Në nëntor bëhen 20 vjet nga hapja e Qendrës Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi”, një kontribut i rëndësishëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në shëndetësi. Me këtë rast, sot, 3 nëntor 2019, në sallën e madhe të Qendrës Kulturore, pjesë e kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua një veprimtari festive. Merrnin pjesë mjekë dhe personel mjekësor, persona që kanë kontribuuar në vite për Klinikën, politikanë dhe personalitete, besimtarë etj. Në veprimtari mori pjesë dhe ideatori, financuesi dhe mbështetësi i saj në ço hap në këto 20 vjet, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, Mitropoliti i Elbasanit Andoni, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Asti dhe klerikë të Kryepiskopatës.

Pas mirëseardhjes, për historikun e ngritjes dhe funksionimit të Qendrës Diagnostike Orthodhokse foli dr. Themistokli Sinjari, mjek në klinikë e më pas prekën aspekte të ndryshme të këtij shërbimi Drejtori Ekzekutiv, Vasil Kristo, dr. Stilian Buzo, drejtues teknik i Laboratorit dhe Katerina Avdia, përshëndeti në emër të personelit.

Më pas u shfaq një video-dokumentar, që jepte rrugën e ndjekur nga klinika dhe shërbimet që e përbëjnë atë.

Në fund, përshëndeti të pranishmit Kryepiskopi Anastas, i cili tha se çdo gjë bëhet me hirin e Zotit tonë Jisu Krisht dhe kujtoi rrugëtimin e Klinikës dhe kontributin e gjithë atyre që kanë shërbyer në të. Në fund, mjekët dhe personeli i Qendrës Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” bënë një foto me Fortlumturinë e Tij.