuarit nga tërmeti që janë strehuar prej disa ditësh në mjediset e Manastirit të ShënVlashit, Akademisë Teologjike dhe Skitit të Miroprurëseve. 167 personat që ndodhen aty kanë të siguruar fjetjen, ushqimin e gatuar në mensën e Akademisë teologjike dhe gjithçka kanë nevojë. Kryepiskopi Anastas drekoi me të gjithë ata. Përveç personelit, personave të strehuar aty u shërbejnë vullnetarisht student të Ku “Logos”, anëtarë të Lidhjes së Rinisë Orthodhokse dhe klerikë. Gjithashtu, në kuadrin e mobilizimit në të gjitha kishat e vendit për të mbledhur ndihma, sidomos nga rinia orthodhokse, në Manastir kanë ardhur ndihma nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë.