Në datën 18 nëntor 2019, në Tiranë, në mjediset e Mak Albania Hotel, u zhvillua konferenca “Feja si Instrument i Paqes”. Ajo u organizua nga Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit. Në Konferencë morën pjesë e përshëndetën edhe krerët e komuniteteve fetare të vendit tonë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi.
Në seancën e parë, ku përshëndetën edhe kryetarët e komuniteteve fetare, folën Presidenti Meta, Ambasadori për Liritë Fetare në Departamentin e Shtetit në SHBA, z. Samuel Brownback, Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaçi, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Z. Ivan Brajoviç, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Z. Talat Xhaferri, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Serbisë, Nikola Selakovic etj.
Më pas vazhduan seancat e tjera të Konferencës, nga lektorët nga vendi dhe rajoni u fol rreth rolit të fesë në shoqëritë postkomuniste, për rëndësinë e religjioneve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm etj.
Në datën 19 nëntor, pjesëmarrësit e Konferencës u zhvendosën në qytetin e Shkodrës, ku u njohën nga afër me persekutimin ateist dhe marrëdhëniet harmonike mes tre komuniteteve fetare atje, si dhe vizituan objektet e tyre të kultit, mes të cilave edhe kishën orthodhokse “Lindja e Krishtit”.